Nën hetim nga SPAK/ A do të zhvishet Ervin Bushati nga funksionet në PS? Ja si përgjigjet Rama – (VIDEO)

Nov 17, 2020 | 12:33
SHPËRNDAJE

Gjatë konferencës së sotme për mediat, kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me mundësinë për të “zhveshur” nga funksionet në parti, deputetin e PS-së, Ervin Bushatin, pasi kreu i PS për Tiranën është nën hetim nga SPAK për fshehje të pasurisë dhe falsifikim dokumentesh për 3100 m2 truall.

Kreu i qeverisë nuk dha një përgjigje shteruese lidhur me vendimin që do të merret, por theksoi se në PS qëllimi është i përbashkët dhe përgjegjësia individuale.

“PS ka një ndryshim të madh midis PS-së nga Partia e Syrit dhe nga partitë e tjera që mendojnë vetëm për sy dhe për faqe. Qëllimi është i përbashkët, përgjegjësia individuale. PS s’do të bëhet asnjëherë mburojë e askujt.

Kështu që mos kini asnjë merak në këtë aspekt. Gjërat janë shumë të qarta mes nesh. Kur dikush merr një detyrë e di shumë mirë që qëllimi është i përbashkët dhe përgjegjësia individuale.

Kur ky kapërcim shkel interesin e përbashkët secili përgjigjet vet. Sa i takon zhveshjes së z. Bushati kjo është një çështje që i takon familjes sonë politike, dhe e dimë kur e bëjmë ne në raport me qytetarët”, u shpreh Rama.

Hetimi i SPAK ndaj Ervin Bushatit 

Ervin Bushati mban aktualisht detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën. Dy ditë më parë u mësua se ndaj tij është regjistruar një procedim penal nga SPAK për veprat penale fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.

Procedimi penal është në fazën paraprake të hetimit dhe po ndiqet prej 8 muajsh nga prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu.  Bëhet fjalë për mosdekalrimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.

Rezulton se ai nuk ka deklaruar pasuritë e paluajtshme si më poshtë:

  • Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
  • Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall, me sipërfaqe ndërtimi 327 m2, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
  • Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 25.07.2014.
  • Një pasuri me sipërfaqe 76 m2, ndërtesë, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
  • Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
  • Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall, në Sarandë, e regjistruar më 17.07.2014.
  • Një garazh me sipërfaqe 42 m2, në Sarandë

Kjo nuk është hera e parë që një eksponent i rëndësishëm i Partisë Socialiste është nën akuzë, por është ndër hetimet e para të strukturave të reja të drejtësisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura