Trakte për Vorio Epirin, nga Greqia hidhen në Himarë

Feb 16, 2014 | 17:50
SHPËRNDAJE

“Të parët tanë i shlyen detyrimet e tyre, po ne ç’bëjmë?
Skllav është ai që pret ta çlirojnë të tjerët.
Komiteti Qendror Vorio Epir, 1914.”
Trakte antishqiptare nga Greqia në Himarë. Mbrëmjen e së premtes fletushka që përmbanin shprehje antikushtetuese u shpërndanë në qytetin e Himarës.

Me një foto të vitit 1914 kur grekët shpallën të ashtuquajturën Krahinë Autonome të Epirt të Veriut, në këto fletë thuhej në greqisht se “skllav është ai që pret ta çlirojnë të tjerët. Përpara 100 vjetësh, paraardhësit tanë vepruan, sot ne çfarë bëjmë?!”. Traktet e para u pikasën nga banorët e qytetit që lajmëruan menjëherë policinë, e cila ndaloi për disa orë 28-vjeçarin Filip Dhimojani, lindur dhe banues në Himarë. Ai i kishte hedhur fletët përgjatë bulevardit kryesor të Himarës, duke tërhequr vëmendjen e banorëve. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së postës së Himarës, të cilët kanë konstatuar se fletushkat antikushtetuese i kishte shpërndarë Dhimojani. Policia ka kryer kontrollin në banesën e tij, duke gjetur një sasi tjetër të fletëve me thirrjet antikushtetuese, si ato që ishin shpërndarë në bulevardin e Himarës, ndërsa të tjera u gjetën në automjetin e tij personal, me targa greke. Fletushkat e shpërndara në bulevardin kryesor të Himarës janë mbledhur nga punonjësit e Policisë së Himarës në cilësinë e provës materiale. Më pas policia ka sekuestruar të gjitha fletët me thirrje antikombëtare dhe antikushtetuese të shkruara në gjuhën greke; ka sekuestruar automjetin, si dhe ka shoqëruar fillimisht në Policinë e Himarës Dhimojanin dhe më tej në Komisariatin e Vlorës. Ai është marrë në pyetje në lidhje me këto trakte në gjuhën greke, të cituara nga komiteti qendror “Vorio Epir 1914”. Dhimojani ka deklaruar se, para disa ditësh i njohuri i tij nga Himara, S.Dh, i cili aktualisht banon në Greqi, nëpërmjet komunikimit në “Facebook”, i ka kërkuar të shpërndajë një sasi fletushkash në Himarë, kërkesë kjo e pranuar nga Dhimojani. Shtetasi me inicialet S.Dh., pas disa ditësh, Dhimojanit i ka dërguar me postë një pako në të cilën ishin një sasi e konsiderueshme fletushkash me thirrje antikushtetuese. Një ditë më vonë, pas marrjes së pakos, të dy të njohurit kanë komunikuar përsëri në “Facebook”. Dhimojani i ka thënë se porosia i kishte ardhur me postë dhe gjithçka ishte në rregull. “Ok, – ka thënë S.Dh. – Tani është detyra jote t’i shpërndash ato në gjithë Himarën, në rrugë, lokale, banesa dhe t’i vendosësh nëpër mure, madje t’i shpërndash edhe në zonën jashtë Himarës”. Pas marrjes së pakos dhe urdhrit të dhënë nga S.Dh., Dhimojani e ka zbatuar atë, duke shpërndarë mbrëmjen e kaluar fletushkat antikushtetuese në bulevardin kryesor të Himarës. Pas shoqërimit në Komisariat dhe marrjes në pyetje nga grupi hetimor, shtetasi Filip Dhimojani, 28 vjeç, është lënë i lirë, duke vazhduar hetimet ndaj tij në gjendje të lirë me akuzën “shpërndarje të fletushkave me thirrje antikushtetuese”. Ndërkohë, shtetasi tjetër është shpallur në kërkim policor me të njëjtën akuzë. Nuk dihet ende nëse për këtë shërbim Dhimojani është paguar apo e ka bërë me dashjen e tij, ndonëse nuk ka dhënë shpjegime për këtë.

MEDIAT NË GREQI: U ARRESTUA NJË SHTETAS GREK
Mediat greke shkruan dje se policia shqiptare arrestoi të shtunën në mëngjes një grek vorio-epirot në Himarë. “Arrestimi i tij u krye pasi shpërndau parulla në qendër të Himarës për 100-vjetorin e autonomisë së Vorio Epirit. Cila është shkelja, këtë nuk mund ta kuptojmë(!) Vetë shteti shqiptar e ka “njohur” autonominë e Vorio Epirit, të paktën si ngjarje. Ky veprim i policisë shqiptare tenton të trembë dhe një herë vorio-epirotët, duke u hequr të drejtën të festojnë ashtu siç ata mendojnë”. Një vit më parë, Kristo Papas, përfaqësuesi i partisë ekstremiste “Agimi i Artë”, deklaroi në një intervistë televizive se Greqia do ta marrë me ushtri Vorio Epirin, pasi i takon shtetit grek. Pas kësaj deklarate, Ministria e Jashtme e shpalli person non grata Papasin.

HIMARE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura