Vrau babanë pas shpullës në oborr, e ëma vdiq pak ditë më vonë pas plagosjes, i riu nga Kamza i shpëton burgut përjetë

Sep 21, 2019 | 10:33
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dënoi dje me 35 vite burg të riun, që dy vite më parë vrau prindërit në Kamzë.

Untitled-collage

Gjykata e Apelit i ka pranuar Mirald Metallarit gjykimin e shkurtuar, duke bërë që të prishet vendimi i Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm. 23- vjeçari u akuzua për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Vrasja ka ndodhur në mesditën e datës 24.07.2017, ku Mirald Metallari, pas një konflikti që rezultoi i çastit, qëlloi për vdekje me armë tip pistoletë babanë e tij, shtetasin Miftar Metallari, si edhe ka plagosur nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari, që humbi jetën më vonë në spital.

“Në lidhje me ngjarjen e datës 24.07.2017, ku shtetasi Mirald Metallari, për shkak të një konflikti të çastit, për motive banale, qëlloi mbi të atin, shtetasin, M.M.,62 vjeç, punonjës Policie, duke e lënë të vrarë dhe plagosi të ëmën, shtetasen Nurie Metallari, 47 vjeçe, ju bëjmë me dije se: më datë 04.08.2017, rreth orës 08:00, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasja N.M., 47 vjeçe”, njoftoi Policia në atë kohë.

Gjatë procesit në Shkallë të Parë, por edhe në Apel, i riu nuk është braktisur nga familjarët. Ai e kërkoi gjykimin e shkurtuar që në seancën e parë, por nuk u pranua nga Shkalla e Parë.

vrasje

Duke iu referuar Prokurorisë, Metallari pas një sherri që ka pasur më të atin e tij në momentin që po punonin në banesë, ka marrë armën tip pistoletë, e cila ka qenë e të atit dhe e ka qëlluar atë. Në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dalë nëna e tij, shtetasja Nurie Metallari, e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.

DËSHMIA 

Duke iu referuar rrethanave të treguara nga vetë Mirald Metallari, mësohet se ka shpjeguar që në datën 24.07.2017, rreth orës 6:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment, i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Miraldi ka hyrë në banesë ku aty kanë qenë 2 motrat e tij, të cilat kanë dalë jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit.

Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dalë me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën, shtetasen Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndalojë dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja.

djali_26

Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndalojë, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarrit në drejtim të saj në një distancë prej 3 metrash. Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Miraldit. Ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij, duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës.

Më pas, Miraldi thekson se ka shkuar tek e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital. Me vete ka pasur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë.

Kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali, e ka ndaluar një patrullë Policie dhe e ka shoqëruar në mjetin e Policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës. Në deklarimin e tij, ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vetë punonjësve të Policisë. Në shpjegimet e tij, ky person sqaron se nuk ka pasur konflikte të mëparshme me të atin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura