Veliaj: Unë kryetar i PS? Më pyesni pas 20 vjetësh…

Sep 1, 2015 | 21:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi dje se do të rikthejë planin e Edi Ramës për qendrën e Tiranës. I ftuar në emisionin e “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në “News 24”, Veliaj ka folur për raportet me aleatët dhe bashkëpunimin me kreun e qeverisë. Veliaj i pyetur nëse kishte në ambiciet e tij që të ishte kryetari i Partisë Socialiste, u shpreh se ishte i lumtur në punën që bën në Bashki dhe se këtë pyetje mund t’ia ribënte pas 20 vitesh.

Kryebashkiaku i Tiranes Erion Veliaj ne televizionin "News24"
Kryebashkiaku i Tiranes Erion Veliaj ne televizionin “News24”

A është problem trafiku?

Sigurisht që është problem. Pyetja më e mirë është si do e zgjidhim? Dhe ka disa mënyra: Së pari, do të fillojmë menjëherë me parkimet te parku ‘Rinia’ dhe te stadiumi ‘Qemal Stafa’. Do të vëmë në eficiencë Qendrën e Kontrollit të Trafikut, do të riaktivizojmë kamerat, por edhe sinjalistikat për të kontrolluar shumë prej semaforëve të Tiranës. Ndërkaq, ka makina që bëjnë furnizimin në radhë dyshe. Së shpejti, do të nxjerrim një urdhërese të re, që furnizimi i minimarketeve të ndodhë vetëm natën, ku qyteti ka më pak trafik. Por, të bllokosh një rrugë të tërë se në një minimarket do të lësh vetëm një koli me ujë, kjo nuk ka sens. Kostoja e madhe që i jep, sidomos trafikut në mëngjes, kur njerëzit shkojnë në punë ose fëmijët mundohen të kapin orarin e shkollës, nuk ka kuptim. Në terminalet e reja, si në terminalin lindor edhe në atë perëndimor, pra në Farkë dhe në kthesën e Kamzës, do të fusim konceptin “Park and ride”. Le të themi, transporti ndërqytetas nga autostrada Durrës-Tiranë do të mbarojë aty dhe nga ky çast mund të marrësh autobusin për të lëvizur brenda Tiranës.

A do ta zgjidhte stacioni multimodal këtë çështje?

Stacioni multimodal është një shaka shumë e shtrenjtë, sepse bëhet fjalë për një tram imagjinar. Nuk mund të ketë stacion multimodal për sa kohë që s’ka një tram prej vërteti.

Stacion multimodal nuk do të thotë vetëm tram apo jo?

 Ai do të ishte një terminal me kosto stratosferike: 70 milionë dollarë që e kishte parashikuar bashkia e vjetër. Dikush propozoi stacion multimodal 70 milionë dollarë, ku në fakt shumica janë pallate, hotele dhe qendra tregtare dhe vetëm një pjesë e vogël është për autobusët. Tani që mbaroi fushata dhe njerëzit u zgjuan nga gjumi 4-vjeçar, të paktën të mos keqcitojnë disa plane. Jo! Ai është një plan pallatesh, hotelesh dhe qendra tregtare me ca autobusë.

Është një projekt i financuar nga “BERZH” dhe “Italferr”…

Duke qenë se e kam përditë në tavolinë e di ekzaktësisht për çfarë po flas.

Mund edhe mos ta kem të saktë, ma thoni…

Konsulentët bëjnë atë që do klienti. Klienti, pra Bashkia e Tiranës, kërkoi hotele, qendër tregtare dhe një vend ku do parkohen ca autobusë. Projekti që ne kërkojmë është një projekt vetëm terminal autobusësh, pa hotele, pa pallate, pa qendër tregtare. Është e njëjta histori si projekti i Bulevardit. Kur i thamë kompanisë angleze se duam një park qendror në mes të Tiranës dhe jo pallate, ata sigurisht pranuan. Në fakt, ata i përgjigjen klientit dhe kur klienti, pra Bashkia e Tiranës, i kërkon park qendror dhe lehtësim të ndërtimeve, që qyteti të marrë frymë, kompania bën parkun, nuk ka rëndësi kush është kompania apo kush e financoi. Këtu ka rëndësi klienti: Sot Bashkia e Tiranës nuk do pallate, por do terminale autobusësh.

Është në idenë tuaj për ta hulumtuar këtë lloj ideje treni, metroja, transporti alternativ?

Metroja është një fjalë me 5 germa, por me 8 zero nga mbrapa. Kështu që duhet të jemi realistë. Një kryetar bashkie që fluturonte me tram fluturues e patëm. Nuk e kam premtuar tramin në fushatë, por nuk mund të them se s’po konsideroj një gjë komplet alternative. Ideja e tramit që lidhte Kinostudion me Kombinatin ishte e mirë sa ishte përrallë, por nuk realizohej sepse janë dy lagje që s’mund të paguajnë bileta nga 5- 7 euro. Kështu që, preferenca jonë ka qenë të bëjmë diçka tjetër, nëse do të kemi mundësi dhe do të marrim financime nga jashtë. Bashkia vetë nuk e përballon dot.

Për sheshin “Skënderbej” ç’plan keni? Do t’i riktheheni planit Rama?

Plani Rama ishte plani më i mirë për qendrën e qytetit, i cili u hartua nga arkitektë dhe ekspertë të jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka sot iluzion që govata që na u servir si shesh ku kullot bar kali i Skënderbeut është simboli ynë kombëtar dhe qendra e kryeqytetit shqiptar. Por, rendi i gjërave që ne kemi propozuar është që fillimisht do të zgjidhim çështjen e unazës së vogël. Kjo është arsye pse kemi filluar sot procesin e shpronësimeve në rrugën e “Barrikadave” me rrugën e “Kazazëve” dhe shumë shpejt do të ecim me unazën e vogël. Kështu që rendi i gjërave është unaza e vogël, pastaj një opsion për të normalizuar trafikun dhe më pas punët në sheshin “Skënderbej”.

A do të ketë ndërtime aty te Liqeni? Të jemi të qartë: në atë zonë që sot mbulohet nga bari nga pemët, pranë Korpusit, a i garantoni qytetarët e Tiranës se ku ka gjelbërim, nuk do të ketë ndërtim?

Në asnjë zonë publike nuk do të ketë ndërtim që prish dhe i merr Parkut të Liqenit. Ama, në një zonë publike ku janë konviktet e Gardës, palestra e Gardës, ku është kuzhina e Gardës, lavanderia, parkingu i Gardës dhe që është një zonë komplet e papërdorur; pra, nga 10 ndërtesa, të kemi një të saktë. Pjesa tjetër, të hiqen të gjithë ato kangjella, t’u rikthehet qytetarëve, të jetë një zonë komplet e hapur, nga diga e liqenit te Garda dhe jo një zonë e rrethuar, e shpallur zonë ushtarake e rëndësisë së veçantë në mes të parkut.

Projekti u quajt hyrja në park, në mos gaboj…

Po, duke qenë se hiqen muret e Gardës. Në fakt, edhe nga mënyra se si trajtohet e gjithë ajo hapësirë e Gardës, pra nga një zonë ushtarake që ti shikon tela me gjemba, kthehet në një zonë të hapur, sigurisht që përbën hyrjen e parkut të Liqenit.

Po me ndërtimet poshtë digës…?

Jemi në gjyq. Por kësaj here Bashkia nuk është palë me ndërtuesin, por me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Deri dje, juristët e Bashkisë shkonin me pronarin e pallatit, sot juristët e Bashkisë shkojnë me shtetin, me qeverinë dhe nuk jemi si dy çeta që luftojnë njëri-tjetrin, por jemi një shtet serioz në të dy anët, edhe në Bashki, edhe në qeveri, dhe do të bëj çmos që ta fitojmë atë gjyq.

A është e vërtetë që po bëni gati dosjen e Lulzim Bashës për në Prokurori?

Di të them që i gjithë stafi i Bashkisë bashkëpunon me Prokurorinë dhe nëse Prokuroria kërkon informacion për këdo zyrtar, stafi është orientuar që të bashkëpunojë me Prokurorinë. Kultura se ne nuk i flasim me gojë, se jemi allnuar me Prokurorinë mbaroi në datën 21 qershor, por unë vetë nuk përgatis asnjë dosje. Nuk jam njeri që merrem me gjëra të tilla. Unë bëj kryetarin e Bashkisë, por nëse Prokuroria kërkon informacion, i kemi dhënë çdo informacion.

Do të ketë spastrime në administratën e Bashkisë?

Nuk do ketë spastrime, për kë është profesionist dhe punon aty prej vitesh. Por nëse doni të dini pse nuk funksionon pastrimi, apo turizmi në Tiranë, ndoshta duhet të kuptoni se drejtorët respektivë kanë qenë njerëz si Ekrem Spahia dhe Pal Dajçi. Nëse ju mendoni se këta janë drejtorët, me të cilët unë do të punoj, më vjen keq t’ju zhgënjej se nuk mund të punoj me këta lloj drejtorësh dhe nuk mund të pretendojnë status të nëpunësit civil krerë të lartë të PD, që s’kanë asgjë të bëjnë me civilen, janë njerëz politikë, s’janë njerëz që kanë ardhur nga administrata. Pra, janë ish-zv.ministra apo kryetarë bashkish të PD, strehuar si drejtorë në bashki. Nëse ju më kërkoni që të rregulloj transportin publik dhe plehrat, s’mund ta bëj me drejtorë të PD. Nëse ju quani këtë spastrim, jam fajtor. Nëse ju quani se kush erdhi politikisht duhet të kthehet politikisht se prandaj shkuan punët në këtë derexhe, atëherë ju falënderoj për mirëkuptimin.

Si e keni bashkëpunimin me përfaqësuesit e LSI, PDIU dhe FRD?

E kam të shkëlqyer, funksionojmë si ekip.

A ka kërkesa për vende pune?

Nuk funksionojmë kështu, funksionojmë si një ekip. Me nënkryetarët funksionojmë si një ekip, me Edi Ramën, Ilir Metën, Shpëtim Idrizin, Bamir Topin funksionojmë si një ekip.

Në një prononcim të Kryeministrit gjatë fushatës elektorale e kam pyetur për ju nëse po ju projekton për në krye të partisë. Ju e keni këtë ide në kokë?

S’e kam fare këtë ide në kokë. Jam aq i fokusuar te kjo punë dhe dua të them se sado e kam shijuar jetën politike, besoj se kjo që po bëj tani është puna më e bukur në botë.

Ju nuk e dini ende se ç’do të thotë të jeni në krye të një partie të madhe siç është PS.

Nuk më josh. Për momentin jam shumë i lumtur te kjo që po bëj dhe as nuk e shpie ndërmend.

Nxituat të thoshit “për momentin”. Më pëlqeu kjo…

Sepse jam i fokusuar te kjo që po bëj. Më pyet pas 20 vjetësh, nuk e di…

Sa ndërhyn Kryeministri në punët e Bashkisë?

Ne bisedojmë, ai ka qenë i fundit kryetar bashkie në Tiranë dhe sigurisht që dua edhe unë në një kohë rekord të informohem.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura