VIDEO/ Lacio ndëshkon Interin, zikaltërve u mbetet vetëm Seria A

Jan 31, 2017 | 22:54
SHPËRNDAJE

Interi i ka dhënë lamtumirën Kupës së Italisë, pasi është mundur me rezultatin 2-1 nga Lacio në çerekfinale të turneut në ndeshjen e luajtur në “San Siro”.

skysports-inter-milan-lazio-serie-a_3857178

Ka qenë një ndeshje e luftuar nga të dy skuadrat, me Interin që e nisi ndeshjen në sulm dhe krijoi disa raste të mira shënimi, ndërsa Kondogbia goditi edhe shtyllën. Por kur dukej se zikaltërit ishin pranë golit të parë, ishte Lacio që dërgoi topin në rrjetë me Anderson. Më pas, u deshën disa pritje të Handanoviç për të mbajtur në garë zikaltërit deri në fund të 45 minutave të para.

Pioli vendosi të ndryshonte skuadrën në fillimin e fraksionit të dytë të lojës dhe me aktivizimin e Zhoao Mario dhe Ikardi, skuadra u pozicionua me një skemë më agresive në kërkim të barazimit. Gjithçka u vështirësua vetëm 10 minuta pas pushimit, kur Miranda shkaktoi penallti dhe u ndëshkua edhe me karton të kuq. Bilja realizoi nga pika e bardhe dhe çoi në 2-0 rezultatin për Lacion.

Interi nuk u dorëzua dhe sulmoi pareshtur, ndërsa përfitoi edhe nga fakti se barazia numerike në fushë u vendos pas kartonit të kuq të Radu. Brozoviç në minutën e 84 rihapi ndeshjen, por pavarësisht furisë para portës së Marketit, Lacio arriti të mbronte avantazhin dhe të mbyllte me fitore duelin për të prerë biletën për gjysmëfinalet, ku e pret fituesja e çiftit Çezena-Roma.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura