Ulje-ngritjet e kulturës gjatë vitit 2021, nga personalitetet që humbëm te rikthimi i publikut në salla

Jan 5, 2022 | 9:44
SHPËRNDAJE

Ka qenë një vit i gjatë dhe jo fort i lehtë për kulturën. Pandemia Covid-19 la gjurmë edhe në art.

ermonela

Sallat u mbyllën, ndërkohë që monumentet e kulturës duhet të rimëkëmbeshin pas tërmetit të nëntorit 2019. Gjithsesi, numri jo edhe aq i vogël i ngjarjeve kulturore, të cilat sigurisht nuk arrijmë t’i rendisim të gjitha, tregojnë se nuk ka qenë një vit i keq kulturor, pavarësisht se 2021 ishte edhe një vit elektoral. Artistët dhe publiku kanë qenë të etur për jetë kulturore. Nisi programi i rindërtimit “Eu4Culture”, u rihap Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit; u rikthye publiku në sallat e teatrove, ndërsa janë ndërmarrë disa nisma nga ana e Ministrisë së Kulturës për menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Por, nga ana tjetër, Cirku nuk ka më një tendë dhe pritet një shtëpi e re për të. Kemi pasur jetë të humbura artistësh për shkak të Covid-19 apo sëmundjesh të rënda… Shkurtimisht cilat ishin ngjarjet kryesore kulturore të vitit 2021.

6 JANAR

U nënshkrua në Ankara marrëveshja e bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, përfaqësuar nga ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, për “Restaurimin dhe konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës”.

6 JANAR

Është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare kantautori i njohur i muzikës së lehtë shqiptare Kujtim Prodani. Prodani prej disa javësh qe prekur nga COVID-19 dhe ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Prodani, autor i dhjetëra këngëve, ishte një artist origjinal dhe i pakompromis për artin e tij.

22 JANAR

Rrethuar nga bartës të traditave më të mira në art dhe zeje, u prezantua libri-album “Sekrete mjeshtërie”, një botim i Ministrisë së Kulturës, me autorësi të gazetares Alma Mile dhe fotografit Aldo Bonata. Libri përmban 15 portrete dhe intervista me restauratorë, punues qeramike, rregullues orësh, dizenjues monedhash etj.

13 MARS

Përurohet Muzeu i Arsimit-Mësonjëtorja e Parë Shqipe, në Korçë. Godina historike u dëmtua nga tërmeti që tronditi Jugun e Shqipërisë. Falë investimit të buxhetit të shtetit dhe donatorëve, u restaurua godina, ambientet e jashtme dhe u realizua muzealizimi i këtij institucioni, sipas kërkesave bashkëkohore.

18 MARS

Pas një periudhe të gjatë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, përgatitën dosjen për ta kandiduar arkivin e dinastisë “Marubi” dhe fotografëve të tjerë, që ruhen në këtë muze, në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s. 30 MARS Historiani i artit dhe studiuesi Rubens Shima prezanton librin “Posteri shqiptar-Një histori e shkurtër e imazhit të propagandës”. Një libër i rrallë, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, që ofron historinë gati njëshekullore të posterit shqiptar, që nga fillimi i shek. XX, me Princ Vidin, Mbretin Zog, fashizmin, nazizmin dhe periudhën e diktaturës.

1 PRILL

Piktori Helidon Haliti hapi në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën e tij personale titulluar “Still a life”. Ekspozita vjen si një reflektim i piktorit, si një përjetim mes realitetit dhe surreales, sidomos gjatë periudhës pandemike, duke vendosur veten si personazhin kryesor të veprave të tij.

12 PRILL

Nën prezencën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, iu kthyen lipsanet e Shën Gjon Vladimirit, manastirit me të njëjtin emër në Shijon të Elbasanit. Eshtrat e shenjtorit ruheshin prej shumë vitesh në Muzeun Historik Kombëtar dhe pas një marrëveshjeje me Kishën Ortodokse, iu dhanë me kontratë në përdorim manastirit.

17 PRILL

Pas dekadash mungesë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë, Tiranë dhe Universiteti i Tiranës ndërmorën një ekspeditë gërmimesh në vilën romake apo njohur ndryshe si Mozaiku u Tiranës, duke nxjerrë në dritë fakte të reja mbi banimin e hershëm të kryeqytetit.

11 MAJ

Hapet ekspozita retrospektive në homazh të piktorit dhe restauratorit Gazmend Muka. Ekspozita e hapur nga familjarët dhe miqtë e artistit të ndjerë, në hapësirën “ArtOn”, titullohej “Mbartje” dhe ishte një koleksion punësh të realizuara prej tij, gjatë periudhës kur Muka eksploronte në teknikat mikse.

16 MAJ

Në Ditët e Europës, përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, përfaqësuesja e UNOPS, Pamela Lama, dhe ministrja Elva Margariti prezantuan projektet e restaurimit të Teatrit të Kukullave dhe mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, përfshirë në programin 40 milionë eurosh, “EU4Culture”.

20 MAJ

Hapet në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia pavijoni shqiptar, titulluar “Në shtëpinë tonë”. Pavijoni i realizuar nga arkitektet Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra, Rudina Breçani mbështetej mbi temën e fqinjësisë, duke iu përshtatur temës së madhe të bienales, “Si do të jetojmë së bashku”.

27 MAJ

Hapet ekspozita me veprat e ikonografit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Diço Zografi, në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita sillte 12 ikona të paekspozuara më parë dhe u përkasin ikonave të shpëtuara pas shkatërrimit të kishës së Shën Kollit, e shek. XVII, në Elbasan.

31 MAJ

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli fituesit e Fondit të Përkthimeve të veprave nga gjuha shqipe në gjuhë të huaja. Fituesit janë: Arjan Leka, Zija Çela, Rudi Erebara, Tom Kuka, Bashkim Shehu, Natasha Lako. Veprat e tyre do përkthehen në greqisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, spanjisht dhe italisht.

24 QERSHOR

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli fituesit e Fondit mbështetës të krijimtarisë letrare për të rinj. Juria, e kryesuar nga dramaturgu Stefan Çapaliku dhe gazetarja Arta Marku, mes 16 kandidatëve, zgjodhi 3 fitues: Nurie Emrullai, Dionis Prifti, Ledian Gjeçi.

21 KORRIK

Platforma e Artit Bashkëkohor “Harabel” në bashkëpunim me Ambasadën italiane në Tiranë, hapi ekspozitën “I Veggenti”. Punimet e paraqitura në këtë ekspozitë vinin nga artistët Andrea Anastasio dhe Patrick Tuttofuoco dhe të kuruara nga Davide Quadrio dhe Ajola Xoxa.

24 KORRIK

Në Kalanë e Porto Palermos u zhvillua festivali muzikor i organizuar nga violinisti Olen Çezari, i cili bëri bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj. Ky festival synon gjithashtu rikthimin e vëmendjes në vlerat e trashëgimisë kulturore. Kulminacioni i këtij festivali ishte koncerti i violinistit Çezari.

23 GUSHT

Nënshkruhet në Uashington DC Memorandumi i Mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “Vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”. Memorandumi u firmos nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe ndihmëssekretari i Shtetit, Matthew Lussenhop.

29 GUSHT

U nda nga jeta në moshën 81-vjeçare këngëtari Sherif Merdani. I dënuar politik për disa vite me radhë pas Festivalit të 11-të të Radio Televizionit Shqiptar, Merdani nuk u shkëput asnjëherë nga pasioni për muzikën. Me ndërrimin e sistemeve ai u rikthye në skenë, duke shënuar disa suksese.

15 SHTATOR

Pas 5 vitesh mbylljeje për shkak të rikonstruksionit total dhe kufizimeve të Covid-19, përurohet Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ceremonia u shoqërua me një koncert gala, ku të ftuar nderi ishin tenori legjendar Placido Domingo dhe sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.

17 SHTATOR

Kantautori me origjinë shqiptare, Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, u rikthye pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë. Ai dha një koncert në stadiumin “Air Albania”, ku hyrja ishte falas. Meta është një nga artistët më të suksesshëm në Itali, këtyre viteve të fundit.

20 SHTATOR

Elhaida Dani prezanton në Tiranë albumin e saj muzikor “Zanin”. I ftuar special në ceremoninë e promovimit ishte kantautori i famshëm italo-francez, Riçardo Coçiante, udhërrëfyesi në karrierën artistike të Danit, i cili këndoi bashkë me të ftuarit këngën e famshme “Margherita”.

24 SHTATOR

Premiera absolute “Annonciation” rikthen përmes veprës në Tiranë koreografin me origjinë shqiptare Angjelin Prejlocaj, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dhuratë e artistit Prejlocaj për hapjen e TKOBAP, shfaqja premierë është punuar përgjatë muajit nëntor të vitit të kaluar në Marsejë, me balerinat e trupës tonë.

1 TETOR

“Gjerdani i Artë” – Fitnete Rexha ishte koncerti që vijoi ceremoninë festive të hapjes për publikun të TKOBAP. Repertori më i bukur i interpretuar nga mbretëresha e muzikës popullore u interpretua nga solistët e Ansamblit Popullor: Aranit Hoxha, Iris Bega, Mirela Aliaj, Genciana Paparisto etj. Të ftuar specialë ishin edhe këngëtarët Valbona Mema, Bujar Qamili, Juli Çenko dhe muzikanti Çim Rexha.

5 TETOR

Në “Tetorin e librit”, QKLL nisi Festivalin “Fajin ma ka gjuha”. Festivali me një kalendar të pasur aktivitetesh u hap me dy shkrimtarët fitues të Çmimit Europian të Letërsisë, Shpëtim Selmani dhe Tom Kuka, në një bashkëbisedim me kritikun letrar dhe studiuesin Ben Andoni, pjesë e komitetit të këtij çmimi për vitin 2021.

20 TETOR

U hap në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozita retrospektive e piktorit Ismail Lulani. Ekspozita u hap nën përkujdesjen e së bijës, Ormirës, dhe nën kurimin e artistit Helidon Haliti. Në të u paraqitën disa nga punët më të mira të Lulanit, që prej viteve më të hershme të karrierës së tij.

20 TETOR

Ulet tenda e Cirkut Kombëtar. Me gjithë rezistencën e artistëve, punonjësit e përmbarimit kanë ndërhyrë për uljen e çadrës, pasi një pjesë e truallit ku ngrihet tenda i kthehet pronarit. Ndërkohë, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës po shohin hapësira për ngritjen e cirkut të ri.

27 TETOR

Në 40-vjetorin e vdekjes së Branko Merxhanit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizoi ekspozitën kushtuar njërës prej figurave më interesante të mendimit dhe të publicistikës shqiptare. Ekspozita rindërton rrugëtimin e tij 16-vjeçar në Shqipëri, gjatë të cilit u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare.

15 NËNTOR

Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, nënshkruan marrëveshjen për krijimin e fondacionit të menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë. Ky muze po ngrihet në Qendrën Historike të qytetit të Vlorës, e cila i është nënshtruar një rikonstruksioni total. 16 NËNTOR Ministria e Kulturës firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit mes Fondacionit e Menaxhimit të Butrintit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Sipas marrëveshjes, qeveria shqiptare do të arkëtojë 2 milionë dollarë, kurse Fondacioni do të investojë 5 milionë dollarë në 7 vitet e ardhshme.

17 NËNTOR

Me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese nga Shqipëria e bota shqiptare u hap në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë, Panairi i Librit 2021. Këtë vit panairi i hapi dyert për vizitorët pesë ditë, nga 17-21 nëntor, në kushte pandemie, me masa kundër përhapjes së virusit. Nuk munguan promovimet e librave dhe aktivitete të tjera.

18 NËNTOR

Lea Ypi, profesoresha e Teorisë Politike në London School of Economics, prezantoi librin “Të lirë”, një këndvështrim prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm. Ky roman i botuar nga shtëpia botuese “Dudaj” u promovua në ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha.

23 NËNTOR

Një nga figurat më karizmatike të ekranit shqiptar, artistja Hueyda El Sayed është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare. Balerina dhe ish-moderatorja vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën nuk e ka fituar dot. Ajo vdiq në Luksemburg, ku edhe jetonte.

25 NËNTOR

Pas dekadash mungese, Akademia e Shkencave të Shqipërisë zhvilloi në Tiranë Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike. Morën pjesë në të 180 albanologë dhe studiues nga e gjithë bota, që ndanë përgjatë tri ditësh arritjet më të fundit në gjuhë, letërsi, arkeologji etj. 26 NËNTOR Në mbledhjen më të fundit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës u nënshkruan ndër të tjera Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022, dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis dy ministrive të kulturës.

27 NËNTOR

U nënshkrua protokolli i bashkëpunimit midis TKOBAP të Shqipërisë me Operën, Filarmoninë, Baletin Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Kosovës; marrëveshja e bashkëpunimit midis Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe Muzeut Historik të Kosovës; mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”; midis Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë dhe Parkut Arkeologjik të Ulpianës.

28 NËNTOR

“Rrok’e agimin”, një koncert i veçantë festiv në skenën e TKOBAP. Këngët e Luftës Nacionalçlirimtare dhe krijimtaria e kompozitorëve Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Mustafa Krantja, Kostandin Trako, Dhora Leka, Nikolla Zoraqi, Aleksandër Lalo, Limos Dizdari, janë riorkestruar në ritmet rrok nga Gjergj Kaçinari, Alfred Kaçinari dhe Gerti Druga.

3 DHJETOR

Ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare aktorja e njohur e skenës shqiptare Edi Luarasi. Luarasi nisi një karrierë të shkëlqyer në teatër dhe kinematografi, por u përjashtua dhe u përndoq për shkak të dënimit të bashkëshortit të saj, Mihal Luarasi, në vitin 1974. Edi Luarasi ishte nderuar me “Medalje ari” për rolin e Leas në shfaqjen “Njollat e murrme”, për të vijuar më pas me “Naim Frashëri”, “Artiste e Merituar” dhe i fundit “Mjeshtre e Madhe”.

6 DHJETOR

Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e piktores Lumturi Blloshmi. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, që është edhe komisionerja e pavijonit prezantoi edhe kuratoren Adela Demetja.

10 DHJETOR

Shfaqja “Makbeth” me regji dhe dramaturgji nga Enton Kaca u shfaq premierë për publikun në Vilën 31, ose siç njihet ndryshe vila e diktatorit Enver Hoxha në kryeqytet. Me një publik të kufizuar për shkak të kufizimeve nga COVID-19, kjo vepër e Shekspirit erdhi si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, nën interpretimin e Alfred Trebickës, Loredana Gjeçit etj.

14 DHJETOR

U nda nga jeta në moshën 64-vjeçare poeti Arben Duka. Duka vuante prej kohësh nga probleme të rënda shëndetësore. Arben Duka lindi në Labovë të Gjirokastrës. Ai kreu Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Duka dallon për një biografi shumë të pasur letrare dhe artistike. Ai është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike dhe bashkautor në rreth tre mijë këngë, duke filluar qysh nga viti 1974.

16 DHJETOR

Studioja “Kimmel Eshkolot Architects” u shpall fituese e projektit arkitektonik të Muzeut Hebraik në Vlorë. Studioja nga Tel-Avivi, Izrael, u shpall fituese nga juria e përbërë nga personalitete të arkitekturës dhe muzeologjisë, pas shqyrtimit të 4 propozimeve të ardhura në konkursin për projektin arkitektonik, nga Gjermania, Italia, Austria dhe Izraeli.

17 DHJETOR

Në skenën e “ArTurbinës” u shfaq premiera e “Coriolanus”. Nën drejtimin e regjisorit të njohur Altin Basha, për kryeveprën e Shekspirit janë angazhuar rreth 80 aktorë të Teatrit Kombëtar, por dhe studentë të Universitetit të Arteve. “Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”).

20 DHJETOR

U ndanë Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2020. Juria vlerësoi si më të mirët: për librin më të mirë studimor: Artan Fuga, “Origjinat”; për librin më të mirë për fëmijë: Persida Asllani, “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”, për vëllimin më të mirë poetik: Bardhyl Londo, “Prill i hidhur”; për përkthimin më të mirë: Granit Zela, “Lepur vrapo” nga John Updike; për librin më të mirë në prozë: Flutura Açka, “Biri”.

21 DHJETOR

Mes 25 pjesëmarrësish nga e gjithë Shqipëria, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u shpallën 5 fituesit e konkursit “Novelat Grafike Shqiptare”. Me çmim të parë u vlerësua Florian Bregu, David Kryemadhi, Ilir Topi; çmim të dytë: Henri Dimo; çmim të tretë: Betina Sharavolli; çmim të katërt: Iris Boshnjaku dhe çmim të pestë Bartolino Selamaj.

21 DHJETOR

Përurohet kisha e Shëlbuemit në Rubik. Siti i parë i restauruar nën programin “EU4Culture” u inaugurua në prani të ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, ministres së Kulturës, Elva Margariti, imzot Gjergj Metës, ambasadorëve dhe autoriteteve lokale. Restaurime u kryen në çatinë dhe fasadën e objektit.

23 DHJETOR

Fotografi Fatjon Plaku promovon albumin “Homeland II”. Ky album me fotografik do të jetë një guidë për të gjithë turistët që mund të tregojnë akoma më shumë interes për të vizituar Shqipërinë. Por përveç fotove risitë e këtij botimi të dytë janë edhe vendndodhjet apo edhe videot që mund të hapen nëpërmjet skanimit. Janë 230 fotografi dhe 230 video që zbulojnë Shqipërinë.

25 DHJETOR

Shtëpia muze e piktorit Vangjush Mio në Korçë hap dyert në ditën e Krishtlindjes. Për shkak të dëmtimeve të tërmetit, kjo shtëpi-muze ishte mbyllur për publikun. Projekti i restaurimit u hartua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë

28 DHJETOR

Baleti “Arrëthyesi”, një histori magjike, ngjitet në prag të festave të fundvitit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Baleti “Arrëthyesi” është një nga krijimet më të bukura të repertorit klasik botëror. Marrin pjesë orkestra dhe trupa e baletit e TKOB, si dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Kombëtare Koreografike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura