Ulet numri i lindjeve në vend/ Gjirokastra qarku më problematik, shkak emigrimi në masë e popullsisë

| 18:43
SHPËRNDAJE
 

Numri i lindjeve dhe shtesa natyrore e popullsisë shënuan rënie në vitin 2019 në Shqipëri krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Insitutit shqiptar të Statistikave, publikuar të enjten, “gjatë vitit 2019 lindën 28.561 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me vitin 2018. Shtesa natyrore e popullsisë që përfshin numrin e lindjeve në raport me vdekjet shënoi gjithashtu një rënie me 7,1 %, krahasuar me një vit më parë.

lindjet

Gjatë vitit 2019 vetëm katër qarqe të Shqipërisë shënuan rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2018, ndërsa tetë të tjerë kanë pasur rënie.

Sipas Instat numri më i madh i lindjeve për vitin 2019 shënohet në qarkun e Tiranës, me 9.321 lindje dhe kjo lidhet sipas analistëve me përqëndrimin e madh të popullsisë vitet e fundit në kryeqytet.

Numri më i vogël i lindjeve regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 506 lindje dhe kjo lidhet kryesisht me emigrimin e një pjese të madhe të popullisë nga ky qark.

Nuk ka të dhëna për numrin e lindjeve në raport me numrin e popullsisë për sejcilin qark, por sipas të dhënave të Instat rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin 2018, e zë qarku i Kukësit me 15,9 %.

Raporti i Instat vlerëson se “Shqipëria karakterizohet nga një shtesë natyrore pozitive, ku lindjet vazhdojnë të tejkalojnë vdekjet, dhe koeficienti bruto i shtesës natyrore ndryshe nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian është pozitiv”.

Sipas Raportit “ky koeficient për Shqipërinë është 2,5, dhe është më i lartë se disa vende të rajonit si Mali i Zi (1,2), Maqedonia e Veriut (0,8), Serbia (-5,4).

Ndërkaq Kosova, ndër vendet e rajonit e ka koeficientin më të lartë me 10,3 për një mijë banorë.

Rënia e lindjeve dhe e shtesës natyrore të popullsisë në Shqipëri, vit pas viti, është parë si një dukuri shqetësuese nga studiuesit e demografisë.

Studiuesit kanë pohuar se vendi ndodhet në një “emergjencë demografike” dhe kanë kërkuar masa ndërhyrëse sidomos për të frenuar emigracionin dhe përmirësuar treguesit ekonomikë dhe social të familjeve shqiptare.

Fundin e vitit 2018 qeveria shqiptare vendosi të rrisë shpërblimin për lindjen e fëmijëve duke përcaktuar masën e 40 mijë lekëve për lindjen e fëmijës së pare, 80mijë lekëve për lindjen e fëmijës së dytë dhe 120 mijë lekëve për lindjen e fëmijës së tretë./VOA

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.