Nuk pranoni të jepte dorëheqjen, burri i ministres Delinda Ibrahimaj goditi me thikë drejtorin e ATK-së në mes Tiranës! Ngjarja u mbajt 5 muaj e fshehur

Apr 27, 2024 | 7:46
SHPËRNDAJE

Një zyrtar i lartë i shtetit është kërcënuar, përndjekur dhe plagosur me thikë pse nuk pranonte të jepte dorëheqjen nga posti i drejtorit të një drejtorie.

Delinda Ibrahimaj-1

Personi që ia kërkonte largimin nga detyra ishte pikërisht burri i ministres së Shtetit, e cila në fakt më herët ka qenë ministre Financash. Drejtori i sulmuar, i shantazhuar dhe u plagosur ka shkuar në polici, ka bërë kallëzimin dhe më pas i është drejtuar spitalit. Ngjarja ka ndodhur me 20 nëntor.

Kallëzimi është bërë po atë ditë dhe po atë ditë i plagosuri ka mbërritur në spital. Por, asnjë informacion nuk u dha në media as nga policia dhe aq më pak nga prokuroria apo instanca të tjera. Dje, të dhënat e asaj ngjarjeje në kufijtë e skandalit i bëri publike media ‘Newsbomb’, ndërkohë që i menjëhershëm ishte reagimi i ministres, gruas së agresorit, i cili nuk është hetuar fare nga Prokuroria e Tiranës!

“Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj (ish-ministre e Financave), ka goditur disa herë me thikë drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK). Mësohet se Ibrahimaj e shantazhonte drejtorin e ATK-së, Eri Koshaj prej një kohe të gjatë, madje e kërcënonte për të dhënë dorëheqje si dhe e përndiqte.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Pazarit të Ri” ku mësohet se Ibrahimaji i kishte zënë pritë Koshajt. Një ngjarje në përmasat e skandalit ka ndodhur mëngjesin e datës 20 nëntor 2023, në mes të Tiranës, por që është mbyllur nga përfshirja e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme shtetërore. Sigurisht, autori i goditjeve me thikë është burri i një ministre.

Rasti është kallëzuar dhe në Policinë e Tiranës, në Komisariatin Nr.1 nga Eri Koshaj, por institucionet kanë heshtur. Me kërcënime dhe ndërhyrje të shumta “nga lart”, kallëzimi i Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave është pluhurosur në sirtarë. Prokuroria e Tiranës ka marrë materialet procedurale të referuara nga blutë e kryeqytetit, por ka vendosur që të pushojë çështjen. Nga ndikimi dhe influenca e fortë e njerëzve të përfshirë në ngjarje vetëkuptohet dhe vendimi i organit të akuzës.

Në ekzaminimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryer nga mjeku ligjor Harallamb Martopullo provohet se në trupin e shtetasit Eri Koshaj janë konstatuar dremishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet prerës. Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht”, thuhet në shkrimin e NewsBomb.

KËRCËNIMI

Arsyeja e këtij konflikti që degjeneroi deri në përdorimin e thikës nga ana e burrit të ministres socialiste, Andri Ibrahimaj, është pikërisht posti që mban Eri Koshaj si drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Atij i është kërkuar vazhdimisht të japë dorëheqjen, gjatë kohës që bashkëshortja e Andri Ibrahimaj drejtonte Ministrinë e Financave.

Agjencia e Trajtimit të Kredive është një institucion në varësi të kësaj ministrie dhe shtetasi Eri Koshaj nuk ka pranuar që të largohet pas presioneve dhe kërcënimeve. Një tjetër detaj që thellon skandalin ku është përfshirë Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj. Ky shtetas i ka kërkuar vazhdimisht Eri Koshaj që të jepte dorëheqjen sepse drejtor do të emërohej një shok i tiji.

Pra, burri i ministres Delina Ibrahimaj duket se de fakto drejtonte Ministrinë e Financave, sepse vendoste se kush do të emërohej dhe kush do të largohej nga detyra. Përndjekjet ndaj shtetasit Eri Koshaj janë shtuar përgjatë muajve dhe mëngjesin e datës 20 nëntor 2023, Andri Ibrahimaj sapo e ka parë duke kaluar në rrugë ka dalë nga lokali ku ndodhej, duke shkuar drejt Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive.

Aty e ka kanosur dhe ofenduar me fjalë fyese, ndërsa ka tentuar dhe ta çojë drejt një ambienti tjetër privat për “t’u sqaruar”. Kur drejtori nuk ka pranuar, referuar dhe kallëzimit të depozituar në Komisariatin Nr.1 në Tiranë, burri i ministres ka nxjerr nga brezi një mjet në dukje prerës dhe e ka qëlluar në pjesën e brinjëve dhe të fundshpinës. Këto goditje ndaj drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive janë provuar dhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

NGJARJA U FSHEH

Interesante është dhe ajo që ka ndodhur pas kësaj ngjarje. Andri Ibrahimaj është larguar menjëherë nga Shqipëria, e provuar kjo dhe nga sistemi TIMS. Nga frika se mos rasti bëhej publik dhe ai arrestohej, burri i ministres Delina Ibrahimaj ka vendosur të ikë nga vendi atë periudhë. Shteti është vënë në dispozicion të tij. Ngjarja është tentuar të fshihet dhe Eri Koshaj është kërcënuar që të mbyllë gojën.

Ai është shkarkuar nga posti i Drejtoritë të Përgjithshëm në Agjencisë e Trajtimit të Kredive, institucion në varësi të Ministrisë së Financave që sot drejtohet nga Ervin Mete, dhe asnjë institucion nuk ka marrë masa për një sulm fizik në përmasat e skandalit. Pjesë në këtë shkarkim ka dhe vetë ministrja Delina Ibrahimaj, e cila edhe përse është larguar nga Financat ka aty të gjithë stafin që ka emëruar në vite dhe bën ligjin.

Ashtu siç u tentua dhe me drejtorin e ATK-së, por ky i fundit nuk pranoi të largohej për t’ia lënë postin shokut të burrit të ministres. Punë ka, por dhe profesionistë po! Ama në Shqipëri ka një rregull të pashkruar që nuk të lënë të punosh kur je i aftë”!

REAGIMI I MINISTRES PËR BURRIN

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj reagoi pas publikimit në media të lajmit se bashkëshorti i saj ishte përfshirë në një konflikt fizik me drejtuesin e një institucioni nën varësi të Ministrisë së Financave në periudhën që kjo ministri drejtohej nga zonja Ibrahimaj. Ndonëse pranon ngjarjen, Ibrahimaj thekson se konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit të saj dhe se ngjarja është hetuar nga organet e drejtësisë pas padisë së bërë nga pala tjetër.

Sipas saj, hetimet janë pushuar për mungesë provash. Ibrahimaj thotë se ajo e ka ndaluar bashkëshortin të bëjë kallëzim. Jam e keqardhur që 5 muaj pas një konflikti të padëshiruar, i cili ka kaluar në rrugën e drejtësisë dhe ka marrë përgjigje po në atë rrugë, sot më duhet të jap shpjegimin tim. Nuk kam asnjë arsye të fajësoj askënd lidhur me publikimin e këtij fakti, por kam detyrimin të sqaroj elemente që e bëjnë të plotë vërtetësinë e tablosë së ngjarjes.

Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën.

Një element tjetër lehtësisht i provueshëm është se pavarësisht dinamikës së ngjarjes dhe faktit që bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për diçka që nuk e ka bërë, ashtu si konfirmohet nga vendimi i organeve të akuzës, pala kallëzuese ka vijuar të qëndrojë në vendin e punës edhe pas largimit tim nga funksioni i Ministres së Financave dhe Ekonomisë 7 muaj më parë. Nuk besoj se është e nevojshme në këtë pikë, por po sqaroj sidoqoftë se nuk kam pasur asnjë konflikt me kallëzuesin gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në atë detyrë, siç nuk kam pasur asnjë konflikt me asnjë person në varësinë time.

Ky fakt besoj e thotë vetë të vërtetën që konflikti në fjalë, nuk ka pasur asnjë lidhje me mua apo detyrën time. Padyshim do të kishte qenë me e mira që të mos kishte ndodhur, por nganjëherë zhvillimet e padëshiruara në marrëdhëniet me të tjerët na zgjedhin, nuk i zgjedhim. Por e përsëris që kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore, me funksionet e institucionit që kam drejtuar dhe me mua personalisht.

Ndërkohe e mirëkuptoj me keqardhje faktin se pikërisht për shkak të detyrës dhe angazhimit tim publik, një ngjarje e 5 muajve të shkuar bën sot lajm për arsye që nuk janë në tagrin tim institucional t’i komentoj. Ndjesë kujtdo që mund të jetë shqetësuar nga ky lajm, por kushdo të jetë i bindur se s’ka asnjë të vërtetë tjetër nga sa rendita më lart.

“Më kërcënonte dhe përndiqte të dorëhiqesha”

Në një material të shpërndarë për mediat shihet se policia ka dokumentuar një fakt ku fiksohet se: Në dt.21 nëntor 2023 është paraqitur shtetasi Eri Koshaj te komisariati nr.1 në kryeqytet dhe ka bërë kallëzim penal ku ka thënë se burri i ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimajt, e ka goditur me thikë në trup. Drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Kredive ka marrë një goditje me mjet prerës nga Andri Ibrahimaj, por fatmirësisht pa pasoja serioze. Policia thotë se është referuar në Prokurorinë e Tiranës vepra penale “goditje për shkak të detyrës” ndaj Andri Ibrahimajt.

Koshaj ka thënë para oficerëve të policisë se kishte konflikte të hershme me Ibrahimajn pasi, ky i fundit, i kërkonte të dorëhiqej nga detyra e drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Përplasja mes të dyve mësohet se ka nisur që nga koha kur Delina Ibrahimaj mbante detyrën e ministres së Financave dhe Ekonomisë. Pas marrjes së denoncimit prej tij, policia është vënë në ndjekje të Andi Ibrahimajt, i cili nuk është gjetur në banesë. Por, pas disa ditësh thuhet se është bërë shoqërimi i tij.

Burimet bëjnë me dije se ka qenë Prokuroria ajo që ka kërkuar nga policia që Ibrahimaj të hetohej në gjendje të lirë, për shkak se zanafilla e ngjarjes dhe goditja e Koshajt ishte bërë për shkak të detyrës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tefta Pashko”, pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet, në orët e paradites së datës 21 nëntor të vitit të kaluar. Andri Ibrahimaj i kishte zënë “pritë” Koshajt dhe pas përplasjes verbale, ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar në pjesën e shpinës, siç thuhet edhe në raportin mjekoligjor. Mësohet se Eri Koshaj nuk ka marrë trajtim mjekësor në spital, por në aktekspertimin mjekoligjor thuhet se ai ka marrë goditje nga një mjet prerës.

EKSPERTIZA MJEKO-LIGJORE

Siç u mësua pas daljes së informacionit se burri i ministres së Shtetit ka plagosur me thikë një drejtor drejtorie pse ai nuk pranoante të jepte dorëheqjen nga posti, u mësua se Prokuroria e Tiranës e kishte pushuar hetimin ndaj bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj. Pushimi i çështjes ka ndodhur pasi agresori kishte ikur nga Shqipëria, menjëherë pasi ka mësuar se i plagosuri kishte shkuar në polici dhe kishte bërë kallëzim për të. Sipas të dhënave të shumta që pasuan skandalin u mësua se ngjarja ka ndodhur 5 muaj më parë në Tiranë në rrugën “Tefta Tashko Koço” në zonën e ‘Pazarit të ri’ më 20 nëntor 2023.

Andri Ibrahimaj është denoncuar në polici nga shtetasi Eri Koshaj me pretendimin se është kërcënuar dhe qëlluar me thikë nga burri i ministres. I dëmtuari Eri Koshaj në kohën kur ka ndodhur konflikti ka pasur detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, institucion në varësi të Ministrisë së Financave. Sipas burimeve nga prokuroria i dëmtuari në dëshminë e tij ka pretenduar se burri i ministres ka nxjerrë nga brezi një mjet në dukje të mprehtë dhe e ka qëlluar në pjesën e brinjëve dhe të fund shpinës.

Këto goditje ndaj drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive janë provuar dhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore thuhet se provohet se në trupin e shtetasit Eri Koshaj janë konstatuar dremishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet mprehës. Policia bëri me dije se blutë e kryeqytetit kanë referuar materialet në prokurori në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Prokuroria e Tiranës ka marrë materialet procedurale të referuara nga policia, por ka vendosur më pas që ta pushojë çështjen.

Ende nuk dihet zyrtarisht shkaku i konfliktit, ndërsa burime nga Prokuroria thonë se i dëmtuari pretendon se ka ndodhur për shkak të detyrës që ai mbante dhe se burri i ministres Ibrahimaj i kërkonte të jepte dorëheqjen.

Koshaj është shkarkuar nga posti i Drejtoritë të Përgjithshëm në Agjencisë e Trajtimit të Kredive, institucion në varësi të Ministrisë së Financave që sot drejtohet nga Ervin Mete. Ndërsa Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura