U inaugurua nga Rama gjatë fushatës, ujësjellësi i Krujës “fajëson” kushtet atmosferike për ndotjen e ujit: Ka prezencë amoniaku, u kontaminua nga shiu

Oct 27, 2021 | 9:35
SHPËRNDAJE

Prezenca mbi normë e amoniakut në ujë mund të ketë sjellë helmimin e banorëve në Krujë. Nga analizat fiziko-kimike, të cilat janë bërë publike nga Ujësjellës Kanalizime Kruje, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së diele, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm. 

 

Gjithsesi, ujësjellësi thotë se ky rast mbetet për t’u verifikuar pasi analizat periodike të kryera nga laboratorët e NjVKSH-së përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale. Pak muaj më parë, gjatë fushatës elektorale, ujësjellësi i Krujës u inaugurua nga Kryeministri Rama, i cili piu ujë aty, pasi mbushi një bidon plastik në rubinet.

“Uji i pijshëm i Krujës, 24 orë, gëzuar! Perfekt”, shprehej Rama, duke i zgjatur bidonin Milva Ikonomit, në atë kohë ministre e Bujqësisë, e cila nuk ngurroi aspak të pinte nga i njëjti bidon ku piu edhe Kryeministri.

Ndërsa më pas, Rama i kërkoi që po të njëjtin bidon me ujë, t’ia kalonte kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushit, për të cilin pati edhe një kërkesë më pas:

“Artur, mbaje ta kesh. Shishja e parë. Urdhëro dhe tapën edhe çoja Partisë Demokratike”.

Por vetëm pak muaj më pas, duket se cilësia e ujit perfekt që piu Rama do të ndryshonte. U kontaminua në atë masë sa të helmonte qytetarët e Krujës. Në deklaratën zyrtare të Ujësjellësit përdoret termi amoniak, megjithatë dihet tashmë se bëhet fjalë për jashtëqitje kafshësh që kanë depërtuar në ujë, sigurisht për shkak të reshjeve, por që në rast se tubacioni dhe izolimi doishte brenda standardeve, nuk do të depërtonte.

DEKLARATA E UJESJELLESIT

Ujësjellës Kanalizime Krujë, njoftoi dje zyrtarisht se, në vijim të situatës së ndodhur në qytetin e Krujës, ku gjatë ditës së hënë, datë 25.10.2021, janë paraqitur për ndihmë mjekësore një numër i konsiderueshëm banorësh pranë Spitalit Bashkiak “Stefan Gjoni” Krujë me komplikacione shëndetësore, të cilat dyshoheshin si shkak prej konsumimit të ujit të pijshëm, sqarojmë si vijon:

Menjëherë, si masë e parë prej dyshimit të ngritur, në orën 10:30 të ditës së hënë, Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a. ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Krujës dhe nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë kryer analizat e ujit në burim, në depot e qytetit dhe në pikat fundore të rrjetit shpërndarës. Gjithashtu, nga ana e Institutit të Shëndetit Publik janë marrë mostra të ujit dhe disa kampione te pacientët e hospitalizuar për të analizuar dhe gjetur shkaqet më të detajuara.

Nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së diel, në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë dhe në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen veprat e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

Gjithsesi ky rast mbetet për t’u verifikuar pasi analizat periodike te kryera nga laboratorët e NjVKSh-së përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale. Dje janë analizuar edhe mostrat e ujit nga veprat e marrjes në Shkretë dhe në burimin e Livadheve, ku parametrat fiziko–kimike të të cilëve kanë rezultuar të jenë vazhdimisht brenda normave.

Sot, janë analizuar nga NjVKSh-ja mostrat e marra nga depozitat e qytetit të cilat kanë rezultuar brenda normave të lejuara. Gjithsesi, jemi në pritje edhe të analizave më të detajuara mikro–biologjike nga ISHP-ja, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit dhe do të shërbejnë për certifikimin e furnizimit në vijim të popullatës me ujë të pijshëm.

Helmimi i banorëve, reagon Meta: Kërcënim serioz për jetën

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Krujë, ku dhjetëra qytetarë kanë përfunduar të helmuar në spital. Nga të dhënat e para ka dyshime se ata janë helmuar nga uji i pijshëm. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i shtetit e cilëson një situatë alarmante që sipas tij duhet trajtuar me përgjegjësi e seriozitet. Mes të tjerash Meta teksa i uroi shërim të shpejtë të sëmurëve, i bëri thirrje institucioneve që të zbardhin shkakun dhe të gjejnë shkaktarët.

“Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia. Qytetarëve të helmuar, ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të rënda dhe afatgjata, si dhe ju shpreh familjeve të tyre të gjithë solidaritetin! Mbështes dhe përgëzoj ekipet mjekësore për kujdesin dhe profesionalizimin e dëshmuar deri më tani dhe i nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”, shprehet Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura