Trukimi i ndeshjeve, Partizani: FSHF të na vlerësojë djersën e derdhur

Sep 10, 2016 | 10:29
SHPËRNDAJE

Pas publikimit ditën e djeshme të vendimit të plotë për dënimin e Skënderbeut nga UEFA me mospjesëmarrje për 1 sezon në kupat e Europës, ka reaguar edhe klubi i Partizanit me anë të një delarate të postuar në faqen zyrtare në Facebook. “Të kuqtë” kërkojnë reagim dhe drejtësi nga FSHF dhe kanë shprehur besimin e tyre se drejtësia do të vendoset në vend herët apo vonë.

skenderbeu partizani 0-1

Më poshtë reagimi i plotë i Partizanit:

partizani reagimi

“Pasi lexuam me vëmendje të gjithë vendimin e argumentuar të Komisionit të Apelit në UEFA dhe duke ditur që CAS e ka lënë në fuqi, klubi i Partizanit shpreh keqardhjen që trukimi i ndeshjeve ka marrë përmasa të tilla në futbollin shqiptar.

Njëkohësisht, ndihemi të indinjuar që kemi qenë viktimë e manipulimit të rezultateve, duke na hequr mundësinë që të realizojmë objektivat tonë, për shkak të ndërhyrjeve të pandershme në futboll. Por, bëhet akoma më e rëndë kur mendojmë që puna e madhe e futbollistëve, stafit dhe sakrificat e tifozëve në sezonin e kaluar 2015-16 nuk vlerësohen në mënyrë korrekte nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Për aq kohë sa UEFA na njohu si kampionë të Shqipërisë, që na cilësoi si të denjë për të marrë pjesë në Champions League, do ishte e nevojshme që edhe organi që drejton futbollin në Shqipëri, FSHF, të mbante një qëndrim.

Ose të bëhej palë me klubin që ka trukuar disa ndeshje sezonin e kaluar (faktuar nga të gjitha organet gjyqësore sportive), ose të distancohej dhe të merrte masat e caktuara ndëshkuese, siç e përcakton rregullorja e këtij sporti. Klubi i Partizanit nuk kërkon asnjëherë trofe të padrejtë, por kërkon drejtësi.

Klubi i Partizanit i kërkon Federatës Shqiptare të Futbollit që t’i kthejë atë pak nder të mbetur sezonit të kaluar, thjesht për të vlerësuar si duhet kontributin e ndershëm të atyre djemve që kanë dhënë maksimumin në fushën e lojës. Jemi të bindur, që me zbardhjen e këtij vendimit, secili do marrë atë që meriton.

Urojmë që pandëshkushmëria e “krimit” të mos bëhet precedent. Më mirë drejtësi të vonuar, se sa drejtësi të munguar…”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura