“U rrëmbye dhe u shit në Maqedoni”, flet vajza shqiptare: Me të prangosuri kam lidhje jashtë martesore

Dec 26, 2015 | 8:39
SHPËRNDAJE

“Policia më ka detyruar të firmos procesverbalin, nuk është e vërtetë që unë jam shitur në Maqedoni.

Vjollca Shkembi
Vjollca Shkembi

 

Urimin e kam të dashur”. Kështu ka rrëfyer 24- vjeçarja Vjollca Shkëmbi, një ditë pas arrestimit të Urim Qazimajt dhe dajës së tij, me akuzën e rrëmbimit me qëllim trafikimin në shtetin fqinj.

E reja nga fshati Pojan i Korçës, e cila është nënë e një fëmije, ka mohuar faktin se është shitur nga dy të arrestuarit duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e policisë. Sipas 24-vjeçares, ajo shkonte shpesh në Maqedoni pasi ishte e martuar atje, ndërsa mohon faktin se është shitur nga Urim Qazimaj.

“Unë kam qenë e martuar në Maqedoni me shtetas maqedonas, me të cilin kam edhe një vajzë 4 vjeçe, por që të thuhet se unë jam shitur kjo është e turpshme”, tregon ajo.

Në rrëfimin e saj, ajo thotë për gazetën se prej dy vitesh ka pasur me të arrestuarin Urim Qazimaj një lidhje jashtëmartesore prej më se dy vitesh, por ka mohuar se mund të jetë shitur nga ky i fundit.

Vjollca Shkëmbi tregon se në Maqedoni ka shkuar shpesh, sepse atje ka qenë martesa e saj e parë me një shtetas maqedonas, me të cilën ka rreth 3 vjet që është ndarë.

INTERVISTA

Thatë që në Maqedoni keni qenë e martuar? Nuk ju kanë shitur?

Po, martesa ime e parë ka qenë në Maqedoni prej së cilës unë kam edhe një vajzë 4 vjeçe, por u divorcova pasi më dhunonte vazhdimisht burri. Por nuk jam shitur kurrë nga dikush, aq më tepër nga i dashuri im.

Sa kohë keni e lidhur me të arrestuarin Urim Qazimaj?

Kam dy vjet. U lidha me të kur nuk po më ecte as martesa e dytë. Kam bërë një jetë me vuajtje (qan). U ktheva në fshatin tim, po për shkak të gjendjes së vështirë u martova prapë në Dobranj të Devollit, edhe pse burri ishte shumë më i madh nga unë. Burri i dytë më rrihte shumë dhe prandaj e ndava edhe atë.

Si ndodhi arrestimi i të dashurit tënd?

Para dy ditësh unë kam shkuar në fshatin Dobranj të Devollit pasi atje jam e martuar, por prej kohësh nuk shkoj mirë me bashkëshortin tim dhe kisha vendosur që të largohesha prej tij. Njëkohë- sisht, unë kam pasur lidhje jashtëmartesore me Urimin (i arrestuari). E kam marrë në telefon dhe i kam kërkuar të vinte të më merrte me taksi, pasi kisha shumë rroba dhe nuk i merrja dot në dorë. Ai ka marrë edhe dajën e tij me vete, për të shmangur ndonjë konflikt me njerëzit e bashkëshortit tim.

Në momentin që ne po ktheheshim drejt Pojanit, atje ku jeton i dashuri im, disa persona të maskuar dhe me armë na kanë prerë rrugën duke bërtitur: “Policia, policia”.

Çfarë ndodhi në komisariat?

Në komisariat jam detyruar nga shefi i Krimeve të firmos procesverbalin, duke mos pasur asnjë dijeni se çfarë përmbante fleta përballë. Pasi firmosa, më lanë të lirë dhe më thanë ik e qetë në shtëpi, sepse pas dy orësh do të lirohen edhe dy të tjerët. Kur shkova në shtëpi, u tmerrova kur pashë në lajme se ata akuzoheshin se më kishin shitur mua në Maqedoni. Kjo është çmenduri. Prej dy vitesh unë kisha krijuar një lidhje jashtëmartesore me Urimin dhe e duam shumë njëri-tjetrin. Por që të thuhet se unë shitesha me lekë, kjo është çmenduri dhe shumë e turpshme. Nuk e di pse e kanë bërë një gjë të tillë. Dua që të lirohen menjëherë.

DHJORELA ÇULE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura