Vendimi për negociatat/ Rama: Macron e ka shprehur kundërshtimin që në fillim. Pas 18 tetorit dielli do lindë sërish, jo për Berlinin, por për shqiptarët

Oct 15, 2019 | 13:44
SHPËRNDAJE

2015157_vucic-rama-ns-tanjug-tanja-valic-1_ff

Kryeministri Edi Rama tha sot se Presidenti i Francës e ka bërë me qartë që në fillim kur ka marrë detyrën kundërshtimin e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian, por edhe pse deri më 18 tetor kur do të mësohet përfundimi i kësaj odiseje, askush nuk e di se si do jetë përfundimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kundërshtimi për zgjerimin e BE nuk është kundërshtim për Shqipërinë në vecanti tha Rama, ndaj edhe vendimmarrja e BE nuk lidhet me atë që është bërë apo jo në Shqipëri.

Sidoqoftë, shefi i qeverise paralajmëroi se të nesërmen e 18 tetorit, dielli për shqiptarët do lindë përsëri e do vijojnë në rrugën e reformave dhe shtetbërjes.

“Vijon intensivisht debati brenda Bashkimit Europian për një vendim të dakordësuar mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tanimë dihet edhe botërisht edhe ajo çka unë e kam ndarë prej kohësh këto ditë, shumica dërrmuese e shteteve anëtare duan çeljen e menjëhershëm të negociatave për anëtarësim me të dyja vendet, edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë e Veriut,  pa kushte.

Gjermania, e cila sot udhëheq frontin e “PO”-së, ka zgjedhur një pozicion të ndryshëm nga ai i shumicës së vendeve anëtare. Ajo e ka lidhur “PO”-në me disa kushte, të cilat janë të arsyeshme për ne dhe jo të parëndësishme për të afruar Francën dhe dy a tre vendet që deri sot janë në pozicion të pafavorshëm lidhur me pritshmërinë tonë. Franca dhe ato dy a tre vende nuk kanë dalë sidoqoftë ende në një pozicion përfundimtar dhe siç është plotësisht e mundur, të mos lëvizin deri në fund nga pozicioni i tyre, nuk është krejt e pamundur që të pranojnë një vendim kompromisi.

Presidenti i Francës ka një vizion dhe qasje publikisht të shpallur prej ditës së parë të zgjedhjes së tij, për një reformim të thellë të Unionit, përpara sesa të vazhdohet me zgjerimin e Bashkimit Europian. Emanuel Macron nuk është i gatshëm të shtyjë më fort integrimin e europian të Ballkanit Perëndimor, pa shtyrë më parë reformimin e vetë Unionit. Kjo qasje e Francës është konceptualisht e shpërputhur nga qasja tradicionale që karakterizon frontin e “PO”-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Por ka shumë rëndësi të kuptohet se kjo nuk është kurrsesi një qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vetvete, apo perspektivës së Ballkanit Perëndimor në tërësi.

Asgjë nuk mund të përjashtohet deri në minutën e fundit, sidoqoftë dhe njëkohësisht, askush nuk duhet ta harrojë sesa shumë patate të nxehta janë këto ditë në tryezën e Bashkimit Europian, që nga BRXIT deri tek të rejat e fundit nga fronti i luftës në Siri,  që do të diskutohen pikërisht në të njëjtën ditë, 18 tetor.

Megjithatë fjala e fundit nuk është thënë ende dhe përpjekjet intensive të këtyre ditëve deri në mbledhjen e Këshillit të Unionit, ku do të merret edhe vendimi, synojnë të përputhin qëndrimet e të dyja anëve në pritje të një rezultati të bisedimeve mes Gjermanisë dhe Francës, që janë kyç. E dini të gjithë besoj se në atë Këshill, vendimet merren me konsensus. Mjafton që një vend të thotë “JO” për të rrëzuar “PO”-në e gjithë të tjerëve. Unë nuk e di sot, askush nuk e di në fakt, sesi do të përfundojë kjo odise në datën 18 tetor. Por ja çfarë di me siguri dhe dua të ndaj me ju sot.

E para, përtej tërë spekulimeve, gënjeshtrave dhe broçkullave për konsum të brendshëm politik në Shqipëri, vendimmarrja e 18 tetori s’ka asnjë lidhje me çfarë kemi bërë, apo s’kemi bërë ne, për të merituar ‘PO’-në. Kaq e vërtetë kjo, sa është e vërtetë, sikur sot, në vendin e Shqipërisë dhe Maqedonisë  të ishin dy vende të tjera që janë pjesë e BE-së, situata e tyre do të ishte po njësoj, pa asnjë ndryshim, sepse – dhe këtu vijmë te e dyta, – vendimmarrja ka lidhje thelbësore me çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë ata, anëtarët e Unionit mes veti me reformën e BE-së dhe me metodologjinë e negociatave me  vendet kandidate dhe mesa do ta arrijnë mes tyre të dakordësohen mbi faktin se cilado qoftë reforma e BE-së, ajo nuk duhet t’i pengojë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi të vazhdojnë reformat e tyre, falë procesit të negociatave.

E treta, ne kemi arritur të bëjmë më shumës sesa thjesht detyrat e shtëpisë, për të cilat Komisioni i ka dhënë Këshillit rekomandimin për çeljen e negociatave pa kushte, sepse me forcën e diplomacisë dhe falë marrëdhënieve të forta të respektit dhe besimit që kemi krijuar në Berlinin zyrtar ia kemi dalë të kapërcejmë pengesën e lartë që u ngrit në Bundestag, edhe si pasojë e planit politik kundër negociatave, që vuri në zbatim opozita jashtëparlamentare nga janari deri në fund të qershorit. Falë komunikimit intensiv dhe të sinqertë, edhe me faktorë të rëndësishëm në CDU/CSU dhe falë mbështetjes së tyre për Shqipërinë, Bundestagu i tha “Po” Shqipërisë dhe sot, Gjermania është avokati ynë i madh në këtë proces shumë të komplikuar.

Për pak ditë do të mësojmë përfundimin e këtij kapitulli të vështirë të historisë dhe të përpjekjes sonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Por, cilido qoftë ai përfundim, të nesërmen e mbledhjes së Këshillit Europian, dielli do të lindë përsëri dhe dita do të jetë vazhdimi i natyrshëm i kësaj përpjekjeje historike shtetbërjeje europiane drejt Europës dhe Shqipërisë europiane që duam për fëmijë tanë, jo për Brukselin, jo për Berlinin, jo për Parisin, jo për Bashkimin Europian, po për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjeneratat e tjera”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura