VIDEO/ Rama për ambicien e Blushit: Kohën për lodra ia rezervoj Zahos

Feb 16, 2016 | 6:16
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama shpjegoi dje se përse nuk bëri zgjedhje në 2013 për mandatin e ri në krye të Partisë Socialiste.

Iftuar në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës, Rama tha se kontratën me qytetarët e ka garantuar ai si kryetar i PS-së dhe se do t’u dilte zot qytetarëve si Kryeministër. Ambicien e deputetit Ben Blushi për kryetar, Rama e konsideroi një lodër, për të cilën tha se nuk ka kohë të merret.

Ai i ka cilësuar farsë akuzat e Ben Blushit, duke u shprehur se nuk mund ta dojë ai PS-së më shumë se socialistët, duke e sharë partinë nga të gjitha pozicionet.

Të flasim për ndryshimet në qeveri, nuk do të ketë, ju ngulmoni për këtë?

E kam thënë dhe e përsëris se nuk besoj te teoria e reformatimeve. Është një teori që nuk e besoj, ndërkohë që nuk ka asnjë tabu, nuk ka asnjë ministër që mund të rrijë që nuk e justifikon punën.

Të gjithë e kanë justifikuar punën?

Patjetër, e kanë justifikuar plotësisht punën e tyre. Por kjo është një gjë që duhet të ndodhë çdo ditë, nëse do të ketë ndryshime, nuk do të ketë reformatime nga ana ime, sepse nuk i kam kuptuar asnjëherë edhe kur i kam parë që i kanë bërë të tjerët që janë gjithnjë të lidhura me ekuilibra politikë të brendshëm të maxhorancave, të partive, por që nuk sjellin asnjëherë atë që mendohet. Ndërkohë që çdo ministër ka detyrat e veta, afatet e veta për të kryer detyrën dhe janë pjesë e një ekipi.

Atëherë, ata nuk qenkan nën presion, nuk do të ikin?

Mos u mërzit.

Zoti Rama, çfarë do të bëhet në Kongresin e PS-së, do të bëhen zgjedhje?

Në vitin 2013, ne fituam zgjedhjet dhe kur e kemi shkruar statutin, nuk e kemi menduar se çfarë do të ndodhte kur të fitonim zgjedhjet. Por kemi menduar se si të sigurohemi që si të japë dorëheqjen kryetari kur partia humb zgjedhjet. Deri këtu kishte shkuar statuti. Ndërkohë që ne kemi thënë se kur fiton zgjedhjet, kryetari i partisë bëhet Kryeministër. Është shumë e thjeshtë. Pse nuk u bënë zgjedhjet në 2013? Ne bëmë një betejë si ajo që bëmë, fituam të drejtën që të qeverisim dhe gjetëm një situatë shumë më alarmante se ajo që ne lexonim nga jashtë dhe për faktin që kishim 720 milionë dollarë borxhe si qeveri ndaj sipërmarrjeve dhe duhej me urgjencë të thërrisnim zjarrëfikësen e FMN-së që të mos ktheheshim përsëri në 1997. Imagjinoni në ato kushte, unë të dilja para shqiptarëve dhe të thosha: Na falni ju shqiptarë, ju na votuat që të qeverisim Shqipërinë, por ne kemi ca zgjedhje, se do të zgjedhim kryetarin e partisë me “një anëtar, një votë”. Unë të bëja një fushatë nëpër Shqipëri që t’i bindja socialistët që votuan të gjithë për mua më 23 qershor, që unë do të jem kryetar partie. Kjo është arësyeja pse nuk u bënë zgjedhjet, dhe kjo është arësyeja se pse partitë që i zgjedhin kryetarët me “një anëtar, një votë” e kanë automatikisht lider të shumicës qeverisëse, pra kryeministra kur fitojnë zgjedhjet dhe nuk bëjnë zgjedhje për Kryeministrin brenda partisë, pasi është non sens. Kjo nuk ka lidhje fare me demokracinë, por ka lidhje me votën e qytetarëve dhe kontratën me ta. Kontratën me qytetarët e kam garantuar unë si kryetar i partisë dhe jam unë garant si Kryeministër. Kështu funksionon demokracia. Dhe unë nuk mund t’u themi sot qytetarëve që shikoni, ne kishim një program, ju e votuat dhe tani ne kemi një problem, sepse duhet ta rishohim programin dhe duhet të diskutojmë brenda nesh se na duhet një program tjetër. Kjo është një gjë që nuk ndodh. Partitë e tjera e kanë zgjidhur këtë çështje. Kongresi do ta trajtojë këtë çështje, unë e kam pikëpamjen time dhe nuk kam absolutisht asnjë arsye personale që t’i shmangem çfarëdolloj sfide dhe cilitdo sfidanti, por kam respekt për njerëzit që na kanë votuar dhe mbi të gjitha, për detyrën e madhe që kam mbi shpatulla që nuk më lejon të luaj, dhe kohën për lodra, atë pak kohë që kam për lodra…

Është lodër gara brenda Partisë Socialiste sipas statutit?

Jo, jo, s’ka lidhje fare. Kjo është një lodër dhe kohën që kam për lodra, unë ia kam rezervuar Zahos. Nuk mundem dot ta kthej në lodër këtë punë dhe përgjegjësi kaq të madhe që kemi marrë nga qytetarët.

Si e quani atë që ju e quani lodër, pra ambicia e Ben Blushit për të qenë rivali juaj për kreun e Partisë Socialiste?

Së pari, unë kam një parim, nuk i komentoj socialistët qofshin ministra, deputetë apo anëtarë partie në publik, kur kam këndvështrime të ndryshme me ta. Nuk bëj unë polemika dhe debate të kësaj natyre me asnjë socialist. Në këtë rast, nuk kam dëshirë të hyj në një diskutim të tillë. Unë merrem me parimin dhe flas për konceptin e funksionimit të një fuqie, një partie që qeveris vendin.

Nuk është parim, është person, Ben Blushi është person dhe ju ka hedhur dorashkën..

Nuk merrem, normalisht nuk merrem. Sepse unë i kam duart të dyja të zëna me punë…

Por mos nuk keni kohë për PS-në..?

Këtë e gjykon PS-ja, nuk e gjykon asnjë njeri që e komenton nga jashtë këtë dhe për më tepër, nuk besoj që të mirën e PS-së e duan më shumë sesa vetë socialistët, ata që rrinë nga mëngjesi deri në darkë dhe shajnë PS-në nga pozicione nga më të ndryshmet dhe sot i dhimbset statuti, dhe i dhimbset demokracia në Partinë Socialiste. Kjo është një farsë e gjitha dhe nuk ka lidhje me mua. Ajo që unë përsëris, është: që në Partinë Socialiste janë të gjitha mundësitë dhe nëse ekziston dyshimi apo bindja që këtu ka nevojë për një ndryshim të lidershipit, janë mekanizmat, i garanton statuti.

Por i kontrolloni ju zoti Rama, si partinë edhe statutin?…

Si i kontrolloj unë?! Në PS ka pasur shumë kryengritje. Ajo që dihet është se qeveria e PS-ja po i nderon çdo anëtar të saj me punën që po bën, që qeveria e PS-së dhe PS-ja në qeveri ka shumë gjëra për t’u thënë në radhë të parë atyre që e votuan dhe shumë gjëra edhe atyre që sot ende nuk ndihen pjesë e atyre arritjeve që ne i konsiderojmë të tilla, sepse vërtet dikush nuk ka gjetur një punë, por nuk ka asnjë arsye që të bëhen pishman pse kanë votuar PS-në, përderisa sot jemi në kushtet kur kemi shkallë më të ulët të shkrimit, sepse kemi regjistruar 50% më pak krime se çdo vit tjetër.

Por në Kongres, do të ketë garë?

Partia Socialiste sot është në kushtet kur po përjeton një transformim të madh që tregon se mbështetja te kjo parti jo vetëm që nuk ka rënë, por po konsolidohet nga qeverisja, nga vendosmëria për të bërë reforma dhe për të bërë shtet. Këtë e tregon numri i anëtarëve të rinj që vijnë dhe jemi në një proces ku po votohet për delegatët e Kongresit me “një anëtar, një votë”, më thoni se cila parti e bën.

Ju pëlqeu skena që ndodhi në Elbasan, mes Taulant Ballës dhe Ben Blushit?

S’ka asgjë të pëlqyeshme në një skenë, ku është dikush që prish festën.

Kush po prishte festën, Blushi?

Taulant Balla…(qesh). Se mos harruat që e mbaruam intervistën.

 

rama per blushin by gazeta-panorama

Kerry, Rama komenton daljen e Nishanit në aeroport dhe mungesën e takimit me Metën


Rama per Meten dhe Nishanin by gazeta-panorama

Edi Rama duke komentuar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry në Tiranë ai foli për mungesë e takimit me kreun e Kuvendit, Ilir Meta dhe takimin në aeroport me Presidentin, Bujar Nishani.

Rama tha se Nishani bëri rolin e kryetarit të Protokollit të Shtetit pasi në axhendën e Kerry-t nuk ishte një takim me Presidentin.

Ndërkohë, për mungesë e një takimi Kerry-Meta, Kryeministri tha se nuk është në traditën e Sekretarëve amerikanë të Shtetit të takohen ke Kryetarët e Kuvendit duke iu referuar dhe precedentit të Hillary Clinton, e cila nuk u takua me Jozefina Topallin.

Rama: Vizita e John Kerry-t, me ftesën time

Kryeministri, Edi Rama duke folur për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry është përpjekur ta marrë dhe merita personale. Rama gjatë intervistës në emisionin “Dritare”, tha se Kerry i kishte premtuar një vizitë të tillë gjatë Samitit të NATO-s në Uells.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura