Raporti i varësisë së të moshuarve “cenon” pensionet! Kombet e Bashkuara: Numri i personave mbi 65 vjeç…

May 7, 2024 | 9:13
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DURO/ Plakja e popullsisë është një fenomen që po prek të gjitha vendet dhe padyshim Shqipëria nuk ka mundur të jetë imune ndaj këtyre ndryshimeve.

Pensioniste-pensione-private-fonde-pensionesh

Nisur nga tregues të ndryshëm demografik shpeshherë kemi analizuar tendencat moshore, të cilat duket se vitet fundit janë në favor të të moshuarve. Nisur nga të dhënat e INSTAT, në 1 janar të vitit 2023, në Shqipëri ishin 443,227 të rinj të moshës nën 15 vjeç dhe 454,496 të moshuar të moshës 65 vjeç ose më shumë.

“Scan Intel” këtë herë ka analizuar treguesin e varësisë së të moshuarve në vendin tonë ndër vite, por edhe krahasuar me vendet e Europës. Por çfarë kuptojmë me raportin e varësisë së të moshuarve? Varësia ndaj të moshuarve matet si raport i personave mbi moshën e punës, pra mbi 65 vjeç, me numrin e personave në moshë për të punuar, nga 15 deri në 64 vjeç, e shprehur si përqindje.

Nisur nga të dhënat e “Eurostat” për vendin tonë shohim se varësia ndaj të moshuarve po rritet me një ritëm të shpejtë. Në vitin 2002 norma e varësisë ishte 12.3%, ndërkohë që në vitin 2023 ky tregues regjistrohet në 24.4%. Nëse shohim tendencën, shohim se rritja paraqitet konstante vit pas viti, duke na lënë të kuptojmë përparësinë që kanë moshat e vjetra ndaj të rejave. Por çfarë shkakton në nivel ekonomie raporti i varësisë? Një nga pasojat më të rëndësishme lidhet me pensionimin.

Një raport varësie gjithmonë e në rritje sjell vështirësi në fondet e pensionit dhe prishjen e balancës kontribuues-përfitues. Nga ana tjetër, do të rrisë presionet për rritjen e moshës së pensionit. Po ashtu, ulja e krahut të punës si pasojë e plakjes së popullsisë do të bëjë që shpenzimet të jenë më të larta dhe të ketë më pak të ardhura. Megjithatë, pavarësisht tendencës në rritje, Shqipëria ruan akoma raportin më të ulët të varësisë ndaj të moshuarve në Europë.

Nisur nga të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” për vitin 2023, mesatarja europiane e varësisë se të moshuarve regjistrohet në 33.4%. Shqipëria renditet mes vendeve të fundit me një normë të barabartë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, por me raport më të ulët se Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Referuar grafikut, Serbia me një raport të varësisë së të moshuarve në 34.9% renditet mes vendeve të para. Nëse analizën e shtrijmë në një rreth më të ngushtë, pra mes qarqeve të vendit, të dhënat tregojnë se qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve janë ato të Gjirokastrës dhe Lezhës, respektivisht me 28.0 dhe 27.8 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 deri 64 vjeç.

Qarqet me raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve janë ato të Tiranës dhe Shkodrës, respektivisht me 22.8 dhe 23.4 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 në 64 vjeç. Rritja e numrit të pensionistëve në raport me ata që punojnë do të krijojë një disbalancë financiare për moshën e tretë, pasi do të ketë gjithnjë e më pak punonjës që kontribuojnë në sistemin e sigurimeve ndërkohë që përfituesit do të rriten me shpejtësi. Eurostat raportoi se në Bashkimin Europian raportet e varësisë së moshës mbi 65 vjeç arritën në 33% me 2022 ose 0.5 për qind më shumë se në vitin 2021. Në këtë analizë Shqipëria renditet ende me një raport të ulët të varësisë ndaj të moshuarve por vendi po plaket me shpejtësi.

Të dhënat për Shqipërinë i përkasin vitit 2021, ku personat mbi 65 vjeç zënë 22.3% të popullsisë në moshë pune. Shqipëria bashkë me Luksemburgun kryesojnë Europën për varësinë e ulët të të moshuarve. Në anën tjetër Italia, Finlanda, Portugalia, Greqia dhe Kroacia kryesojnë Europën për raportet e larta të varësisë të të moshuarve ndaj popullsisë në moshë pune. Psh., në Itali popullsia mbi 65 vjeç zë 37.5% të popullsisë në moshe pune, në Finlandë 37.4%, në Portugali 37.2% në Greqi 35.6%.

Raporti i varësisë së të moshuarve në BE ishte 33%. Që nga viti 2002 ky tregues është rritur me 8.7 pikë përqindje. Në Shqipëri, raporti i varësisë së të moshuarve arriti në 22.3% më 2021 nga 12.3% që ishte në vitin 2002, me 10 pikë për qind rritje. Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria po plaket me ritme më të shpejta se Europa. Në realitetin shqiptar ky raport është edhe më i përkeqësuar, për shkak të një vale të madhe të emigracionit të të rinjve si azilkërkues në BE dhe Britani në vitet e fundit.

Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, numri i personave mbi 65 vjeç për 100 persona në moshë pune do të jetë 43.8 në vitin 2050. Aktualisht në Shqipëri ka 23.2 të moshuar 65 vjeç e sipër, për çdo 100 persona në moshë pune (20-64 vjeç). Pra deri në 2050-n, ky tregues pothuajse do të dyfishohet, duke shtuar presionet për shërbime tek të moshuarit, por duke ndikuar negativisht dhe në skemën e pensioneve, pasi do të ketë më pak kontribuues për më shumë pensionistë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura