Vrasja e rojës së kazinosë, nga klienti që humbi paratë

Nov 1, 2012 | 14:36
SHPËRNDAJE
Viktima Et’hem Hëna

KORÇE/ Policia arreston 35-vjeçarin, bashkëfshatar i Et’hem Hënës .

Vrasja e rojës së lokalit të lojërave të fatit u krye nga një klient që humbi 150 mijë lekë.  Sipas Policisë së Korçës, ka prova të forta se autori është Edison Kodralli, 35 vjeç, i arrestuar mëngjesin e djeshëm në fshatin Vloçisht, ku banon dhe familja e viktimës. Policia deklaroi dje se i arrestuari për vrasjen e 58-vjeçarit është Edison Kodralli, 35 vjeç, banor i të njëjtit fshat me viktimën. Sipas Policisë, autori ka qenë frekuentues i rregullt i lojërave të fatit dhe vetëm përgjatë muajit tetor ka humbur në këtë lokal një shumë prej 150 mijë lekësh. Po të njëjtat burime thonë se një ditë para se të vriste Hënën, autori ka humbur rreth 9 mijë lekë, çka ka sjellë dhe planifikimin e krimit. Edison Kodralli, pasditen e së premtes ka qëndruar për disa orë në lokalin e lojërave të fatit që kishte në pronësi djali i viktimës Et’hem Hëna. Sipas të dhënave, ai ka qëndruar atje deri në mbrëmje dhe pasi ka humbur rreth 9 mijë lekë, është larguar i nxehur. Megjithatë, nuk ka debatuar as me djalin e viktimës, i cili ka qëndruar atje deri në mbyllje të lokalit, për t’u zëvendësuar më tej nga babai i tij, i cili do të qëndronte si roje. Për shkak se humbiste për të disatën herë Kodralli mësohet të jetë nervozuar në ambientet e lokalit dhe të jetë larguar, por dëshmitarët nuk kanë dëgjuar ndonjë reagim të tij. Sipas hetimeve, ai ka shkuar në banesë dhe për shkak të presionit, pasi ai kishte marrë shumë borxhe për të luajtur, i është rikthyer lokalit. Menjëherë sa ka arritur aty ka hyrë brenda duke qëlluar dy herë me një çifte. Plumbi i parë ka shkuar në ajër, ndërsa i dyti i ka shkaktuar vdekjen brenda pak minutash. Sakaq, nga burime të grupit hetimor mësohet se autori nuk e ka pranuar krimin, por ekzistojnë provat e mjaftueshme të siguruara në mënyrë operative që vërtetojnë autorësinë. “Nuk e kam bërë unë këtë vrasje. Vërtet unë shkoja në atë lokal dhe kam luajtur si shumë persona të tjerë, por nuk jam konfliktuar dhe as nuk i kam qëlluar askujt. Nuk kam lidhje fare me këtë ngjarje dhe nuk e di pse akuzohem pikërisht unë”, ka deklaruar pas shoqërimit në komisariat autori 35-vjeçar. Të njëjtat burime bënë me dije se pas marrjes në pyetje të të dyshuarit si autor i kësaj ngjarjeje, policia është ende në kërkim të armës së krimit.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura