Tiranë, vetëhelmohet 12-vjeçarja, piu 28 kokrra qetësues

Mar 2, 2015 | 17:31
SHPËRNDAJE

Një vajzë 12 vjeçe është vetëvrarë duke pirë 28 kokrra qetësues, që përdoren kryesisht për të vënë në gjumë.

Foto Ilustruese

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Viktima Glenda Gj., nxënëse e klasës së gjashtë në shkollën 9-vjeçare të Yzberishtit, është e bija e punonjësit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Kastriot Gj. Ajo është gjetur me tension 0 nga fqinjët, kur ishte në banesë vetëm me motrën më të vogël. E mitura është dërguar me urgjencë në spitalin toksikologjik në QSUT, por sapo ka mbërritur aty ka ndërruar jetë.

Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, të dy prindërit kanë qenë me shërbim turn i tretë, ndërsa u kishin kërkuar fqinjëve që të shkonin herë pas here në apartamentin e tyre, në pallatin përballë kombinatit të mishit. Po ashtu, as vëllai 19-vjeçar i viktimës nuk ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes.

Në këtë kohë mendohet se vajza ka pirë kokrrat e gjumit dhe është gjetur pa ndjenja nga fqinjët. Burime nga Policia thanë se sapo është dhënë njoftimi në sallën operative, një grup oficerësh nga Komisariati Nr.6 ka shkuar në banesën ku ndodhi ngjarja dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat. Megjithatë, deri pasditen e djeshme, motivi i vetëvrasjes së 12- vjeçares ka vijuar të mbetet mister, për shkak se ende nuk është bërë pyetja e familjarëve, apo e mësueseve dhe shokëve e shoqeve të klasës.

Ndërsa vetë Glenda nuk kishte lënë asnjë shënim për të shpjeguar se përse kishte marrë vendimin të vriste veten.

HETIMI

Edhe dy ditë pas ngjarjes, oficerët e Policisë së Tiranës nuk kanë arritur të zbulojnë motivin e vetëvrasjes së vajzës së kolegut të tyre. Ndonëse hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes kanë nisur që prej orëve të vona të së premtes, pasi vajza ndërroi jetë në spitalin toksikologjik, Policia e ka pasur të pamundur të marrë deklarimet e prindërve të vajzës e vëllait të saj më të madh.

Burimet thanë se gjendja psikologjike e nënës dhe babait të saj ka qenë mjaft e rënduar dhe oficerët kanë rënë dakord me kolegun e tyre, Kastriot Gj., që të paraqitet vetë për të dhënë deklarimet e nevojshme, pasi të jetë më i qetë.

Ndërsa grupi hetimor ka marrë në pyetje fqinjët e familjes, të cilët kanë qenë të parët që janë përballuar me viktimën. Në dëshminë e tyre, çifti që banon në të njëjtin kat me familjen e viktimës, kanë deklaruar se në mbrëmje kanë trokitur në derë, pasi nëna e vajzës Alma Gj. u kishte kërkuar që të kujdesej për të bijat herë pas here. Por pasi askush nuk e ka hapur derën, ata janë futur për të parë se çfarë po ndodhte. Në atë moment, kanë gjetur 12- vjeçaren pa ndjenja në dhomën e saj. Janë përpjekur fillimisht që ta zgjojnë, por kanë parë se ajo nuk kishte puls dhe menjëherë e kanë nisur për në spital. Sipas tyre, zemra e vajzës ka pushuar së rrahuri sapo mjekët e kanë marrë për ta futur brenda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura