Tronditet sërish “Shtëpia e Bardhë”, dy ish-bashkëpunëtorë të Trump shpallen fajtorë për…

Aug 22, 2018 | 19:01
SHPËRNDAJE

Dy ish bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Donald Trump rezultojnë fajtorë për krime serioze. Të martën, ish-menaxher i fushatës së zotit Trump Paul Manafort, u gjet fajtor lidhur me tetë akuza për mashtrim bankar dhe me taksat, ndërsa ish-avokati personal i presidentit, Michael Cohen, pranoi fajësinë për tetë vepra kriminale. Analistët thonë se të dy rastet flasin për korrupsion mes njerëzve më të afërt në rrethin e zotit Trump, ndonëse veprimet ligjore që rrjedhin nga kjo mund të mos kenë ndikim të menjëhershëm tek baza e mbështetësve të tij.

Michael Cohen pranoi fajësinë për mashtrime bankare, mashtrime me taksat dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatave. Zëvendës Prokurori Robert Khuzami tha se këto akuza janë serioze dhe pasqyrojnë një model gënjeshtrash dhe pandershmërie gjatë një periudhe të zgjatur kohe.

2CCD532D-0FAE-48CE-A9F0-21D0CD8AB3CE_cx0_cy11_cw0_w1023_r1_s

“Zoti Cohen pranoi fajësinë për dy akuza që lidhen me financime fushatash, në të dy rastet për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016.”

Përveç kësaj, zoti Cohen pranoi se ka paguar dy gra, deklaratat e të cilave mund të kishin patur ndikim negativ në fushatën e kandidatit Trump.

Ndërkohë, Paul Manafort u gjet fajtor lidhur me tetë nga 18 akuza për mashtrim.

Analistët i thanë Zërit të Amerikës se dy rastet i japin një legjitimitet të ri hetimit të ndërmarrë nga Prokurori i Posaçëm Rober Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

“Hetimi i zotit Mueller ka nxjerrë në shesh kalbësinë në qendrën e rrethit të Presidentit Trump. Kjo flet për llojin e aktiviteteve dhe llojin e njerëzve që kanë qenë në qendër të fushatës Trump,” thotë David Abraham i Universitetit të Majamit.

Presidenti Trump tha se shpallja fajtor e ish menaxherit të tij të fushatës Manafort nuk provon ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës dhe Rusisë. Por analistët theksojnë se një gjyqi i dytë në shtator do të shqyrtojë lobimin e tij për një qeveri pro-ruse në Ukrainë. Manafort mori pjesë në një takim parazgjedhor në Kullën Trump me bashkëpunëtorë të tjerë të zotit Trump dhe një avokate ruse, e cila dyshohet se ofroi informacione për të dëmtuar rivalen demokrate të zotit Trump, Hillary Clinton.

“Është e vërtetë se të grumbullosh informacion dëmtues për kandidatin rival është pjesë normale e politikës, por të kërkosh baltë nga një fuqi e huaj armike nuk është pjesë normale e politikës, pra kjo do të ishte qartësisht e paligjshme dhe kjo gjithashtu do të bënte që zoti Trump të bëhej më vonë peng i Rusisë, meqenëse kjo i dha informacion mbi fushatën e kandidates Clinton dhe për të ndihmuar zgjedhjen e tij,” thotë Paul Schiff Berman i Universiteti Georgetown.

Analistët i thanë Zërit të Amerikës se hetimi i kryesuar nga prokurori i posaçëm Mueller nuk mund të kalohet lehtë si një “gjueti shtrigash”, siç e quan zoti Trump, por ka të ngjarë të intensifikohet.

“Këta njerëz – Cohen dhe ndoshta edhe Manafort – do të fillojnë bashkëpunimin me prokurorët prandaj mendoj se informacioni që ata do të nxjerrin do të vazhdojë”.

Analistët thonë se faktet e fundit për korrupsion midis bashkëpunëtorëve të ngushtë të zotit Trump mund të mos kenë ndikim të menjëhershëm mbi bazën e tij të mbështetjes. Por ata besojnë se presioni në rritje mund të bindë mjaft votues për ta bërë më të vështirë rizgjedhjen e zotit Trump./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura