Vit zgjedhor/ Bashkitë rritin shpenzimet, 220 milionë euro u paguan për rroga dhe sigurime shoqërore të punonjësve të pushtetit lokal

Aug 3, 2022 | 14:40
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Në vitin 2021, 61 bashkitë në vend shpenzuan rreth 17 milionë euro më shumë para për paga dhe sigurime shoqërore se një vit më parë.

bashkiaket

Në vitin elektoral ku u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, pushteti vendor rriti me 2 për qind shpenzimet vendore, duke arritur në shifrën e përgjithshme të tyre në 52.6 miliardë lekë, ose rreth 500 milionë euro.

Shpenzimet vendore të personelit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve totale të njësive të qeverisjes vendore për vitin 2021. Vetëm për paga e sigurime shoqërore të punonjësve në vitin e kaluar, janë shpenzuar plot 24.1 miliardë lekë, ose rreth 220 milionë euro.

Shpenzimet vetëm për këto zëra rezultuan me rritje prej 8 për qind, ose rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se viti 2020. Partia Demokratike ka hedhur vazhdimisht akuza për rritje të numrit të punonjësve të bashkive për qëllime elektorale gjatë zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat u fituan nga socialistët duke marrë mandatin e tretë. Nga ana tjetër, në raportin e buxhetit faktit theksohet se “rritja e shpenzimeve të personelit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk përbën ndryshim të ndjeshëm, por është një trend natyror i rritjes që njësitë vendore realizojnë me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve.

Me rritjen e kompetencave që pushteti vendor ka për të ushtruar në shërbim të qytetarëve, ka lindur nevoja për rritjen e personelit në funksion të mbulimit me shërbime cilësore ndaj qytetarëve”.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, në 61 bashkitë e vendit shpenzimet operative janë realizuar në masën 15.7 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro dhe rezultojnë më një rritje prej 4 për qind në raport me një vit më parë, ose rreth 533 milionë lekë. Shpenzimet operative përbëjnë rreth 30% të shpenzimeve të pushtetit vendor për vitin 2021.

INVESTIMET

Shpenzimet për investimet gjatë vitit 2021 nga bashkitë pësuan një rënie të ndjeshme. Krerët e institucioneve lokale u kujdesën të shtonin shpenzimet për punonjësit dhe ato për sigurimet shoqërore të tyre, por ulën investimet publike dhe subvencionet në shërbim të komunitetit që drejtojnë.

Duke u ndalur te shifrat e buxhetit faktik që qeveria ka depozituar në Kuvend, në raport me një vit më parë, konstatohet që shpenzimet për investime kanë një rënie me rreth 1 miliard e 630 milionë lekë, ose rreth 15 milionë euro. Po ashtu, edhe shpenzimet kapitale pësuan një ulje prej 13 për qind përkundrejt vitit 2020, për të cilat raporti thotë se erdhi si pasojë e riorientimit të prioriteteve drejt menaxhimit të situatës së vështirë financiare të krijuar nga pandemia dhe tërmeti.

Megjithatë, ky zë i shpenzimeve rezulton në një vlerë të konsiderueshme prej rreth 11.3 miliardë lekësh, ose 21.5% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor. Shpenzimet vendore për subvencione dhe të tjera janë shpenzimet që zhvillojnë NJVQV për të subvencionuar dhe mbuluar funksione të tjera administrative, të cilat në vitin 2021 kanë pësuar një rënie me rreth 7 milionë lekë.

Në raport theksohet se tashmë njësitë vendore duhet të planifikojnë në periudhë afatgjatë dhe mbështetur mbi strategji të qarta zhvillimi dhe ofrimi të shërbimit publik, që në mënyrë vazhdueshme të mbështesin me subvencione zhvillimin ekonomik të zonës nën juridiksionin e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura