Vidhen 200 mijë lekë të reja gjatë natës në minibashkinë e Beratit, procedim penal agjentit tatimor

Mar 30, 2015 | 15:05
SHPËRNDAJE

Berat- Minibashkia numër 2 në qytetin e Beratit ka rënë pre e vjedhjes gjatë natës. Burimet zyrtare bëjnë me dije se dyshohet se rreth 200 mijë lekë të reja janë grabitur nga zyrat e taksave vendore dhe gjendja civile. Kanë qënë punonjësit e kësaj minibashkie, të cilët konstatuar vjedhjen mëngjesin e sotmën dhe menjëherë kanë bërë njoftimin në polici.

foto ilustruese policie

Organet e rendit bënë me dije se me anë të thyerjes së derës kryesore, persona ende të paidentifikuar nga policia kanë mundur të hyjnë në ambjentet e zyrës së gjendjes civile dhe atë të taksave vendore.

Ndërkohë, punonjësit e kësaj minibashkie në bashkëpunim dhe me ekspertët hetimore kanë nisur verifikimet në dokumentacionin e rajonit, për të mësuar nëse janë kryer vjedhje në dosjet e kësaj njësie vendore.

Hetimet që vazhdojnë për verifikimet e plota të vjedhjes kanë bërë që ditën e sotme mos të ofrohet shërbim për qytetarët. Këta të fundit deklarojnë se nuk kanë marrë shërbimet pranë rajonit, raporton korrespondenti i Panorama Online.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë me dije se është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet N.P, i cili dyshohet si autor i vjedhjes së ndodhur.

Ndërkohë që filloi proçedimi penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës për Agjentin Tatimor të kësaj minibashkie. Agjenti tatimor, me inicialet F.B, akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi nuk ka bërë mbylljen e shumës së lekëve prej 200 mijë lekësh të reja, të cilat i ka lënë në arkë dhe nuk i ka arkëtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura