Veshët nuk kanë mure

Sep 26, 2021 | 17:45
SHPËRNDAJE

 Nga Edmond Tupja:tupe

Para disa ditësh, tek ecja në kryeqytet rrugës së Durrësit, sytë bredharakë më zunë tek hyrja e një argjendarie elegante këtë shënim: “Shpojmë veshët falas”. Menjëherë e kuptova si qëndronte puna: Këto tri fjalë joshëse u drejtoheshin me siguri jo vetëm zonjave, por edhe zotërinjve që mund të blinin vathë për veten e tyre.

Të shkretët veshë, bula e të cilëve do t’i nënshtrohej një shpimi të panatyrshëm por me qëllim bukurinë e fytyrës edhe femërore, por edhe mashkullore. Pikërisht në këtë çast, përsiatja ime lidhur me dhimbjen e veshëve të shpuara, pësoi njëfarë çekuilibri, ngaqë disa hapa prapa meje ia behën dy zotërinj, të cilët, me sa dukej, po vazhdonin një bisedë të ndërprerë, por me ngjyrim të theksuar politik:

Njëri ironizonte Edi Ramën dhe Xhorxh Sorosin, kurse tjetri Sali Berishën dhe Lulzim Bashën; papritur, ata shpërthyen në të shara aq vulgare kundër personaliteteve në fjalë, saqë në majë të gjuhës më erdhën krejt natyrshëm, veçse heshtas, fjalët inatçore “Oh, ç’po më çajnë veshët edhe këta!”, pastaj nxitova ta qetësoja veten duke arritur në përfundimin se dhimbja e veshëve të shpuar nuk duhej të ishte asgjë në krahasim me ngujimin e tyre të dikurshëm nëpër mure, ku janë zëvendësuar prej kohësh me ata sytë e quajtur kamera.

Pas një pauze disasekondëshe, ndërkohë që dy zotërinjtë vazhdonin të sharat e tyre me njëfarë këmbënguljeje sadiste, rrëmova në kujtesën time – sa për t’u zbavitur kësaj radhe – për të gjetur ndonjë shprehje tjetër të të njëjtit kuptim me shprehjen “i çaj veshët dikujt” dhe qeshë me fat, sepse nuk dola pa gjë, siç e dëshmojnë katër shprehjet që vijonë: i çaj kokën, i çaj trap…ezin, i çaj by…rekun, i çaj kar…rotën dikujt (tri të fundit të modifikuara me synimin e vetëm që veshët, qoftë edhe të shpuar – por moralisht të virgjër –, të mos skandalizohen ose, më mirë akoma, të mos eksitohen).

Ç’është e vërteta, gjatë regjimit totalitarist pesëdhjetëvjeçar, ne ishim ose shtireshim sikur ishim populli më i politizuar në botë, çdokush prej nesh bënte sikur vinte “politikën në plan të parë”, por, me shembjen e diktaturës komuniste, Partia e Punës, e cila në seancën e fundit të ditës së fundit të kongresit të saj të fundit në qershor 1991, do të ndërronte emrin duke u kthyer në Parti Socialiste pa marrë mundimin t’i kërkonte, qoftë sa për sy e faqe, ndjesë popullit shqiptar për krimet e saj nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, Partia e Punës, pra, hoqi dorë nga slogani i “vënies së politikës në plan të parë” dhe populli ynë ndoqi, ndoshta për inerci, shembullin e saj.

Megjithatë sot, shumica e shqiptarëve merren me politikë, veçse krejt ndryshe nga ç’bënin para tri dekadash, d.m.th. ata diskutojnë, grinden, gati sa nuk rrihen për orë të tëra në familje, punë, shoqëri e kudo gjetiu duke u marrë, pra, pikërisht me politikë, madje duke shpalosur një pasion krejt të veçantë në këtë drejtim.

Nuk mund të mohohet që këtë e bëjnë duke i çarë njëri-tjetrit veshët, madje edhe kokën, duke i çarë tra…pezin, madje edhe by…rekun apo edhe kar…otën. Mirëpo në këtë kontekst, përshtypja ime është se politikanët tanë, sidomos pushtetarët e këtyre tri mandateve të fundit të së majtës në fuqi, nuk janë aspak të ndjeshëm ndaj mjerimit të vegjëlisë, ndaj dëshpërimit të saj, e cila po ua çan atyre veshët, kokën, trap…ezin, by…rekun dhe kar…otën, madje, me veprimet e tyre, ata u thonë shqiptarëve të përvuajtur, të rraskapitur e shpresëhumbur:

“Ju na çani veshët, kjo aq na bën, se gomari nuk çalon nga veshët, ha, ha, ha!”; ju na çani kokën, ne ju kundërpërgjigjemi: “Cilën kokë, të madhen apo të voglën? Ha, ha, ha!”; ju na shani, na kritikoni, na qortoni, na fshikulloni, na bëni për një lek, për ujë të ftohtë, për vaj e për uthull, na i numëroni të shtata, na nxirrni ujë të zi, na mallkoni, na mallkoni, vetëm na mallkoni ditë e natë, por kot e keni, sepse ne as e çajmë, as e qethim, as e rruajmë, as e depilojmë trap…ezin, by…rekun dhe kar…otën për ju!”.

Megjithatë, duke vepruar kësisoj, pushtetarët tanë të babëzitur, pak nga pak, ashtu si pa u ndier, po e kërkojnë të keqen vetë, po kruhen vetë për sherr a për diçka tjetër edhe më të keqe, me një fjalë po u ha koka për brirë, ajo kokë, e madhe apo e vogël qoftë (pra, trapez apo karotë), që ata nuk po e çajnë fare për popullin e mjerë shqiptar, njëri nga proverbat e të cilit është “Mos u mbaj se je, mos u mbaj se ke!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura