Vullneti i mirë ndryshon

Oct 7, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

JOSIF PAPAGJONI  Josif-Papagjoni-649x365

Tri ditë në këtë fundshtator qemë në Fier, në kuadrin e Festivalit të Teatrove Rajonale DE-FEST. Dhe në voli të këtij projekti, konceptuam një Debat a Sesion shkencor me argumente e tema rreth marrëdhënies themelore: “TEATRI-PUBLIKU-KOHA”. Një çështje e gjithëkohshme sa vetë teatri. Kam qenë në dhjetëra e dhjetëra tavolina të kritikës, që kanë qenë pjesë e festivaleve teatrore në hapësirën shqiptare, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni etj. Por te kjo e Fierit, s’di pse nervi prej kritiku e studiuesi m’u prek disi ndryshe. Jo aq për cilësinë e kumtimit, diskutimit, referimit, se sa për një seriozitet si prej të “përbetuarish”, si prej “hallesh të shtëpisë”, ku njeriu qan dertet e tij brenda familjes dhe i thotë gjërat “troç”, pa lajle-lule dhe me ato kthesa-stërkthesat “hiq e mos këput”, mos ia prish atij e mos shkel kallon e këtij, lustroji të gjitha; shkurt, pa atë retorikë shtinjake, ngufatëse, meskine, që ia merr shpirtin problemit. Duke qenë moderator i këtij debati të nxehtë, fitova vërtet kënaqësi (e çuditshme kjo lloj kënaqësie mes gjembash që shponin e dhembnin fort!) nga debati i ashpër dhe i vërtetë që plasi mes nesh, rreth 20 vetë sa qemë, njerëz të teatrit, që jetën e kemi lidhur me të, figura të penës si Pëllumb Kulla, Nebi Islami, Miho Gjini, Primo Shllaku, Mevlan Shanaj, Petrit Ruka, Emin Emini, Bashkim Kozeli etj. Një debat i shpenguar me merakun se ku ndodhet teatri sot, në ç’udhëkryq, çfarë i kanoset, pse s’del dot nga kriza, pse gjendja e tij është kaq përtokë, pse shteti as ia hedh sytë, pse me zor ai frymon, mbijeton? A është Teatri shqiptar në lartësinë e kohës së vet, a i aplikon ai sa e siç duhet kodet dhe gjuhën artistike të teatrove të përparuara në Evropë e Ballkan, sa i përgjigjet shqetësimeve të publikut, halleve dhe problemeve që e shqetësojnë atë, apo i vjen rrotull e rrotull me ndoca gjellëbajate plot salcra kinse “moderne”, me ndoca plagjiatë kasetash e youtube-sh, gjithfarë tekstesh të paraqitura si “kulmet” e teatrit botëror, gjithë një prodhim thuajse skarco që duket se janë provuar tashmë dhe nuk sjellin ndonjë gjë të re.

Afërmendsh, se pjesët e lehta, komeditë, gazmoret dhe fjalët haharitëse, të pasuara nga trajtime regjisoriale dhe aktoriale jo rrallë si prej bufonësh, tregu teatror (le ta quajmë një hop kështu!) i lakmon. Ca për argëtim, ca për lodhje e gjendje stresi, ca për mungesë a modë… Më pak sheh në skenë shfaqje që të tronditin me idetë dhe filozofinë e tyre, me cilësinë dhe dritën artistike, me gjetjet dhe befasitë. Nuk e di, por rrallë më jep kënaqësi ndonjë shfaqje me përmasa reale, andaj dhe me zor i shtyj shumë syresh, thjesht në respekt të artistëve dhe nga instinkti im prej kritiku. Pse, xhanëm, shpesh e më shpesh teatrot tona gëlltisin po ato pjesë, më së shumti me pak personazhe (për mungesë fondesh), thuajse pa dekore, por me ca tavolina e karrige të sajuara në skenë, monodrama e diadrama, që vihen e rivihen lodhshëm sa nga Shqipëria, në Kosovë e Maqedoni, sa nga një a dy aktorë si vëllezërit e tyre më tutje? Dhe ç’më ka shqetësuar përherë, pse drama shqipe mungon dhe nuk ka një politikë nxitëse si nga Ministria e Kulturës për të financuar dhe imponuar disa tekste fituese në konkurset e kësaj drame, por vazhdon të shpërfillet dhe të braktiset, një problem gangrenë. Pse nuk qarkullojnë dot vlerat teatrore dhe qytetet tona, sidomos ato të vogla, veri-jug, mbeten në hije si nokturne ku dremitet me kandila. Pse rëndom sheh po të njëjtat shfaqje që qarkullojnë nga festivali në festival; pse mungojnë gjenitë e dramës botërore dhe veprat e mëdha, por parapëlqehen ndoca vepra mediokre, pa dimension social, duke i fryrë si tullumbace se gjoja kanë fituar këtë apo atë çmim ndërkombëtar, teksa publiku shqiptar nuk i shijon, mërzitet, madje edhe nervozohet. Ja që jo çdo gjë që përgatitet në kuzhinat e sofistikuara të teatrit botëror mund të jetë e përshtatshme dhe të shijohet po njësoj edhe prej nesh, pasi shumëçka varet nga situata shpirtërore dhe niveli i një populli, nga “gastronomia” që iu ofron spektatorit të tij të veleritur dhe të  sofistikuar, të themi të Parisit, të Nju Jorkut, Londrës apo Berlinit, ndryshe nga spektatori ynë me një mijë e një halle e plagë të hapura. Si i bëhet që teatrot e rretheve të gjallërohen disi, të zgjohen dhe të tejkalojnë letargjitë dhe limontinë e zgjatur? Të gjitha këto duket se kanë një përgjigje: mungesa e vlerësimit nga ana e shtetit dhe e burimeve ndihmëse. Gjithçka duket se po shkon përfund, në rrasht. Dhe kur gishti i këmbës të prek tabanin e detit, atëherë mund të ketë një zgjim, një shkundje, një kërcim drejt syprinës, një rilindje. Ndofta një “Zog Fenix” – kjo metaforë e përdorur kaq shumë nga besimi për një të ardhme ndryshe.

Më keq është gjendja për filmin, u shpreh poeti Petrit Ruka, ku financimet janë ngushtuar aq sa s’ke ç’bën me to, veç ca filma “liliputë” dhe gënjeshtra të radhës. Sikur një kilometër rrugë t’i japë qeveria teatrit, filmit, debatonte i indinjuar kinoregjisori Mevlan Shanaj, tjetër atmosferë do të krijohet. Por këtu te ne buxhetet janë më të voglat në Ballkan dhe nuk shihet dritë shprese.

Debatin e zhvilluam në manastirin e Apolonisë, ndërtuar në shek. 12, dhe prej andej mbase të gjithë kërkonim nga ato fytyra engjëjsh në afreske kishtare një shpresë më shumë. E thashë këtë të fundit se diskutantët m’u dukën të gjithë me një lloj frymëzimi si për vete të tyre dhe diku-diku edhe shfrynim marazin e sikur vinim në vete: Po kujt i flasim, mureve, ikonave? Syri që duhet të shohë dhe veshi që duhet të dëgjojë, nuk është këtu, me ne. Ata mendojnë për tenderët. Dhe sërish për tenderët! Shteti, qeveria, ministria ka vënë dyllin në vesh si Uliksi siujdhesës së sirenave. Gjithsesi, siç thotë ajo fjala e urtë, po s’qau fëmija, nëna nuk i jep të pijë. Prandaj dhe Uliksi i dëgjoi sirenat. Prandaj edhe zëri ynë, dhe besoj si ne, i gjithë komuniteti artistik i teatrit dhe kinematografisë, “qajmë” e “ulërijmë” fort që njerka shtet të dëgjojë më në fund. Të dëgjojë se duhen trajtuar disa çështje dhe ide të mprehta që lidhen me zhvillimet e teatrit shqiptar, posaçërisht situata në teatrot e rretheve kryesore, ku përfshihet natyrshëm edhe Fieri. Plagët janë mahisur, ato duken, s’mbulohen dot. Idetë, mendimet, opinionet dhe problematika e sjellë nga referuesit e ftuar, nga diskutantë të ftuar, u pasuruan me përvojat teatrore bashkëkohore të artistëve shqiptarë, por dhe nga përvojat teatrore që lëvrohen sot në teatrot e shteteve fqinje të Ballkanit e më gjerë, në Evropë. Qëllimi është, pra, të gjenden rrugë të reja e alternative për t’i dhënë teatrove bashkiakë posaçërisht, dhe teatrit shqiptar në përgjithësi, shtysa të reja për rritjen e komunikimit me publikun, për raportin me kohën dhe impaktet që lipsen mbërritur.

Për teatrin s’pushuam së foluri edhe në drekën që kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, një burrë i urtë, i matur dhe modest, na premtoi aty se shumë shpejt në godinën e teatrit të këtij qyteti, krahas ndryshimit të imazhit të saj, do të nisnin punimet për kompletimin e gjithë infrastrukturës skenike, paçka se përfaqësuesi i teatrit italian të rajonit të Pulias tha se ata, në 54 teatro që ka ai rajon, nuk e kishin një teatër të atillë si i Fierit dhe e lakmonin ta kishin. Deklarata e tij në mendjen time solli një fluks drite teksa i thosha vetes: Prit, mos e nxij gjithçka, bëhen dhe ca gjëra të mira… Shihe Fierin si po ndryshon krejt! Edhe teatri ndryshon. Vullneti i mirë ndryshon!

Si referues, unë ceka në një vështrim jo aq teorik se sa të situatës konkrete të teatrit, posaçërisht të konceptit regjisorial, raportin me tekstin e “vjetër”, “sacral”, që vjen nga dramaturgjia botërore, por dhe ajo shqiptare, raport që lidhet ngushtë me rikuptimësimet e këtij teksti dhe marrëdhënien e publikut të kohës me të. U ndala në disa risemantizime, shpesh flagrante dhe të habitshme, që regjisori Dino Mustafiq u ka bërë veprave të vëna në teatrot shqiptare, siç qe rasti me dramatizimin e romanit të Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me dramën e Byhnerit “Vdekja e Dantonit” me teatrin e Shkupit dhe posaçërisht me tekstin brilant “Kopshti i qershive” të Çehovit vënë së fundi në teatrin e Korçës. Ky regjisor e shkund mirë e mirë filologjinë e tekstit, ia heq pluhurin stilistik të kohës dhe e sjell në brigjet e dukurive dhe shqetësimeve të njeriut sot. Por, nga ana tjetër, ndërhyrjet e tij janë tepër të forta me aktualizimet, ndonjëherë, haptazi dhe në formë deklarative, retorike e groteske, që u bën ndjeshmërive e mendësive të bartura në tekstet origjinale, sikurse bëri së fundmi edhe me Çehovin. Ky është një problem i mprehtë për regjisurën e sotme dhe kur regjisori e mbërrin synimin, sikundër ka ngjarë me disa lexime moderne e risemanizuese të Altin Bashës mbi tekstin e Gjergj Fishtës “Gomari i baba Tasit” apo “Karnavalet e Korçës” të S. Çomorës, ku ndërhyrja në tekst është tejet e përmbajtur dhe risemantizimi kryhet përmes shtresave ideore që koncepti regjisorial vendos.

Idetë e prof. dr. Nebi Islamit, studiues i artit dhe letërsisë, u përqendruan te drama shqipe dhe teatri, vijimësi dhe shkëputje, duke i mëshuar fort idesë se në çfarëdo rrethane, nëse drama shqipe përjashtohet apo shpërfillet, teatri do të vuaj mungesën e konkretësisë së subjekteve, karaktereve, personazheve, gjendjeve shpirtërore shenjëzuse të shqiptarëve këtu apo aty, dje, sot apo nesër. Kritiku i teatrit, Miho Gjini, preku fenomenin e festivaleve teatrore, shpesh të shndërruar në “festivalomani”, ku humbet veçantia, kontributet e posaçme, ku mungon atmosfera artistike dhe shkëmbimi i përvojave, takimet e krijuesve dhe festivalet rrudhen, tkurren, humbasin “festën”, qëllimin përse janë bërë, pasi prania është tejet e pakët nga pamundësia e fondeve. Nevojitet largimi urgjent nga klishetë organizative të gatshme dhe uniforme, por të ndërtohen tipa e modele të ndryshme ballafaqimesh teatrore, festivale që të kenë fizionominë e tyre. Kjo ide u përfshi gjerësisht në diskutim, ndikimi i këtyre festivaleve në harenë dhe kënaqësinë e publikut, sikundër në impulset që i jepet artit përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe shikimit e vlerësimit të njëri-tjetrit, gjë që ndihmon po aq dhe në krijimin e hierarkive meritore mes artistëve dhe trupave teatrore veç e veç dhe në tërësi. Dr. Primo Shllaku, studiues i letërsisë, shkrimtar dhe dramaturg, foli për teatrin si medium social dhe antropologjik, me theks në mendimin e një teatri që provokon publikun, që nuk e lë në paqen e “shenjtëruar” dhe në gjumë, që kërkon prej tij përgjigje dhe ai vetë duhet t’i japë këtij publiku përgjigje. Një temë interesante solli Dr. Emin Emini, regjisor, kritik arti dhe profesor lidhur me larminë e formave teatrore në një shoqëri globale, të hapur dhe kritike.

Idetë dhe argumentet e shumta, jo rrallë herë i ikën qerthullit të tyre të ngushtë dhe u përzien me dukuritë dhe gjendjet e fundme të teatrit shqiptar andej e këndej kufirit, me debate të forta e kundërshti pikëpamjesh, por që në fund bashkoheshin te po ajo udhë: nevoja për ta nxjerrë nga gjendja e pamundësisë, qoftë në mjediset e krijimit të produktit artistik, te gjendja e godinave teatrore, menaxhimi i produktit, gjer te krijimi i një ekipi regjisorësh-prijës e ideator të këtij arti, të një politike nxitëse për përmirësimin e gjendjes së rëndë, krizës së dramës shqipe dhe cilësisë shpesh të dobët të shfaqjeve, mungesës së veprave të mëdha e të mirënjohura, raportit të brezave të aktorëve të vjetër-të rinj dhe alternimit të përvojave në aktrim, regji, skenografi, menaxhim etj. Besoj dhe shpresoj se, pavarësisht mungesës së mediatizimit të ideve dhe propozimeve të shfaqura në këtë debat estetik e teatror, shqetësimi për të kërkuar udhë të reja mbetet ajo “leva” që mund të lëviz “gurin e rëndë” sizifian, e ai, TEATRI, t’i iki barrës së hedhur shpinës e guri i mundimit të rrokulliset teposhtë, duke e çliruar nga vuajtja, mundimi, pakimi, zvetënimi dhe kriza ngufatëse…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura