Trap

Sep 16, 2018 | 13:51
SHPËRNDAJE

tupe

Ndoshta fjala, që kam zgjedhur sot për titull të rubrikës sime të përjavshme, është njëkohësisht me një tjetër fjalë tepër vulgare, e cila fillon me “k” dhe mbaron me “r”, njëra prej fjalëve më të përdorura nga qytetarët e Republikës marrëzisht demokratike të Shqipërisë, sidomos kur ata duan të shajnë dikë, të tallen me atë apo të shfryjnë kundër atij. Gjithsesi, para se të hyj në thelb të çështjes që kam ndër mend të prek, dëshiroj t’i drejtohem “Fjalorit  të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) për t’i njohur më hollësisht lexueset e lexuesit e mi, tërësisht apo pjesërisht besnikë, me kuptimet që ka fjala “trap”. Ky fjalor na mëson se kështu u quajtka 1) vija që hap në tokë plori i parmendës; hendeku; një përrua i ngushtë e i thellë. 2) e thelluara midis mollaqeve. 3) gropa në tokë ku futin patatet gjatë dimrit; një gropë e madhe, një transhe. 4) rripi i tokës midis dy arave. 4) një udhëz në mal a në pyll, një shteg, një dhiare. 5) një mjet i thjeshtë lundrimi, i ndërtuar me trungje të lehta ose mbi dy lundra të vogla.

Nga ky kalim i shpejtë në revistë i kuptimeve të ndryshme të fjalës “trap”, rezulton se kur e shajmë dikë duke i thënë, për shembull, “Çfarë trapi!”, “Ti qenke trap fare!”, “Trap si ti nuk më kanë zënë sytë ndonjëherë!” etj., etj., ne i referohemi kuptimit 2 të fjalës “trap”, pra, duke e krahasuar zotërinë në fjalë me atë pjesë të trupit të njeriut që, në shqipen e përditshme, e quajmë “bythë” (u kërkoj ndjesë për këtë fjalë veshëve tejet të moralshëm të atyre që janë duke më lexuar në këtë çast!), çka e thekson edhe përdorimi i fjalës “trap” në shprehje të tilla si “Mjaft na çave trapin me llafe!”, “Na çau trapin ky njeri!”, “Ç’më çan trapin edhe ti!”, etj., etj..

Mirëpo, në gjuhën shqipe ekzistojnë disa emra të përgjithshëm që kanë në përbërje edhe katër shkronjat e fjalës “trap”, për shembull, fjala “satrap”, kuptimin e së cilës fjalori i lartpërmendur e shpjegon si vijon: 1. “sundimtar me pushtet të pakufizuar i një krahine në Perandorinë e vjetër Persiane dhe në Indi. 2. sundimtar a drejtues i egër e despotik; ai që shtyp dhe shfrytëzon të tjerët pa mëshirë”. Në këtë kuptimin e dytë, fjala “satrap” u përdor dendur nga aparati propagandistik i diktatorit Hoxha për gati gjysmë shekulli kryesisht, sidomos e në veçanti për të stigmatizuar mbretin Zog në shprehje të tilla si “regjimi i satrapit Zog”, i cili, gjithnjë sipas frazeologjisë komuniste, “ia merrte frymën popullit me taksa të rënda”. Sot që regjimi i Edi Ramës po rikrijon shtetin e modelit kapitalist të mbështetur, ndër të tjera edhe te taksat, nostalgjikët e regjimit të Enver Hoxhës, duke u mburrur se ky xhelat i përbindshëm ndërtoi një shtet pa taksa, të vetmin në botë, për popullin e tij (paçka se arrestoi, gjykoi e dënoi me burgime, internime, pushkatime e varje mijëra njerëz të dalë nga gjiri i këtij populli), së shpejti nuk do të mungojnë ta cilësojnë Edi Ramën si “satrap që po ia merr frymën popullit të tij me taksa të rënda”! Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, sidomos nëse regjimi i Edi Ramës do të jetë po aq jetëgjatë sa ai i mbretit Zog, ka shumë të ngjarë që, pasi Edi Rama të mos sundojë më, historianët neoenveristë ta cilësojnë atë, në botimet e tyre, si “regjimi i satrapit Rama”, gjithmonë në kuptimin e dytë të fjalës “satrap”, natyrisht sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006). Gjithsesi, sa për sqarim, ky arsyetim nuk është aspak i imi, për këtë e vë dorën, madje edhe trapin, në zjarr; jo, besomëni, atë e dëgjova nga goja e një nostalgjiku të regjimit jo vetëm të satrapit, por edhe të kasapit Enver Hoxha. Ky zotëri, krejt rastësisht, u quajtka Esat Rapi, kështu m’u prezantua, dhe – O mrekulli e gjuhës shqipe! – me një sy sadopak vigjilent e me një mendje sadopak të mprehtë, çdo lexuese e çdo lexues i kësaj rubrike të përjavshme nuk do ta kishte hiç të vështirë të vërente se fjala “satrap” bën pjesë në vetë togfjalëshin e formuar nga emri e mbiemri Esat Rapi.

Së fundi, por jo më së paku, fjala “satrap” fsheh në vetvete një kurth fort të lezetshëm! Çfarë kurthi? Vriteni paksa mendjen dhe do ta gjeni. Nuk e gjetët? Vërtet? Atëherë po jua them: Së pari, ndajeni fjalën “satrap” në dy pjesë: “sa” dhe “trap”; së dyti merrni një emër çfarëdo, Ramadan, Ramiz ose Ramush, pak rëndësi ka; së treti, vërini secilit përpara fjalën “satrap” dhe do të përftoni togfjalëshat “Satrap Ramadani!”, “Satrap Ramizi” dhe “Satrap Ramushi”; së katërti e së fundi, ndajeni më dysh, siç e shpjegova pak më lart, fjalën “satrap” dhe do të përftoni togfjalëshat “Sa trap Ramadani!”, “Sa trap Ramizi!” dhe “Sa trap Ramushi”! A nuk ju duket kjo tejet zbavitëse në Republikën Ramokratike të Shqipërisë?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura