Vrau ish-bashkëshorten gjyqtare, ekzekutori kërkesë gjykatës: Të rrëzohet akuza për…

Sep 8, 2018 | 15:24
SHPËRNDAJE

Fadil Kasemi, personi që një vit më parë vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildez Hafizi, vazhdon betejën për të ulur sado pak vitet e burgut që e presin. Kështu, në seancën e së enjtes, Kasemi, përmes avokatit të tij mbrojtës, kërkoi nga Gjykata e Krimeve të Rënda që të rrëzohet akuza e pengmarrjes. Bëhet fjalë për momentin pas vrasjes së gjyqtares, sipas akuzës, Kasemi ndaloi nën kërcënimin e armës një automjet tip furgon dhe hyri me forcë brenda.

Fadil Kasemi
Fadil Kasemi

Sipas mbrojtjes, akuza e pengmarrjes duhet të bjerë, pasi Kasemi u vetëdorëzua dhe i kërkoi drejtuesit të mjetit që ta dorëzonte në Komisariat, duke mos tentuar, sipas avokatit, që të largohej nga vendngjarja.

Veç kësaj, mbrojtja kërkoi edhe thirrjen të cilët mund të japin një panoramë të jetës bashkëshortore të Fildez Hafizit me autorin e krimit. Sipas mbrojtjes, ata do të dëshmojnë se ai ka qenë një familjar i rregullt. Avokati kërkoi edhe vendimin e Gjykatës së Tiranës për divorcin e çiftit që të administrohet si provë. Në fund, mbrojtja kërkoi edhe riekspertim të gjendjes psikike të Kasemit, duke pretenduar se ai ishte i shtruar në spital në momentin kur është kryer vrasja, pasi ka pasur çrregullime mendore. Megjithatë, ekspertimi i parë e ka nxjerrë të përgjegjshëm.

Fildes Hafizi
Fildes Hafizi

Fildez Hafizi u ekzekutua nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi pranë shtëpisë ku banonte në Tiranë. Ajo po kthehej në shtëpi, kur ish i shoqi iu shfaq befas dhe e qëlloi me armë zjarri. Më pas, ai tentoi të largohej nga vendngjarja duke ndalur një drejtues furgoni, por u prangos nga Policia. Ngjarja është cilësuar si e paralajmëruar, pasi rreth një vit para saj, Fadil Kasemi kishte kërcënuar me armë ishbashkëshorten te “Shkëmbi i Kavajës”. Në atë kohë, gjyqtarja arriti ta bindte Kasemin që të mos e qëllonte.

Gjatë kësaj kohe ajo ka bërë të gjitha përpjekjet që të transferohej si gjyqtare diku afër Tiranës për shkak se ndjehej e kërcënuar, por kërkesa e saj u hodh poshtë nga KLD-ja, e cila e caktoi në Shkodër, rrethi më i largët që ajo kishte kërkuar.

Kasemi humbi kujdestarinë e dy fëmijëve

Disa ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur t’ia njohë motrës së Fildes Hafizit kujdestarinë e dy fëmijëve të gjyqtares së ndjerë, e cila u vra barbarisht nga ish-i shoqi në gushtin e vitit 2017. Vendimi është dhënë pas një procesi të gjatë gjyqësor nga ana e gjyqtares Farie Bundo në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës. Që prej fundit të vitit të shkuar, procesi për kujdestarinë e dy prindërve ka qenë mjaft i debatuar në Gjykatën e Tiranës. Nga njëra anë ka qenë vëllai i Fadil Kasemit që ka pretenduar të marrë kujdestarinë e fëmijëve dhe nga ana tjetër motra e Fildez Hafizit. Në disa seanca gjyqësore prezent ka qenë edhe vetë Fadil Kasemi, palë e tretë, i cili është përballur në tetor të vitit 2017 me ish kunatën e tij.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura