“Vendi juaj i punës varet nga merita dhe jo nga…”- Rama prezanton buxhetin për Arsimin: Kemi bërë mbrojtjen e mësuesve nga forca e ryshfetit dhe politika

Nov 13, 2021 | 11:07
SHPËRNDAJE

Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për Arsimin, njoftoi objektivin maksimal të qeverisë gjatë mandatit të tretë në lidhje me pagat e mësuesve. Rama theksoi se ky objektiv konsiston në faktin që rritja e pagave për arsimtarët të kapë shifrën e 40%.

Gjatë fjalës së tij kryeministri vlerësoi dhe punën e bërë në lidhje procesin e rekrutimit të mësuesve, ku sipas tij ky sistem është tashmë i konsoliduar dhe bëhet në bazën e meritokracisë dhe jo lidhjeve politike e farefisnore.

“Faleminderit për pjesëmarrjen në këtë takim ku duam të ndajmë me ju disa aspekte të buxhetit të vitit 2022, por edhe përtej buxhetit si shifra dhe projeksione financiare. Për të shfrytëzuar këtë moment për të ndarë së bashku sfidat që kemi qoftë në funksion të këtij mandati të tretë, qoftë në përmbushjen e objektivave për vitin e ardhshëm. Nuk dua të zgjatem shumë në aspektin e shifrave, por dua të theksoj se në projektbuxhetin e vitit 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit. Mandati i tretë është që pagat të rriten edhe 32%, por mundësisht të realizojmë dhe rritjen deri në 40%. Kjo lidhet dhe me atë çka ne nuk e dimë dhe mund të na shfaqet përpara. Tani jemi të gjithë të vetëdijshëm sa impaktojnë në jetën tonë ngjarje që janë jashtë parashikimeve tona dhe sjellin ndryshim të planeve. Patën një tërmet jashtëzakonisht të fortë, jo vetëm në impaktin e familjeve të prekura por edhe në buxhetin e vendit. Patëm një pandemi që edhe ajo pati impaktin e vet, por ne do të vijojmë drejt objektiva tanë maksimal. Mesatarja e pagës bruto të mësuesve është shumë më i lartës sot se sa kur ne filluam bashkëpunimin së bashku.

Edhe viti i ardhshëm do të ketë një rritje të pagës, po ashtu dhe viti pasues do të jetë i njëjtë, në aspektin e rritjes së pagës për ju. Vlen të theksohet po ashtu dhe rritja e mbështetjes së buxhetit për Arsimin, siç është transporti që mbetet problematik në jetën e atyre mësuesve dhe nxënësve të cilët duhet të lëvizin në një distancë të caktuar nga vendbanimi i tyre. Thënë të gjitha këto, padiskutim që nuk e diskuton njeri që sot është hedhur një bazë e fortë në mbrojtjen e mësuesve nga politika dhe forca e ryshfetit. Gjë që ka qenë një konstante e pandryshueshme për vite të tëra deri në momentin që është konsoliduar sistemi i ri i rekrutimit të mësuesve. Nga njëra anë që mësuesit të mos spostohen pa pritur e pa kujtuar nga tekat e atyre që thashë më parë dhe për tu dhënë një garanci që puna e tyre varet nga merita dhe jo nga lidhjet farefisnore”, tha Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura