Vasilika Duli: Një pianiste e verbër në Universitetin e Arteve

Jan 7, 2013 | 13:53
SHPËRNDAJE

Për 21-vjeçaren nga Elbasani nuk ka qenë e lehtë të ndjekë ëndrrën e saj. Vështirësitë e saj dhe të familjes për të tejkaluar mentalitetin shtypës, mangësitë fizike dhe ato financiare

Vasilika Duli, 21-vjeçarja nga Elbasani, është nga të paktat vajza të verbra që vazhdojnë studimet e larta për muzikë. Ajo studion për Piano. “Edhe pse nuk shoh fare, e kam pasion pianon dhe do të bëj të pamundurën që ajo të më ndjekë pas gjatë të gjithë jetës sime”. Vasilika ka lindur e verbër, ajo nuk sheh asgjë, veç një hijeje të lehtë, por mund të të njohë fare mirë nga zëri, nga lëvizjet. “Është një vajzë inteligjente, edhe pse sytë e saj nuk shohin, ajo sheh me shpirtin e saj”, thotë Sanda, nëna e Vasilikës. Ajo ka lënë familjen këtu në Elbasan dhe ka vendosur të ndjekë vajzën e saj në këtë rrugëtim. “Kemi marrë bashkë një banesë me qira në Tiranë dhe çdo mëngjes e çoj Vasilikën në shkollë. Në mesditë shkoj e marr. Jetojmë të dyja, ndërsa bashkëshorti dhe dy fëmijët e tjerë jetojnë këtu, në Elbasan, ndërsa ne vijmë çdo fundjavë këtu”, shton e ëma. Vasilika i ndoqi mësimet e shkollës fillore dhe 8-vjeçare në Institutin e të Verbërve në Tiranë, atje arriti rezultate të shkëlqyera dhe pikërisht në këtë shkollë ajo kuptoi se dhuntia dhe pasioni e çonin te pianoja.
“Më pëlqente të luaja në piano ‘Për Elizën’, ndërsa kompozitori më i dashur për mua është Bach. Më pas vendosa të konkurroj në shkollën artistike ‘Onufri’ në Elbasan, fitova, por e kam ndier veten të fyer. Stafi i shkollës nuk donte që unë të studioja atje, pasi isha e verbër”, shton Vasilika. Gjithsesi, ajo mundi të përfundojë shkollën e mesme, sërish me rezultate të larta dhe ëndrra e saj u realizua, kur arriti të fitojë për Piano në Akademinë e Lartë të Arteve. “Një ëndërr që Zoti ma plotësoi… M’u duk sikur më dhanë sy, kur më thanë se kisha fituar. Nuk kërkoja më asgjë, vetëm të nisja studimet”. Familja e Vasilikës punon thuajse vetëm për të. “Babai im më ka ndihmuar shumë. Nganjëherë më duket se ai punon vetëm për mua, duke lënë mënjanë motrën dhe vëllain tim. Më bleu pianon, si edhe printerin, ku mund të shkruaj leksionet e mia në formatin braj. Mësoj me mollëzat e gishtave. Kjo kërkon shumë punë, por edhe shumë shpenzime. Më pas më duhej të shkoja në Greqi për të shkruar partet e studimeve në piano. Sërish shpenzime për familjen time, dhe nuk e di se sa do të zgjasin këto”, shprehet Vasilika.
Asaj nuk i mungon asnjë gjë që të jetë si të gjitha shoqet e saj. Del me mikesha, është e këndshme në biseda, kompjuteri i saj është me program zanor, ajo ka gjithçka, veç dritës së syve.
“Kam marrë pjesë në shumë koncerte, ku i bie pianos, miqtë e Shoqatës së të Verbërve më ndihmojnë shumë, dhe unë i falënderoj. Tashmë e vetmja gjë që dëshiroj, është të mbaroj studimet e masterit në piano, pasi jam në vitin e parë e më pas të nis një punë, pasi kam dëshirë që të kontribuoj edhe unë në familjen time. Të paktën, të mund të shlyej pak nga ato shpenzime që prindërit e mi kanë bërë për mua. Me të vërtetë jemi disi të varfër, por gjithsesi jemi të pasur në shpirt, dhe Zoti do të na e shpërblejë këtë sakrificë”, përfundon Vasilika, e cila nis të studiojë si çdo ditë për më shumë se pesë orë mbi piano.

MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura