“Tre njerëzit që i rekrutoi Kadri Hazbiu në Shqipëri dhe i solli në SHBA për t’i infiltruar në…”/ Dëshmia e rrallë e agjentit të CIA-s: Si sigurimi i Shtetit e mësoi që kisha vënë bomba në dy ambasada

Sep 10, 2021 | 7:41
SHPËRNDAJE

materialet-e-kapura-diversanteve-750x375Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur dhe e rrallë e Avdul Hakan Banushit me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, i cili gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ndryshe nga e gjithë familja e tij që u rreshtuan në radhët e forcave partizane, ai u angazhua në organizatën nacionaliste të rinisë së “Ballit Kombëtar” në qytetin e Durrësit, ku u arrestua nga forcat gjermane në tetorin e vitit 1943 dhe së bashku me 73 persona të tjerë, u dërguan fillimisht në kampin gjerman të Prishtinës, e më pas në kampet e shfarosjes në masë në Landsberger e Dakau, nga ku ai mundi të lirohej vetëm në vitin 1945, pas ndërhyrjes së forcave anglo-amerikane.

Kthimi i Banushit në Shqipëri në vitin 1945, pasi qëndroi disa kohë në kampin e Rexhio-Emilias në Itali, (ku asokohe ishin edhe disa nga krerët kryesorë të ‘Ballit’ dhe ‘Legalitetit’ me në krye Mit’hat Frashërin dhe Abaz Kupin) dhe arrestimi i tij pak ditë pas mbërritjes në atdhe, pasi në aerodromin e Laprakës, rojet partizane i gjetën një letër që i’a kishte dhënë ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, gjatë kohës që ishin në Rexhio-Emila. Dënimi i Banushit me 18 vjet burg, duke u akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve” dhe lirimi i tij në vitin 1961, ku ai nuk qëndroi shumë kohë pranë familjes në fshatin Golem, pasi u arrestua përsëri teksa ishte i internuar në qytetin e Fierit, nga ku ai mundi që të arratisej nga burgu që natën e parë dhe iku në drejtim të Gjirokastrës, ku kaloi kufirin shtetëror dhe doli në Greqi, ku pas pak kohësh fitoi azilin politik për në SHBA-ve.

Angazhimi i Banushit në radhët e mërgatës politike shqiptare në Perëndim, si anëtar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, ku në vitin 1973, pasi ishte stërvitur nga CIA, erdhi disa herë me misione sekrete në Shqipëri, me qëllim që t’i bënin atentat Enver Hoxhës në paradën e madhe të 29 nëntorit 1974, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit dhe arrestimi i tij në vitin 1975 në afërsi të kufirit të Hanit të Hotit, pas një gracke që i kishte ngritur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, nga ku më pas ai do të izolohej për dy vjet me radhë në qelitë e ‘Repartit 313’ në Burgun e Tiranës dhe më pas në Burrel, nga ku mundi të lirohej vetëm në fillimin e vitit 1991.

“Kur nisën kontraditat e para të Tiranës zyrtare me Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972-’73, na u shtua akoma dhe më shumë besimin se kishte ardhur koha të organizoheshim me masa konkrete për një zbarkim të mundshëm në Shqipëri. Pas bisedimeve që kishin bërë më parë krerët e Komitetit “Shqipëria e Lirë” me zotin Zhozef Shishko, zv/sekretar i Departamentit të Shtetit dhe majorin Tomas Smith, që mbulonte emigracionin politik shqiptar në SHBA-ve, në janarin e vitit 1974, kryesia e Organizatës “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare”, vendosi të dërgonte në Shqipëri grupin e parë, i cili do të përbëhej prej pesë vetësh.

Ndër detyrat kryesore që do të kryente ai grup, ishin: ‘Takimet me njerëzit e pa kënaqur nga regjimi komunist, minimi i monumentit të Stalinit dhe Leninit në qendër të Tiranës, hedhja në erë e selisë së Komitetit Qendror të PPSH-së, shpërndarja e materialeve propagandistike me frymë antikomuniste, që ishin përgatitur më parë që në New York etj. U vendos që grupin e parë do ta kryesoja unë, me që kisha njohje me kontigjentin e familjeve të përndjekura nga regjimi komunist, ku do të mbështeteshim ne fillimisht. Në këtë grup përveç meje bënin pjesë dhe: I. Rrushiti, N. Banushi, I. Lame dhe A. Sula. Mbas disa përgatitjesh intensive që bëmë në një bazë sekrete, më në fund u nisëm me avionin që do të përshkonte intenerarin: New York – Londër, – Amsterdam – Romë – Athinë. Kur mbërritëm në kryeqytetin grek, u strehuam në Hotel “Atllantik” dhe të nesërmen shkuam në bazën ushtarake të Prevezës, ku koloneli që na priste na furnizoi me armatime që përbëheshin nga pesë automatikë, pesë pistoleta, 20 granata, 6 kg. dinamit, kapsula dhe mjetet mekanike për shpërthimin e tyre, veshjet e notit, një radio-marrëse e dhënëse, si dhe shumë municione e pajisje të tjera. Pasi i sistemuam këto në një vend të sigurtë, bisedova me kolonelin për rrugët e mundshme që duhej të ndiqnim për të hyrë në Shqipëri dhe në orën shtatë të mbrëmjes u nisëm me një motoskaf të vogël që drejtohej nga tre marinarë dhe pas disa orësh mbërritëm në bregdetin e Ksamilit”.

Kështu e kujtonte fillimin e “aventurës shqiptare”, Avdul Hakan Banushi, me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës, i cili na rrëfente për herë të parë disa nga ngjarjet më të bujshme të jetës së tij, të ndodhura në vitin 1974 – ‘75, kur ai në krye të një grupi komando të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hyri disa herë me misione të fshehta në Shqipëri.

Kush ishte Avdul Banushi dhe cila është e kaluara e tij? Përse u internua ai në kampin nazist të Dakao-s në Gjermani dhe si mundi që të lirohej prej andej? Si u kthye ai në Shqipëri në tetorin e vitit 1945 dhe përse u dënua me 18 vite burg, duke u akuzuar si agjent i anglo–amerikanëve? Si mundi ai që të arratisej nga Dega e Punëve të Brendshme e Fierit në ditët e para të gushtit të vitit 1961 dhe si e kaloi kufirin për në Greqi? Çfarë i kërkuan atij në Athinë dhe si mundi ai që ta fitonte azilin politik për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Kush ishin krerët antikomunistë shqiptarë që organizuan “Fronin e Rezistencës Antikomuniste” dhe përse dështoi “aventura shqiptare” e Abdyl Banushit, si dhe atentati ndaj Enver Hoxhës në paradën e madhe të 30 vjetorit të çlirimit në 29 nëntorin e vitit 1974? Cili ishte njeriu që e shoqëroi dhe e tradhtoi Abdyll Banushin në misionin e tij të fundit në Shqipëri, gjë e cila bëri që ai të binte i gjallë në duart e forcave shqiptare të kufirit në afërsi të Hanit të Hotit, nga ku ai do të izolohej në burgun e tmerrshëm të Burrelit, deri në shëmbjen e regjimit komunist në 1991-in? Lidhur me këto dhe mjaft ngjarje e fakte të tjera, na njeh intervista ekskluzive që na ka dhënë z. Banushi, disa vjet më parë, e cila do jetë në gjashtë numra radhazi.

Zoti Banushi, çfarë bëtë pas dështimit të aksionit për atentatin ndaj Enver Hoxhës dhe vënies së bombave në ambasadën kineze?

Kur e pamë që e kishim të pamundur për të realizuar dy aksionet tona, për të mos e ndërlikuar më tej situatën, akoma pa mbaruar mirë parade, ne u larguam që andej dhe u kthyem në bazën tonë tek familja Bineri në Pallatet “Shallvare”. Aty roja jonë që e kishim lënë për të kontrolluar bazën nga survejimet e Sigurimit të Shtetit, na tregoi se shumë civilë herë pas here kalonin në rrugën para atij pallati dhe vështronin nga shtëpia ku banonin dy familjet Bineri. Ne bëmë një mbledhje të shkurtër ku vendosëm që të ndërronim bazën, pasi ekzistonin të gjitha mundësitë që të kishim rënë në gjurmët e Sigurimit. Pas kësaj, dolëm prej aty pa rënë në sy dhe në këmbë shkuam tek baza tjetër në familjen Begeja, ku i zoti i shtëpisë ishte trembur shumë nga lëvizjet e njerëzve të Sigurimit. Edhe aty nuk qëndruam shumë dhe menjëherë u nisëm për në fshatin Ndroq, tek baza jonë në familjen Mancaku. Ajo ishte një nga bazat tona më të sigurta, për arsye se asaj familje regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte pushkatuar dy djem, Seit dhe Zydi Mancakun. Aty qëndruam për shtatë ditë me radhë në një kasolle bagëtish, pa dalë fare përjashta.

Nga aty ku shkuat?

Duke e parë situatën tepër të ndërlikuar, ne u larguam prej aty dhe shkuam në Fier ku u strehuam në familjen Margaritari e cila na priti mjaft mirë. Në Fier unë takova dhe shokun tim të vjetër Haxhi Moskin dhe dy tre të tjerë që i kisha pasur në burgun e Burrelit. Ata na bënë një përshkrim më të hollësishëm të situatës duke na treguar për kontrollet e shumta që kishte ndërmarë Sigurimi i Shtetit në të gjithë vendin, me rastin e festave të nëntorit. Nga Fieri ne shkuam në Izvor të Dukatit, ku pasi hymë në lidhje me qendrën me anë të radiomarrëses, erdhi mjeti nënujor e na mori. Kur mbërritëm në Prevezë, dorëzuam armatimet dhe morëm avionin e u nisëm për në SHBA-ve, ku raportuam për të gjithë misionin tonë, i cili na kishte dështuar.

Pas këtij misioni, organizata juaj “Fronti i Rezistencës”, a ndërmori veprime apo aksione të tjera për hedhje bombash nëpër ambasadat shqiptare në Perëndim?

Ne nuk mund të kryenim më misione të atilla me hedhje bombash etj., për faktin se kishim marrë paralajmërimin e fundit nga majori Tomas Smith.

Po ku konsistonin aksionet që do të kryente “Fronti i Rezistencës” dhe a kishte dijeni Sigurimi i Shtetit, se ju i kishit vënë bombat në Romë e Paris?

Aksionet që do ndërmerrnin grupet pesëshe që ishin formuar pas vendimit të “Frontit të Rezistencës Antikomuniste”, kishin piksynimin e vetëm futjen në Shqipëri. Ndërsa për sa i përket Sigurimit të Shtetit, ai kishte rënë në gjurmët tona me anë të agjentëve që kishte rekrutuar në Shqipëri dhe i kishte sjellë tek ne në SHBA-ve. Po kështu, Sigurimi Shtetit kishte dijeni të plotë se unë kisha vënë bombat në ambasadat e Romës e Parisit.

Nga e mësoi Sigurimi i Shtetit se ju ishit personi që kishit vënë bombat në ambasadat shqiptare të Romës e Parisit?

Personi që informoi Sigurimin e Shtetit në Tiranë se unë kisha vënë bombat në ambasadat shqiptare në Romë e Parisi, quhej Ndoc K. dhe ishte nga Shkodra. Ndoci ishte tip aventurieri, punonte në një ndërmarje diku në periferi të Shkodrës dhe thuhej se në atë kohë, ai ishte fejuar me mbesën e njërit prej Sekretarëve të Komitetit Qendror. Ai rridhte nga një familje që ishte persekutuar shumë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe këtë gjë e shfrytëzuan oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët e rekrutuan menjëherë. Pasi e kishte rekrutuar, Sigurimi Shtetit bëri një lojë, duke hapur fjalë se ai ishte arratisur, ndërsa e kishte përcjellë vetë për në Malin e Zi dhe brenda tre ditëve ai arriti në Itali. Në Romë ai u paraqit tek Ernest Koliqi, duke i thënë se ishte i arratisur nga Shqipëria dhe i kërkoi ndihmë për t’i gjetur punë. Koliqi pasi e mbajti tre ditë në shtëpi, e përzuri sepse kishte marrë të dhëna nga Gjon Gjinaj, i cili i kishte thënë se Ndoc K. ishte agjent i Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe se aty kishte ardhur me mision të veçantë.

Nga i mësuat ju të gjitha këto?

Të gjitha këto biseda mua m’i tregoi vetë Ndoc K. kur erdhi në SHBA-ve, por ai nuk pranonte se ishte agjent i Sigurimit të Shtetit.

Po pse erdhi Ndoc K. në SHBA-ve dhe si hytë ju në kontakte me të?

Ndoc K. erdhi në SHBA-ve sepse një nga misionet kryesore që i kishte ngarkuar Sigurimi i Shtetit, ishte që ai të mblidhte informata rreth grupit që kishte hedhur bombat në ambasadat e Romës e Parisit. Ndoc K., pasi u përzu nga Ernest Koliqi, mundi që të merrte të drejtën e azilit politik për në SHBA-ve, nëpërmjet zonjës Sofie K. e cila punonte në zyrat e emigracionit amerikan me qendër në Romë. Sofia bënte lojë të dyfishtë, duke punuar edhe për amerikanët edhe për Sigurimin e Shtetit Shqiptar, për arsye se ajo kishte farefisin e saj të persekutuar në një fshat të Lushnjes. Kështu sipas urdhërit të Sigurimit të Shtetit, ajo i dha Ndocit azilin politik për në SHBA-ve. Kur erdhi në SHBA-ve, Ndoci shkoi menjëherë në Misionin Shqiptar pranë OKB-së, ku mori kontakt me Sokrat Çomon, që ishte njeriu i Sigurimit të Shtetit dhe ishte i kamufluar si diplomat pranë atij Misioni. Ndoci i dha parrullën që kishte marrë nga Sigurimi në Shqipëri dhe Sokrati i dha atij detyrat që duhej të kryente atje. Gjëja e parë që bëri Sokrati me Ndocin, ishte prezantimi me një shqiptar tjetër të quajtur Loro Shpori dhe të dyve i’u vuri si detyrë që të zbulonin se: kush ishin ata që kishin vënë bombat në ambasadat shqiptare të Romës e Parisit.

Kush ishte Loro Shpori dhe a njihej ai me Ndoc K.?

Loro Shpori ishte nga një fshat i Shkodrës dhe kishte qenë në burg si i dënuar politik. Kur ishte liruar nga burgu ai ishte arratisur nga Shqipëria dhe kishte ardhur në SHBA-ve. Me Loro Shporin unë kisha pasur miqësi që përpara se ne të fillonim aksionet tona dhe më pas ai e kishte nuhatur se unë bëja lëvizje të shumta me avione nëpër Europë. Loro me prezantoi me Ndoc K. dhe në atë kohë Ndoci mu qep keq mua, gjoja si shok i ngushtë e më vinte dhe në shtëpi. Në atë kohë Loron e kishte takuar Sokrat Çomo dhe e kishte rekrutuar që ai të punonte për llogari të Sigurimit të Shtetit shqiptar, duke i ngarkuar edhe detyrat që duhej të kryente. Si shpërblim ndaj kësaj Sokrati i kishte premtuar disa privilegje që ai të dërgonte para e pako tek njerëzit e tij në Shqipëri, sa të donte dhe pa doganë.

Nga i dinit ju këto dhe cilat ishin detyrat që i’u ngarkuan Loro Shporit?

Të gjitha këto mua m’i tregoi vetë Loro Shpori dhe misioni që ishte ngarkuar atij ishte: të survejonte katër kafenetë e shqiptarëve që ndodheshin në rrugën “Allen” në New York, Kafe “Tirana”, “Çajupi”, “Ali Pashë Tepelena” dhe “Rozafa”. Po kështu Loro Shpori më tregoi edhe për Ndoc K. që ishte agjent i Sigurimit të Shtetit. Pasi Loro na tregoi për marrveshjen që kishte bërë me Sokrat Çomon, ne i thamë që ai të bënte detyrën, por para se t’i dërgonte informatat në Misionin shqiptar të OKB-së, ai duhej të na i sillte ne.

A e bëri këtë gjë Loro Shpori dhe përse ju vazhdonit të mbanit shoqëri me Ndoc K. kur e dinit që ishte agjent i Sigurimit?

Loro pranoi ta bënte atë që i thamë ne dhe atyre të Misionit të OKB-së, u dërgonte informata pa rëndësi, menjëfjalë bënte lojë të dyfishtë. Në fillim ne nuk e njihnim Ndoc K., po kishim njëfarë dyshimi, se ai rrinte pa punë në SHBA-ve. Ndërsa kur ne e morëm vesh se ai ishte agjent i Sigurimit, e demaskuam keqas në të gjithë mërgatën shqiptare dhe ai mbeti ‘kartë e djegur’ në emigracionin antikomunist. Megjithëkëtë ai e vazhdonte punën e tij.

Përveç Ndoc K dhe Loro Shporit a kishte agjentë të tjerë të Sigurimit të Shtetit që ishin vënë për të gjurmuar grupin tuaj?

Në atë kohë që ne kishim kryer aksionet e para nën drejtimin e “Frontit të Rezistencës, Sigurimi i Shtetit ndërmori një ofensivë të madhe për të rënë në gjurmët tona dhe kjo dukej nga agjentët e shumtë që rekrutoi dhe nisi në SHBA-ve. Përveç Loro Shporit dhe Ndoc K., në atë kohë erdhi në SHBA dhe një djalë i ri 26-vjeçar, i quajtur Tom M. Toma ishte nga Selca e Vermoshit të Shkodrës dhe rridhte nga një familje shumë e persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Babai i tij ishte pushkatuar më duket aty nga viti 1947 në qytetin e Korçës, ndërsa xhaxhai i tij vazhdonte të ishte në burg, si i dënuar politik. Po kështu Toma kishte dhe njerëz të tjerë nga fisi i tij të pushkatuar e nëpër burgje. Në atë kohë Toma ishte i internuar në ishullin e Lezhës, ku shkonte shpesh për gjueti Kadri Hazbiu. Tom M. e thirri Kadri Hazbiu dhe e përpunoi me qëllim që ta sillte në SHBA-ve, për të ndjekur grupet tona të “Frontit të Rezistencës Antikomuniste”.

A erdhi Tom M. në SHBA-ve?

Menjëherë pas përpunimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, Toma u përcoll nga Sigurimi i Shtetit për në Itali, ku nëpërmjet ambasadës sonë dhe Sofie K., ai erdhi në SHBA-ve. Në atë kohë që Sigurimi përcolli Tomën për në Itali, gjithashtu përcolli për në Mal të Zi edhe vëllanë e tij Dedën, i cili gjithashtu ishte rekrutuar prej Sigurimit. Për të humbur gjurmët e lojës të Sigurimit të Shtetit me Tomën e Dedën, ata hapën fjalë se dy vëllezërit M., ishin arratisur për në Itali me anë të një varke nga fshati Tale i Lezhës. Toma mbërriti në SHBA-ve me gjithë gruan e tij dhe djalin e vogël, ndërsa i vëllai Deda, u la në zonën kufitare të Malit të Zi me Shqipërinë, për të hetuar bazat e grupeve tona që ishin krijuar nga Dr. Hamdi Uruçi. Menjëherë pas ardhjes në SHBA-ve, ku Tomës i lindi dhe një vajzë, ai shkoi në Misionin Shqiptar pranë OKB-së dhe mori takim me Sokrat Çomon. Sokrati e lidhi Tomën me Ndoc K. dhe Toma për afro tetë muaj, që qëndroi në SHBA-ve, ku nuk punoi fare dhe pretendonte se merrte asistencë.

Si ratë në kontakt ju me Tom M?

Pas tetë muajve, sipas udhëzimeve që kishte marrë nga Kadri Hazbiu, Toma u paraqit në zyrat e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe kërkoi takim me krerët kryesor të tij. Ata e pritën Tomën i cili iu tha atyre se kishte dëshirë që të dilte vullnetar për të shkuar në Shqipëri, e për të luftuar kundër komunizmit, sepse komunistët i kishin vrarë babën dhe i kishin persekutuar gjithë farefisin.

Cila ishte përgjigja që Toma mori nga krerët e Komitetit “Shqipëria e Lirë”?

Anëtari i kryesisë së Komitetit. Dr. Hamdi Uruçi, e pyeti Tomën se si e vërtetonte ai se komunistët i kishin vrarë babën dhe Toma i’u përgjigj’ se aty në New York, kishte plot bashkëfshatarë të tij të cilët mund të pyeteshin rreth atyre çka kishte thënë ai.

A i interesua kryesia e Komitetit për Tomën?

Po, për atë gjë u pyetën shumë njerëz dhe rezultoi se ishte ashtu siç thoshte Toma.

Çfarë ndodhi më pas me Tomën?

Pasi u vërtetuan fjalët e Tomës lidhur me biografinë e tij, ai doli vullnetar që të vinte me mua me mision në Shqipëri, duke thënë se donte të merrte hak ndaj komunistëve. Unë pranova se nuk më shkonte kurrë në mëndje, se ai djalë i ri të ishte përpunuar nga Sigurimi Shtetit. Pasi kësaj ne morëm detyrat rreth misionit që do të kryenim në Shqipëri dhe më 26 prill të vitit 1975 unë me Tomën i hipëm avionit në New York dhe mbërritëm në Athinë.

Vetëm me Tomën shkuat në Athinë?

Po, vetëm me Tomën dhe pas tre ditësh, në Athinë erdhi për të na takuar Nikolla Plesati, i cili ishte nga Korça dhe banonte në Igumenicë.

Kush ishte Nikolla Plesati dhe përse erdhi për t’ju takuar?

Nikollës i kishte vdekur babai (Thoma Plesati) në burgjet e Shqipërisë komuniste në vitin 1953 dhe në atë kohë ai kishte dhe dy vëllezër, Koçon e Llambron, të cilët gjithashtu ishin në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai do të na shoqëronte ne për në Prevezë, ku do të bisedonte me kolonelin amerikan Bill, që të na furnizonte me armatime, sepse me urdhërin e majorit Tomas Smith, ne nuk mund të merrnim më armë aty.

A ju nxori pengesë koloneli Bill?

Ai nuk na nxori asnjë pengesë dhe pas bisedës që bëri Nikolla me Billin, ai na furnizoi me të gjitha armatimet e nevojshme.

Çfarë bëtë pasi u furnizuat me armatime?

Pas kësaj ne bëmë planin se si do hynim në Shqipëri. /Memorie.al

Vijon nga numri i ardhshëm

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/