Vivian Canaj: Të pozuarit nudo, nuk është mënyra e duhur për akte bamirësie

Feb 17, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Për shume modele të nënshkruash një kontratë me “brand”-in “Valentino” është sikur të të bjerë “telebingo”, ndaj vajza me fat është shqiptarja Vivian Canaj. Pas bashkëpunimit me markat prestigjioze në Europë, si “Cavalli”, “Chopard” dhe shpalljes si modelja më e mirë e vitit në Gjermani, ajo u zgjodh imazhi zyrtar i “Valentino”-s për Azinë.

vivian3

Por, pas suksesit në karrierë, duket se edhe jeta private po i ndrin modeles 20-vjeçare, që paralelisht është studente e vitit të tretë të Juridikut në UET. Ajo është fejuar me një ish-konsull, i cili tashmë ka krijuar edhe një biznes privat. Vivian përpiqet që ta mbajë larg medias emrin e tij, por gjithsesi disa detaje i bën publike për gazetën “Panorama”…

U zgjodhët imazhi zyrtar i “Valentino”-s për Azinë. Nga puna juaj në vendet aziatike, a ndieni ndopak alkimi me këtë popull? A e ndieni ndopak veten “kineze”?

Që kur kam përfaqësuar Shqipërinë si “Miss Albania 2014” në “Miss International” në Bangkok, gjëja që më habiste ishte alkimia me njerëzit aty. Madje, më thoshin që kam tipare të ngjashme me femrat aziatike, sidomos në finesë. Ndoshta, ky ka qenë një ndër faktorët kryesorë edhe për nënshkrimin e kontratës në Azi. Di të them që sa herë ndodhem në Azi, ndihem si në shtëpinë time.

 

vivian canaj

Përveç firmave më të famshme ndërkombëtare, sigurisht që ka edhe marka të tjera më pak të dëgjuara. Kemi vënë re që ju nuk keni bashkëpunuar asnjëherë me firma, që nuk kanë një emër të madh në treg. Pse kjo zgjedhje?

Në fillimet e mia kam pasur edhe oferta nga firma, të cilat janë në nivelin mesatar, madje njëra prej tyre që është mjaft e njohur në Shqipëri, më ofroi që të isha imazh për gjithë Europën. Sigurisht, kur kisha si alternativë edhe oferta nga “brand”-e prestigjioze, nuk kishte vend për mëdyshje. Mendoj se kam pasur fat me pjesën e bashkëpunimeve dhe duke pasur një menaxhim të mirë.

Edhe në Shqipëri ka disa atelie që tashmë janë bërë “brand”, si ju duken ato? Mendoni se në Shqipëri ka stilistë apo rrobaqepës të mirë?

Shqipëria është një vend i vogël, ku tregu i modelingut nuk është ende në standardet që duhet të jetë. Megjithatë, si në Shqipëri, edhe në Kosovë ka mjaft stilistë të talentuar, të cilët po na përfaqësojnë denjësisht në botë. Di të them që si në “Miss Europa”, “Top Model of The World”, apo “Miss International”, fustanet që kam veshur të dizajnuara nga stilistë shqiptarë kanë lënë gjurmë pozitive.

vivian2

Dikur jeni shprehur se nuk do pozonit nudo as për 1 milion dollar. Po për ndonjë kauzë, p.sh. për shpëtimin e emigrantëve sirianë, apo për fëmijët jetimë etj., a do të pozonit nudo?

E kam thënë dhe e përsëris që nudo nuk do të pozoja për asnjë arsye. Bamirësi kam bërë dhe do të bëj përherë, jo vetëm për këtë kauzë, por edhe për kauza të tjera që prekin mbarë shoqërinë. Nuk besoj se të pozuarit nudo është mënyra e duhur për të bërë një akt bamirësie.

Dimë që e keni një mashkull në zemrën tuaj dhe se e keni realizuar fejesën. Si ka qenë ajo ditë e veçantë?

Kam një partner në krah që më zbukuron çdo ditë timen dhe e kam mbështetësin tim më të madh. Mendoj se fejesa e bën më të fortë dashurinë, e legjitimon atë.

Na tregoni pak se si jeni njohur me të fejuarin dhe mos na thoni që nuk e mbani mend puthjen e parë, por na rrëfe se si ndodhi?

Jemi njohur rastësisht në një ambient shoqëror të përbashkët. Fillimisht ishim miq, ku ndanim çdo bisedë të ditës më njëri-tjetrin, dhe në njëfarë mënyrë e dinim që ishte diçka shumë më e fortë se thjesht miqësia dhe nuk do të mbetej me kaq. Puthja jonë e parë ka qenë në plazh.

Pas kësaj fejese, si e sheh ai punën tuaj me modelimin? A është xheloz i fejuari për fotosesionet apo angazhime të tjera të punës suaj, që besojmë shpesh ju bëjnë që të udhëtoni larg?

Partneri im është personi më i afërt që ndaj çdo gjë, si dhe është mbështetësi im kryesor në çdo hap të hedhur; fundja një lidhje e suksesshme bazohet në besim dhe mirëkuptim. Ai më shoqëron pothuajse në çdo udhëtim pune që kam, jo pse është xheloz, por sepse unë e konsideroj si krahun tim të sigurt, pa të cilin nuk bëj dot. Mund të them që është miku im më i mirë.

Cila është aventura më e bukur që keni bërë në çift?

Mendoj se çdo ditë e lidhjes sonë është një aventurë e bukur dhe e çmendur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura