Ulet informaliteti në punë, sivjet më shumë të siguruar

May 17, 2015 | 13:32
SHPËRNDAJE

Informaliteti në punë sa vjen e zbehet nga viti në vit. Këtë e tregojnë të dhënat e prezantuara nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli, gjatë një takimi me trupën inspektuese në terren.

Dritan Ylli, kreu i Inspektoratit të Punës

“Është bërë një punë e madhe e orientuar në disa drejtime, që gradualisht po përkthehet në rezultate. Rritja e ndërgjegjësimit të vetë subjekteve për deklarim real të punësimit shikohet lehtësisht në rritjen e numrit të punëmarrësve të punësuar në to”, theksoi Ylli duke prezantuar me shifra konkrete bilancin e individëve të përfshirë në skemën e sigurimeve.

Kështu, nga viti 2013 në 2014-n, janë regjistruar 26% më shumë punëmarrës të siguruar. Ndërsa në 3-mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka pasur një rritje me 4% të numrit të njerëzve të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore.

Rezultate të ngjashme ka njohur edhe një tjetër aspekt i punës së kësaj drejtorie, siguria dhe shëndeti në punë.

“Konstatohet një përmirësim i situatës sa i takon orientimit të procesit të inspektimit në subjektet që paraqesin rrezikshmëri për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe është rritur numri i subjekteve që mbulohen me shërbim mjekësor. Kjo falë fushatës sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese me biznesin në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës e në veçanti për përdorimin e pajisjeve individuale dhe kolektive të mbrojtjes”.

Sipas të dhënave, në 3-mujorin e parë të këtij viti, janë ulur me 9% rastet e inspektimeve për shkak aksidenti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, në subjektet e inspektuara është konstatuar një rënie prej 42% e punëmarrësve me sëmundje profesionale, si dhe është rritur me 18% numri i subjekteve që kanë ngritur këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura