Vonesat për krijimin e qeverisë kosovare, Thaçi: Zgjidhja e ngërçit politik në dorë të partive

Jan 18, 2020 | 19:03
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të shtunën se pret që spektri politik të shterë të gjitha mundësitë e komunikimit për ndërtimin e institucioneve para se të ndërmerr hapa të tjerë.

thaci

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, si përgjigje ndaj vonesave për krijimin e qeverisë së re nga ana e lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Pres që spektri politik të shterroj të gjitha mundësitë e komunikimit për ndërtimin e institucioneve pastaj do të shohim hapat që do të ndërmarrim”, tha ai.

Presidenti Thaçi se tashmë ka nënshkruar vendimin që i jep mandatin për të krijuar qeverinë kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Unë pres që, vendimin veç se e kam nënshkruar, duke menduar se veç do ta merr pasi që vet është deklaruar, ka zhvilluar fushatë si kandidat për kryeministër, ka emëruar gjysmën e qeverisë, është krejt normale, e kuptueshme dhe e përgjegjshme që në kuptimin ose fizik ose përmes komunikimit tjetër të pranon edhe zyrtarisht nomimin si kandidat për kryeministër. Nëse jo, natyrisht se është e drejtë e tij e refuzimit publik apo zyrtarë që nuk është i gatshëm por kjo i mbetet në përgjegjësine e respektimit të vullnetit të elektoratit por edhe para se gjithash të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe natyrisht mbështetjës së partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se adresa e zgjidhjes së ngërçit është ende tek partitë politike dhe se sipas tij në momentin kur kalon në një fazë tjetër, ai do të punoj që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të Kosovës.

“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar por e theksoj edhe njëherë do të shikojmë të gjitha mundësitë e variacioneve politike që kanë adresë të partive politike me përgjegjësitë e tyre të respektimit të vullnetit qytetar por edhe të përgjegjësive kushtetuese e ligjore, gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe natyrisht jo vetëm të një adrese politike, vazhdoj të besoj fuqishëm se do të ecim në drejtimin e duhur në mënyrë që të vazhdojmë me implementimin e prioriteteve që si shtet i Kosovës qoftë për liberalizimin e vizave qoftë për të ardhmen tonë euro-atlantike”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përfshirë në bisedime për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, por pa ndonjë rezultat. Udhëheqësit e dy partive politike kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave të cilat nuk kanë siguruar një marrëveshje për bashkëqeverisje edhe më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme më 6 tetor.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse. Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje.

I gjithë procesi i negociatave për formimin e qeverisë, është përshkuar nga ide nga më të ndryshmet lidhur me marrëveshjen, ndërsa i vetmi qëndrim i pandryshueshëm deri tash është këmbëngulja e të dyja partive se nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre, madje duke mos hedhur poshtë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura