“U mbars mali e polli një mi”- Pollo zbërthen çfarë u arrit pas takimit Rama-Vuçiç-Zaev në Novi Sad: E vetmja e dëmtuar, Kosova

Oct 10, 2019 | 19:19
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo duke komentuar takimin e kryeministri Edi Rama me presidentin serb, Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev në Novi Sad, thekson se e vetmja arritje e këtij takimi është që palët të angazhohen që brenda vitit 2021, të kaloheshin kufijtë vetëm me letërnjoftim, procedurë që funksionon tanimë.

pollo

Sipas Pollos, i vetmi shteti që humbi në këtë rast është Kosova, pasi Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia lejojnë që qytetarët të lëvizin vetëm me karta identiteti në kufijtë e tyre.

Reagimi i plotë i Pollos:

“U mbars mali e polli një mi” Kjo fabulë e Ezopit e përshkruan më së miri takimin e Novi Sadit midis presidentit serb dhe kryeministrave nga Tirana e Shkupi. Ata prodhuan një deklaratë shumëfaqëshe ku vetëm një fakt të ri kishte: se qeveritë zotoheshin se deri në 2021 shtetasit e tyre do të kalonin kufijtë vetëm me letërnjoftim (kartë identitetit) dhe jo detyrimisht me pasaportë.

Fakt është se prej dhjetë vjetësh shtetasit shqiptarë kalojnë kufirin maqedonas (por edhe kosovar e malazez) vetëm me letërnjoftim. Ndërsa në Serbi prej vitit 2010 udhëtojnë pa viza. Pra për shtetasit shqiptarë avantazhi pas dy vjetësh është se mund të shkojnë pa pashaportë në Beograd apo Nish. Ndërkohë Maqedonia, Serbia, Bosnja e Mali i Zi prej kohësh e pranojnë letërnjoftimin si dokument për kalimin kufitar mes tyre. Po kështu e ka regjimin Kosova me Maqedoninë e Malin e Zi.

I vetmi i dëmtuar në Novi Sad doli shteti i Kosovës. Askush nuk e përmendi dhe askush nuk i kërkoi Serbisë të njihte dokumentet personale e targat e shtetit të Kosovës. Thirrja e samiti të dytë në Ohër pas një muaji është pa kuptim nëse Serbia nuk bën lëshime. Dhe as që nuk ka ndërmend t’i bëjë! Dhe as Rama nuk ja kërkon mikut Vučić!

Por groteske është parulla e Schengenit ballkanik. Sa më lart nuk ka lidhje as me Zonën Schengen e as me Bashkimin Evropian. Është vetëm lehtësim i kalimit kufitar siç praktikohej në vitet 30 mes Shqipërisë e Jugosllavisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura