Vetëm 8% masë dhjamore në moshën 41-vjeçare, zbulohet dieta që mban në formë Ibrakadabran

Mar 24, 2023 | 17:58
SHPËRNDAJE

Pas 433 ditësh nga hera e fundit, Zlatan Ibrahimoviç u rikthye që të shënojë në Serinë A. Këtë gjë e bëri në mbrëmjen e pafat në Udine, ku u mund 3-1. Në moshën 41- vjeçare e 166 ditë, Ibra u bë njëkohësisht edhe futbollisti më i moshuar i historisë së Milanit dhe i Serisë A që shënon, duke kaluar ish-milanistin, Alesandro Kostakurta (41 vjeç e 25 ditë), gjithashtu me penallti dhe sërish ndaj Udinezes, në ndeshjen e tij të fundit të karrierës (19 maj 2007, Milan-Udineze 2-3).

IBRAHIMOVIC

Por Ibra kërkon që të shkojë dhe të thellojë edhe më tepër rekordin e golit më të moshuar, duke qenë se ai nuk ka ndërmend të ndalet dhe pret një tjetër vit kontratë nga Milani, edhe pse deri kur të vijë dita e bisedimeve, ka një çështje që të bën të mendosh. Si ka mundësi që një 41- vjeçar e gjysmë të ketë një fizik kaq perfekt, sa masa dhjamore e tij nuk i kalon 8 për qindtë? Sekreti është dieta e rreptë së cilës i nënshtrohet suedezi.

Ekuilibër – Zlatani duket një makineri perfekte dhe kjo edhe falë mënyrës së tij të të ushqyerit, e cila është shumë rigoroze: Gjel deti, mish pule, mish lepuri, sallata të pasura me vitamina dhe perime të ziera, janë “buka” e përditshme dhe e të tria vakteve të suedezit. Madje, duke qenë se ishte kaq i fiksuar pas dietës së tij, në Paris tregojnë se kur Ibra ishte pjesë e PSG-së, shkonte bënte xhiro në mensë duke parë edhe se si ushqeheshin të rinjtë. Dhe ai u tërbua aq shumë kur mësoi se kuota për futbollistët e rinj ishte vetëm 15 euro për secilin, e cila u kushtëzonte mundësinë e zgjedhjes së menysë atyre, aq sa foli me Al-Khelaifin dhe e rriti këtë kuotë, duke bërë që edhe lojtarët e rinj të mund të kishin një hapësirë më të madhe dhe më korrekte në mënyrën e të ushqyerit, duke u dhënë atyre edhe leksione se çfarë duhet të konsumojnë.

Tundimi i javës – Shkurt, Ibra di t’i “peshojë” ushqimet që konsumon, aq sa ka norma të pakundërshtueshme si moskonsumimi i gjërave të ngrira dhe sheqernave, ku spikat zero akullore në dietën e tij, por ndërkohë një tundim, të paktën një ditë të javës e ka: pica! Zlatani është i çmendur pas saj, por këtë ves ia plotëson vetes vetëm një herë në javë, madje është aq i fiksuar, sa një muaj më parë ishte parë në Napoli, në picerinë e mjeshtrit Xhino Sorbilo, për të shijuar atë që ashtuquhet si pica më e mirë në botë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura