Vaçe Zela s’do mungojë në rreshtat tanë epikë

Feb 8, 2014 | 13:05
SHPËRNDAJE

MYSLIM PASHA

  Ishte viti 1962, verë e bashkësisë së skënderbegasve në kampin e fushimit të Karpenit. Kishim zbritur në mes të korrikut. Vinim nga pushimet verore prej fshatrave tona të humbura, të thella dhe të largëta. Kishim ardhur këtu, kundruall detit, me rreshtimet tona pa mbarim, me boritë që na thërrisnin për në det, me ngjitjen në Kalanë e Turrës, ku thuhej se ish Epidamni i lashtë, me pasditet e futbollit, lojërat dhe këngët tona të shpirtrave shtatëmbëdhjetëvjeçarë.
  Petrit Dumja shfaqej paradite dhe më shumë se sa inspektonte, futej mes nesh e… pastaj, në fushë të futbollit. Një stil dhe standard ushtarak, me epikë të përditshme, por edhe me një lirikë të ruajtur në fshehtësi të mistershme zemrash mbinte te ne.
  Ne këndonim këngë rreshtore, shumica e të cilave vinin nga kampi i Lindjes komuniste, nga Bashkimi Sovjetik:
“Dielli hyri para malit
Gjë nuk duket erdhi natë e zezë sterrë
Që nga lufta vijnë ushtarët sovjetikë…
Luftë, konflikte, armiq, rrethime… ishin gjymtyrët e jetës në të cilën gjallonim. Dhe ja një ditë gjeneral Dumja solli një vashë të re me kitarë, që vinte nga gjelbërimi dhe briza myzeqare, vinte nga dheu i pëlleshëm i Muzakisë së hershme, vinte nga një zë farfuritës dhe nga një dridhmë e thellësisë, e mbushur me melodi që gjallonin dashurinë.
  Në fushimin epik të Karpenit kish ardhur Vaçe Zela, që ndofta duhet të ishte jo më shumë se 19 vjeçe. Nuk mund të kish ngjarje më të bukur dhe më shkrepëtimëse për ne… që prirej të përqasej me inspektimin e gjeneralëve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e të tjerë… Ja tek u mbush sheshi, ja skënderbegasit me yje epikë, të kohës, radhë-radhë, në qetësi si pjesë të një universi rinor që shpesh kolegjet ushtarake me shtrëngesën e tyre shkaktojnë dhe traumë, ku engjëjt shpesh vishen me uniformë, ku zemrat tona shungullonin ca ëndrra me kushtrim burish e sulmesh që s’erdhën kurrë…
  Vasha po ngjitej në një skenë të thjeshtë tavolinash dhe stolash të sajuar…, ngjitej duke hapur një buzëqeshje e cila ishte dukshëm e shfaqur, çka ka mbetur në kujtesë…, dhe ne heshtnim në disiplinën ushtarake, duke pritur të vinte ajo buronjë… Kish në krahë një kitarë që nxori një tingull spontan prej zgjimi të bukur. Pastaj u afrua në aparatet e dikurshëm të fonisë dhe duke iu drejtuar detit, na thirri me këngën e saj si pjesë e jona, si pjesë e arbrit. “Në një arë, në një lëndinë…
  “Në një arë, në një lëndinë…
Ah po unë e mjera!”.
  U ngjethëm prej zërit, u përpimë prej melodisë. Dëgjoi dhe dallga e përjetshme, dhe Kalaja e Turrës përsipër. Vaçe Zela ishte e moshës sonë, e hullisë së këngëzimit të rrënjës, kish ardhur për të na zbutur, për të na qetësuar, diçka si ardhje e një engjëlli që ka ngelur në kujtesë. Ajo ndërfutej së brendshmi në telajon e një pikture të mezipritur për ta parë, një pasqyrim i pandërprerë komunikimi që u jepte dritë ditëve që duhet të vinin.
  duhet të vinin. Nuk donim t’i lëndonim ato çaste ku ajo aromë mahnitëse na shkundte dhe na përkëdhelte. Ishte motra jonë që këndonte, ajo që gjurmonte lakoren në brinjët e dobëta të Shqipërisë, që thyente prapambetjen dhe sillte lirizmin për të cilin ne kishim po aq nevojë sa edhe rreshtat historikë nën armë të rënda. Vaçe Zela sapo kish filluar të këndonte në Estradën e Ushtarit.
  Aty do të fillonte karrierën e saj të madhërishme. Po nuk mund të harrohet shfaqja e parë, atje në Karpenin e fushimit të zemrave të skënderbegasve. Ajo nuk do të mungojë në rreshtat tanë të rrënjës dhe epizmit arbëror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura