Tritoli te farmacia e Tahirit, përplasjet e të kërkuarit Gjuta me Policinë nga viti 2014 deri tek arrestimi

Feb 27, 2015 | 8:38
SHPËRNDAJE

“Panorama” zbardh sot përplasjet me policine te Vladimir Gjutes, te shpallurit ne kerkim ne kuader te hetimeve per shperthimet me tritol ne Tirane. Prokuroria tha dje se nuk ka ende një pistë zyrtare për motivin e vendosjes së eksplozivit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm dhe pranë vendit ku Bashkim Tahiri parkonte makinën në Tiranë.

Vladimir Gjuta, i shpallur në kërkim

“Deri tani është punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve, hetimet për motivin po vazhdojnë. Pjesë e këtyre hetimeve është edhe marrja në pyetje e personave të ndaluar”, thanë burimet e organit të akuzës për gazetën “Panorama”. Nga ana tjetër, burime të hetimit nga Policia kanë thënë se pista që ata kanë deri tani, lidhet me detyrën e ministrit të Brendshëm.

Më konkretisht bëhet fjalë për disa kontrolle dhe prishjen e disa shtesave në ambiente biznesi të familjes Gjuta në Tiranë. “Policia ka kryer disa kontrolle dhe bizneseve në fjalë u janë prishur disa shtesa, reagimi për dëmin e ardhur nga ndërhyrja e Policisë është një pistë e hetimit”, thanë burimet e hetimit nga Policia.

Përplasjet me Policinë
Nga ana tjetër, njëri nga personat kryesorë të arrestuar, shtetasi Vladimir Gjuta, rezulton se ka pasur një seri përplasjesh dhe problemesh me policinë. Emri i 35-vjeçarit ishte në listën publike që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i dërgoi Presidentit më 18 prill 2014 ku thuhej se Gjuta, i akuzuar për një përplasje me armë në Kukës, ishte liruar nga gjykata bashkë me të afërmin e tij, Baftjar Bruka.

Në fund të qershorit 2014, Policia e Tiranës kërkoi nga biznesi në pronësi të Gjutës në Rrugën e Elbasanit pamjet e kamerave të sigurisë për llogari të hetimit mbi vrasjen e Artan Santos. Policia mendonte se kamerat e biznesit në fjalë kishin kapur intervale të lëvizjes së motorit të vrasësve, por pamjet nuk iu dhanë policisë. Në periudhën shtator-tetor 2014, gjatë aksioneve që policia kryente për kontrollin e lokaleve e të territorit, Vladimir Gjuta u shoqërua nga policia në zonën e ish- Bllokut. Policia e shoqëroi atë dhe disa persona të tjerë që lëviznin me makina të blinduara.

Gjuta u la i lirë pak ditë më pas. Në këtë periudhë mësohet se inspektorë të Tatimeve kanë shkuar dhe kanë bërë kontrolle të përsëritura te biznesi i Vladimir Gjutës. Thuhet se kontrollet kanë vazhduar derisa tatimorët janë përzënë nga ambientet e biznesit privat. Në fillim të dhjetorit 2014, Vladimir Gjuta u përplas ashpër me policinë pranë stadiumit “Qemal Stafa”, ku edhe u arrestua.

Sipas Policisë, arrestimi i 34- vjeçarit është bërë më 6 dhjetor, sepse në rrugën “Dervish Hima”, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë fyer, kërcënuar dhe goditur për motive të dobëta dhe për shkak të detyrës punonjësin e Policisë së qarkullimit rrugor shtetasin A.V. Policia kishte ushtruar kontrolle në bizneset e Gjutës për aktivitet të paligjshëm, pasi Gjuta ka kundërshtuar urdhrin e policit rrugor për kontroll të dokumentacionit të automjetit pas vendosjes së një gjobe për parkim të parkuar përballë kazinosë te stadiumi “Qemal Stafa”.

Pas kësaj ngjarjeje, forca të shumta të Policisë mbajtën disa ditë nën rrethim bizneset e Gjutës, i cili u la në masën arrest shtëpie nga Gjykata e Tiranës. Kontrolle nga policia në bizneset e Gjutës pa gjetur sende të paligjshme janë kryer edhe pas ngjarjes së ndodhur në autostradë ndaj Emiljano Shullazit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe pas shpërthimit në makinën e biznesmenit Ardian Trota në Durrës disa javë më parë.

PËRPLASJET
* Më 18 prill 2014, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i dërgoi një letër publike Presidentit Nishani, ku thuhej se Vladimir Gjuta, i akuzuar për një përplasje me armë në Kukës, ishte liruar nga gjykata bashkë me të afërmin e tij, Baftjar Bruka.

* Në qershor 2014, policia thotë se Vladimir Gjuta nuk pranoi të jepte pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit të tij për llogari të hetimeve mbi vrasjen e Artan Santos

* Në shtator 2014, Vladimir Gjuta me disa persona të tjerë u ndaluan e u mbajtën në polici disa ditë pasi lëviznin me makina të blinduara tek ish-Blloku

* Më 6 dhjetor 2014, Vladimir Gjuta u arrestua nga policia me akuzën e kundërshtimit dhe goditjes së oficerit të Rrugores, që po i vinte gjobë për parkimin e mjetit

*Në vazhdim, Tatimet dhe Policia kryejnë kontrolle e bastisje të vazhdueshme në bizneset e Vladimir Gjutës pas disa ngjarjeve të ndodhura në Tiranë e në Durrës

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura