Veliaj: Kemi rritur vlerën e pronës! Ambicia jonë ta bëjmë Tiranën qytetin më të zhvilluar të Ballkanit

Jan 10, 2024 | 12:41
SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi mbrëmjen e djeshme punimet për asfaltimin e segmentit që lidh dy rrugët “Babë Rexha” dhe “Ndre Mjeda” në Njësinë 7. Veliaj u shpreh se ky është një investim i rëndësishëm për rritjen e vlerës së pronës në çdo cep të qytetit.

veliaj reporti

“Kjo ka qenë një lagje me problematikat e viteve të zhvillimit, me ndërtues që nuk i mbaronin pallatet dhe i linin rrugëve. Na është dashur të bëjmë edhe finalizimin e punës, edhe hipotekimin, edhe legalizimin. Tani duhet të bëjmë edhe urbanizimin, ndaj është shumë e rëndësishme që rrugët “Babë Rexha” dhe “Ndre Mjeda” të lidhen mes tyre. Jam i lumtur për cilësinë me të cilën kemi punuar këtu, duke bërë edhe zgarat e shiut, duke mbjellë edhe pemë. Shumë shpejt do të vazhdojmë me ndriçimin në të dyja anët sepse Tirana meriton të rritet me të njëjtën shpejtësi”, tha Veliaj.

Ai tha se Bashkia e Tiranës do vijojë me investimet në shkolla. Veliaj shtoi se vitin e shkuar janë ndërtuar 7 shkolla dhe ambicia është që të bëhen edhe 20 të tjera. Sipas tij, ambicia e bashkisë është që Tirana të jetë qyteti më i zhvilluar në Ballkan. “Detyra jonë është të bëjmë punën sepse në fund mbetet puna. Për sharësit nuk ka vend në histori, por vetëm për punën, për infrastrukturën, për shkollat, për kopshtet, për çerdhet, për pemët, për asfaltin. Ambicia ime është që, në fund të këtij mandati, ne ta lëmë Tiranën si qytetin më të zhvilluar në Ballkan. Parimi është nga Shëngjergji te Njësia 7, nga Njësia 7 në Krrabë, nga Krraba në Ndroq, nga Ndroqi në Kashar, të punojmë me të njëjtën cilësi”, u shpreh Veliaj.

Kur përmendi projektin për zgjatimin e Lanës, ai kujtoi projektin e Unazës së Madhe në Astir, që u zhbllokua vetëm pas tre vitesh me sherr e djegie gomash. Veliaj tha se vepra mbetet, sherret harrohen. “Ne i kemi harruar me sa sakrifica u bënë gjithë ato debate. Kur mendoj për shembull shkollën “Gustav Mayer”, e cila përmbytej, sot e kemi një nga shkollat model. Edhe në botë po reklamohet modeli ynë i shkollave miqësore për fëmijët, ku jo vetëm shkollat e reja janë bërë me këtë standard, por edhe te shkollat e vjetra po krijojmë një brez sigurie, si një lloj parku linear, që rrethon shkollën, ku makinat e ulin shpejtësinë, ka më shumë pemë dhe stola.

Sapo kemi miratuar fazën përfundimtare të projektit të Lanës. Në Njësinë 7 duam të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë nga Materniteti i Ri deri në Shkozë: Lana është me tre korsi, edhe me korsi biçikletash, edhe me korsi parkimi, e gjëlbëruar dhe nuk ka më përmbytje si dikur. E njëjta gjë do të ndodhë për pjesën që prek Njësinë 7, duke filluar nga Pallati me Shigjeta, deri pastaj ku ndahet me Astirin dhe Kasharin, poshtë autostradës. Duam të vazhdojmë kështu deri në zonën e Yzberishtit, prandaj na duhet bashkëpunim”, shtoi ai.

Veliaj sqaroi edhe zgjidhjen e gjetur për banorët. “Bashkia e ka tashmë një tokë ku do të ndërtojë pallatet për të strehuar banorët që kanë ndërtuar në shtratin e lumit të Lanës. Në një vend normal kjo nuk do të ndodhte, por ky vend dhe kjo qeveri e majtë, ky kryeministër i majtë, kjo bashki e majtë, beson tek solidariteti. Ndodhi çfarë ndodhi në vitet ’90, tek Lana, tek Bregu i Lumit, iku ajo kohë.

Nuk e kthejmë dot kohën pas. Por, ajo që do të bëjmë është një trajtim social të të gjithë atyre banorëve që, për një arsye ose një tjetër, banojnë në shtratin e Lanës. Në Polin e Drejtësisë, pjesa e tokës mbrapa KLGJ-së edhe KLP-së, është një tokë bashkiake, do të jetë Bashkia ajo që do të ndërtojë pallatet, ndaj banorët do të duhet të largohen nga Lana, jo për fiksimin tonë, por sepse qyteti ka nevojë. Qyteti nuk është i kryetarit të bashkisë, është i të gjithëve. Ashtu si Astiri zhbllokoi një potencial të jashtëzakonshëm, ashtu edhe Lana do të zhbllokojë një potencial të jashtëzakonshëm. Mjafton të bësh një xhiro me skeptikun më të madh, nga Materniteti i Ri deri tek ish Uzina e Autotraktorëve, për të parë se çfarë potenciali ekonomik është zhvilluar aty”, tha ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se Bashkia e Tiranës e ka mbajtur fjalën për banorët e lagjes së re te “5 Maji”, po ashtu edhe në Kombinat. “Bashkia e ka mbajtur premtimin te “5 Maji”, po mbarojnë edhe pallatet në Kombinat. Do ta mbajmë premtimin edhe tek Lana. Banorët aty do të duhet të respektojnë një rregull për ta liruar Lanën, që ne ta bëjmë këtë investim. Besoj fort se Njësia 7 do të jetë njësia që do të përfitojë më shumë nga rritja e vlerës së pronës, por edhe nga aksesi, do të ketë edhe autostradën, edhe unazën. Komunikimi ynë me banorët do të jetë në këtë aspekt. Bashkia ka tokën, bashkia ka financat. Bashkia do të bëjë tek Fusha e Aviacionit, pas Polit të Drejtësisë, pallatet e reja të dedikuara për banorët që jetojnë tek Lana. Fondi është dhënë nga Banka Europiane e Investimeve, çka për ne është një fat i madh”, u shpreh ai.

Veliaj ftoi administratorët e pallateve dhe banoret të bashkëpunojnë për punët e mira që bëhen në qytet. “E di që jetojmë në një kohë polarizimi politik. Më vjen keq që edhe 2023-shin e mbyllëm me ndarje dhe përçarje në Këshillin Bashkiak. Ky asfalt është si për të majtët, edhe për të djathtët. Kjo pema këtu do të bëjë hije si për të majtë, si për të djathtë. Nuk e di kush banon në këtë pallat, por e sigurt që i është rritur vlera të gjithëve njëkohësisht nga investimi.

Nuk e di kush i ka këto dyqanet, por fakti që kur filloi puna e deri tani, shumica janë shitur, ose janë dhënë me qira. Do të thotë se Tirana po rritet dhe po zhvillohet, po fiton edhe ai që shan nga divani, edhe ai që shpif në televizor, edhe ai është bërë më i pasur se jeton në një qytet më të pastër, një qytet me më shumë infrastrukturë”, tha ai.

Në fund, Veliaj ftoi qytetarët që të aplikojnë te Fondi i Komunitetit për të sistemuar pallatet e vjetra, qoftë në rregullimin e fasadës, qoftë në veshjen me kapotë për efekt kursimi të energjisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura