Ultimatumi i Moxhit, zbardhet lista e lojtarëve me valixhe në dorë

Nov 6, 2017 | 18:40
SHPËRNDAJE

Pas humbjes me Kamzën, Luçiano Moxhi në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” shprehet se fati i trajnerit Mark Iuliano do të vendosjet pas takimit të mëngjesit të së dielës me presidentin Gaz Demi. Ky takim ka rezultuar fatal për ishmbrojtësin e Juventusit, pasi nuk do të jetë më në krye të “demave”.

moxhi

Në prononcimin e dhënë për “Supersport” pas shkarkimit të Iulianos, Luçiano Moxhi tregon arsyet që çuan në këtë vendim dhe pse u përzgjodh Starova si trajner i ri. Më pas Moxhi ka lëshuar edhe një ultimatum për lojtarët, pasi ata janë në provë deri në janar dhe kush nuk bind do të largohet nga skuadra. “Në takimin e parashikuar me presidentin folëm dhe morëm një vendim të rëndësishëm, dhe arritëm në përfundimin që nga java e ardhshme Iuliano nuk do të jetë më trajneri i Partizanit. Në vendin e tij do jetë Starova, i cili e njeh mirë kampionatin, i njeh dhe lojtarët që ka në dispozicion. Iuliano ka pasur mungesë në rezultate. Kishte fatin e keq që Çani nuk mund të aktivizohej, më pas u dëmtua edhe Sukaj. Duhej ndryshuar një trend për më shumë forcë tek ekipi. Tani lojtarët kanë mundësinë të tregojnë veten e tyre. Në janar, ata që do ia dalin ta shpërblejnë besimin, do qëndrojnë, në të kundërt të tjerët do largohen”, deklaroi “Big Luçiano” rreth ndryshimeve më të fundit në kampin e kuq. Pjesë e ndryshimeve mund të bëhet edhe drejtori sportiv, Antonelo Preiti, i cili ka sjellë pjesën më të madhe të lojtarëve.

KUSH RREZIKON

Partizani është i destinuar që të përsërisë vetveten. Ashtu si një vit më parë, edhe tani pritet që shumë lojtarë të afruar në verë të largohen me ardhjen e trajnerit të ri, kjo përforcuar edhe nga ultimatumi i fundit i Moxhit.

Xhixhiua

Pak a shumë dihen ata që s’pëlqehen nga “Bobi”, pasi ai ka përdorur etiketime të rënda, ku ndonjërin e konsideronte si “mollë të kalbur”. Më të rrezikuar për t’u larguar janë lojtarë e huaj e afruar nga Italia. Mustafa Xhixhiua, Milan Basrak, Romeo Shahinas, Andrea Selvaxhio, Erik Herrera janë lojtarët e parë që pritet të ndryshojnë ambient në janar, madje nuk përjashtohet mundësia që me ndonjërin të prishet më herët marrëveshja.

basrak

Gjithashtu edhe Xhovani La Kamera dhe Kristian Adorjan nuk kanë bindur, ndaj nëse nuk largohen, pritet që të përfundojnë si alternativa. Mister mbetet e ardhmja e Edgar Çanit, pasi afati i vendosur nga Luçiano Moxhi për rikthimin në ekip, mbaron në mesin e kësaj jave.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura