Thimi Mitko përmes letrave me De Radën

Mar 30, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

YMER ÇIRAKU

   Letërkëmbimi mes dy atdhetarëve mbi politikën dhe gjuhën

“Informacionet mbi raportet me grekët dhe mbi teorinë e rrënjëve pellazge të shqipes”

Letërkëmbimet janë një traditë mjaft e njohur në botë, të cilat vërehen të kenë qarkulluar në kohë e në rrethana të ndryshme, edhe mes personaliteteve të botës shqiptare. Sado brenda formatit konfident që ato kanë/përcjellin, letërkëmbimet përcaktohen si burime të dorës së parë, pasi krijojnë mundësi për të depërtuar në trajtat më autentike e më shumëkahëshe të situatave e ngjarjeve të ndryshme, qofshin këto të natyrës personale – apo përtej personale. Në një letër të formuluar me destinacion adresimi, shënjohet jo vetëm një informacion dhe njëherazi gjykim/vlerësim i caktuar (autonom) i përpiluesit të saj, porse aty kryqëzohen thekshëm edhe një mori të dhënash të tjera rrethanore, të cilat vijnë si përcjellje reciproke mes dërguesit e marrësit. Dhe këto për studiuesit mund të jenë (sipas rastit) pista të atilla, që jo pak herë mund të çojnë natyrshëm në zbulime të dhënash dhe në interpretime mjaft të rëndësishme të natyrës historike, filologjike, antropologjike, ekonomike etj.
Është tashmë e njohur, si traditë e letërkëmbimeve, edhe ajo mes mjaft figurave të shquara shqiptare. Epoka e Rilindjes sonë Kombëtare e pati këtë dukuri mbase në kuotën më të lartë dhe kjo shpjegohet me faktin se protagonistët e kësaj lëvizjeje ishin të detyruar ta ushtronin misionin e tyre kryesisht në qendra jashtë Shqipërisë dhe letërkëmbimi mbetej instrumenti që mund ta luante më mirë rolin e komunikimit mes tyre. Vitet e mëvonshme, ky model shkrimi do të vazhdonte të funksiononte, porse do të orientohej më së shumti drejt formatit të dialogëve në distancë të këmbimit apo parashtrimit të opinioneve dhe vlerësimeve intelektualiste, të natyrës këto filozofike, estetike, morale, politike, teologjike…
Në korpusin e veprës së Th. Mitkos (1820-1890) zënë jo pak vend edhe letërkëmbimet e tij me shumë nga personalitetet e njohura të kohës, shqiptarë e të huaj. Mund të përmendim korrespodencën e tij me Dh. Kamardën, P. Kupitorin, K. Kristoforidhin, Th. Krein, J. Jarnikun, G. Majerin, F. Krispin, A. Frashërin, Dora d’Istrian, K. Zhapën, V. Dodanin etj. Këto letra, ndonëse janë dërguar në kohë e nga qytete të ndryshme të tri kontinenteve si: Vjena, Athina, Selaniku, Aleksandria, Stambolli, Trieste, Manastiri, Bukureshti…, kudo ku ndodhej Mitkoja, gjithsesi, kryetema në to do të mbetej çështja shqiptare, kërkimi dhe gjetja e rrugëve për të projektuar e për të zgjidhur fatin e Shqipërisë.
Letrat e Th. Mitkos drejtuar De Radës zënë për nga vëllimi ndofta numrin më të madh të tyre. Letërkëmbimi mes tyre përfshin afër 70 letra të nisura prej Mitkos që njihen gjer më sot. Përtej sjelljes e përkujdesjes njerëzore, shfaqur në mënyrë të përkorë e aq prekëse në çdonjërën prej tyre, aty përcillet vizioni dhe angazhimi i qartë i Mitkos në realizimin e projektit rilindës për zgjimin e botës shqiptare. Te shkrimtari më i autoritetshëm arbëresh (sikundër ishte De Rada), ai e ndien të nevojshme t’i përcjellë atij në mënyrë sistematike informacion të hollësishëm prej ngjarjeve ballkanike të ndodhura rrotull trojeve shqiptare, prej aktivitetit të grupeve e shoqatave atdhetare, duke i dëshmuar me fakte e argumente se zgjidhja e çështjes shqiptare tashmë ka dalë në rend të ditës në kontekstin e Perandorisë Otomane. Sigurisht që nuk mund të ishte e rastësishme kjo lidhje e ngushtë e tij me këtë figurë arbëreshe. Kjo kishte të bënte me autoritetin e lartë që gëzonte ky personalitet, por edhe me qasjen që mund të kishte përmes tij e patriotëve të tjerë arbëreshë kauza shqiptare nëpër kancelaritë europiane. Pra, Mitkoja shihte/vlerësonte te De Rada dhe komuniteti arbëresh, përmes botimeve dhe influencave të tyre, një kanal mjaft të rëndësishëm për ta përcjellë atë kauzë edhe në qarqet perëndimore. Në një nga letrat e tij të datës 17.6. 1881, ai e ndien/shpall qartazi, duke u mbështetur edhe në pikëpamjen e Dora d’Istrias (shprehur te vepra e saj “La nazione Albanese”) se: …drita për të ndriturë Shqipërinë duhet të nisetë të dalë ngaha Italia… Dhe, me këtë rast, nuk ngurron ta dëshmojë entuziazmin e tij për projektin e De Radës për të nisur ngritjen e një tipografie arbëreshe në Itali, ku mund të realizoheshin në rrethana më të favorshme për kushtet e kohës – edhe botime nga plejada e patriotëve shqiptarë. Madje, merr përsipër, krahas përpjekjeve për të siguruar pajtimtarë për revistën “Fiamuri i Arbërit” (1883-1887), që të mbledhë fonde nga shqiptarët e Egjiptit për të mbështetur ngritjen e tipografisë arbëreshe, të cilën, në mënyrë metaforike e quan një dritare mbi gjuhë tënë…, madje duke i sugjeruar që materialet të botohen edhe në italisht e frëngjisht, me qëllim që çështja shqiptare të bëhet e njohur sa më gjerë në qarqet europiane.
Mund të thuhet se Mitkoja ishte ndër ata personalitete që për kohën u përpoq të luante mbase misionin më të rëndësishëm për mbajtjen e kontakteve dhe të komunikimeve me arbëreshët e Italisë. Këto ishin kontakte me dobi të ndërsjella, të cilat i sillnin doemos edhe atij perceptime të tjera emancipuese, si vlera pasuruese këto, që vinin prej një metropoli të avancuar civilizues. Këtu mund të kujtojmë si faktor ndikues tek ai edhe ndryshimin e pikëpamjes për zgjedhjen/përcaktimin e alfabetit të shqipes, që, nga pranimi/zbatimi fillimisht të alfabetit të Stambollit – shkon te përkrahja e shkrimit të shqipes me alfabet latin, si më i dobishmi për shqiptarët nga çdo pikëpamje.
Prej letrave dërguar De Radës, përtej referencave të natyrës personale, transmetohen dukshëm një mori ngjarjesh e rrethanash të realitetit shqiptar, sigurisht të përjetuara e të gjykuara nga Mitkoja. Duhet kujtuar se ai ka intuitën, ka prirjen për lëvizje e kontakte të pandalura/palodhura kudo ku kishte koloni shqiptare, ka aftësi të rralla komunikuese me komunitetet shqiptare, por mbi të gjitha ka të fiksuar te vetja përkushtimin e palëkundur ndaj fateve të Shqipërisë, të cilat e bëjnë atë ta pasqyrojë/dëshmojë sa më bindshëm/objektivisht skakierën e ngjarjeve të kohës, duke mos dominuar në gjykim subjektiviteti, i cili sigurisht që nuk mund të jetë i përjashtuar, sidomos për vetë specifikën konfidente që ka zhanri i letërkëmbimit. Përmes letërkëmbimit që disponohet gjer më sot, del mjaft i spikatur profili i Mitkos njeri e patriot, prind e mik, idealist dhe praktik i orientuar drejt në jetë, i cili ruan koherencë të palëkundur për sa i përket angazhimit të tij ndaj misionit kombëtar, sado që mund të shfaqë/zgjedhë rrugë e pikëpamje të ndryshme për ta kryer atë, sipas koniunkturave e raporteve që krijohen.
Th. Mitko ndihmoi mjaft që të njihej mes shqiptarëve të viseve të ndryshme revista e De Radës “Fiamuri i Arbërit” dhe vetë drejtuesin e saj e mban në kontakt me botimet që bëhen nga shqiptarët në vise të ndryshme të botës. Tregon preokupim për t’i bërë të njohur e për t’i rekomanduar atij për kontakte – mjaft prej aktivistëve të njohur të çështjes kombëtare, i udhëhequr prej idesë se duhej kompaktësuar maksimalisht kjo lëvizje nacionale, që të mos mbetej kurrsesi ishullore, çka do t’i atrofizonte asaj energjitë. Është rasti të kujtohet p.sh. letra ku Mitko i bën atij të njohur figurën e Abdyl Frashërit, duke u kujdesur t`i tregojë edhe adresën e tij, me qëllim që të vendoseshin kontakte mes tyre. Madje, në një letër tjetër, nisur dhe prej një dëshire që kishte shfaqur De Rada për të vizituar Shqipërinë, por që në fakt nuk u realizua dot asnjëherë, Mitko e siguronte se miku më i mirë për të në këtë pelegrinazh atdhetarie do të ishte pikërisht A. Frashëri, që kësaj kohe ndodhej në Janinë e mund të dilte ta priste atë në port të Prevezës. Madje, nuk harron ta njoftojë edhe për rolin e madh që ai po luante në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, deri në rënien e saj prej ushtrisë otomane (1881) dhe kur A. Frashëri, si shumë eksponentë të tjerë të kësaj lëvizjeje kombëtare, dënohet me vdekje e që pastaj i kthehet në burgim të përjetshëm.
Si edhe në letërkëmbimet me atdhetarë të tjerë të njohur e me albanologë të kohës, edhe me De Radën, Th. Mitko gjen rastin të këmbejë pikëpamje e të marrë informacion rreth historisë së shqipes e të shqiptarëve, mbi raportet e tyre me fqinjët e sidomos me grekët, mbi teorinë e rrënjëve pellazge të shqipes – që kësaj kohe kishte marrë njohje të gjerë ndër studiues, mbi rrugët që duhej të merrte arsimi në shqip etj. Në rrethana krejt autodidakte, ai u kishte hyrë hulumtimeve historike, gjuhësore e folkloristike shqiptare, me një përkushtim admirues, duke mos i dëshmuar ato vetëm si pjesë të diskursit të tij propagandistik nëpër klubet e kohës, por edhe duke i dokumentuar konkretisht në shkrime të atilla, të cilat edhe sot vazhdojnë të kenë vlerë të dorës së parë. Dhe, me gjithë këto punë të çmuara që la pas – Mitko rrezatonte një përvujtëni impresionuese/prekëse dhe për këtë mund të kujtojmë atë çka i shkruante në letrën e tij një arbëreshi tjetër, Dhimitër Kamardës, ku mes të tjerash theksonte me modesti: … u lutemë të mos pantehini semos u (a unë) boj të diturin, të ditshmin a filologun mbi gluhënë tënë, por tue klënë këjo e pashkruar gluhë, e humbur edhe e zbjerë, dua t‘u dëftoj vetëmë fjalët e dialektit tonë…
Në letrat që i dërgon De Radës Th. Mitko, gjen rastin të shprehë një varg pikëpamjesh mbi Shqipërinë e pas pushtimit. Në këtë vend ai sheh një natyrë të begatë ku mund të kultivohen drithëra e pemëtari pa fund dhe shkruan me entusiazëm se …Myzeqea është një tokë posi Egjypti e posi Napoli i Italisë… se ka tre lumëra të mëdhenj, posi Nili i Egjyptit, ndëpër të… (letër më 17.7. 1880) Po në këtë letër e në të tjera, tregohet i preokupuar e jep vlerësime edhe për statusin politik të Shqipërisë pas shkëputjes së saj nga Perandoria Otomane. Një farë kohe i përmbahet variantit të përfshirjes brenda një konfederate me Greqinë, nisur prej fqinjësisë së lashtë dhe sidomos prej pranisë disamilionëshe të arvanitasve atje dhe të rolit vendimtar të tyre në historinë, qeverisjen dhe në kulturën e ekonominë atje. Por shpejt do t‘i largohet kësaj ideje, pasi te qarqet ultranacionaliste të megalidhesë greke shikonte orekse gllabëruese dhe jo bashkëpunuese me shqiptarët. …Elenëtë nuk‘ kan‘ besë, nuk kan‘  fjalë nderi. Udh‘ e tyre ësht‘ një rrëzim për ata vetë e për Shqipëërinë…, i shkruan De Radës, duke dëshmuar vizion largpamës, që i kapërcente interesat/pasionet thjesht nacionale, duke u kujtuar përfaqësuesve të qarqeve shoviniste greke se, nga një Shqipëri e rrënuar, siç ata synonin ta bënin atë me politikat e tyre dritëshkurtra, nuk do të kishin asnjë përfitim dhe do të rrënoheshin edhe ata vetë. Sipas pikëpamjes së tij të drejtë për kohën, një aleate strategjike e Shqipërisë asokohe mbetej të ishte Austria, e cila do të luante rolin e një bastioni të sigurt për të ndalur orekset/dyndjet sllave e të fqinjëve të tjerë mbi territoret e saj.
Për nga tipologjia e tyre, letrat e Mitkos drejtuar De Radës kanë një veçori dalluese krahasuar me ato drejtuar figurave të tjera të njohura të kohës, qofshin shqiptarë apo të huaj. Ato kanë një intensitet të lartë komunikimesh, që duket si në numrin e madh të tyre, ashtu edhe në gamën e problematikave e të interesimeve të shprehura në to. Aty pleksen çështje nga më madhoret për fatet e atdheut e deri tek interesimet dhe sentimentet njerëzore, që dëshmojnë se Th. Mitko shikonte te De Rada një ikonë të autoritetshme të kauzës shqiptare, i cili rrezatonte vlera të mëdha prej një vendi, që sikundër shkruante Naimi …atje lind dielli ku perëndon. Kjo dëshmon një qëndrim të drejtë të tij, si për nga orientimi perëndimor, ashtu dhe për nga synimi për të bashkuar tërë gjymtyrët e botës shqiptare drejt rilindjes së energjive të saj – për betejën finale të çlirimit e të prosperitetit kombëtar. Me këtë mbase duhet shpjeguar edhe diskursi i letrave të tij, që kanë të derdhura edhe mjaft shprehje e leksik nga dy dialektet e të folmet lokale, madje dhe dialekti arbëresh. Nuk besojmë që kjo të jetë shtyrë nga ndonjë projekt apo vetëdije e tij për modelin e një gjuhe të njësuar shqipe që duhej ndjekur, pasi ai do ta kuptonte i pari për atë kulturë jo të pakët që kishte edhe në filologji, se kjo do të ishte sajesë artificiale dhe kakofonike, sikundër ia kishte ënda të shprehej shpesh për zgjidhjet arbitrare apo të pamenduara mirë. Këto shprehje të fondit të gjerë dialektor të shqipes – të derdhura në shkrimet e tij, me sa duket janë pjesë e stilit të paramenduar apo tendencioz, për të dëshmuar përbashkësinë, vëllazërinë mes shqiptarëve. Në fakt, ky do të jetë lajtmotivi i tërë misionit të tij prej aktivisti atdhetar, prej publicisti, folkloristi e poeti.
Kjo kredo shprehet edhe te vjersha e tij “Mbë shqypëtarët”:

O vëllezër shqypëtarë/ju flas për ditë të mbarë!…/ Duhet, duhet të bashkohet
mbë një gjithë Shqypëria…/ Se flasin shqypen të tërë/ edhe quhen shqypëtarë,/ Perëndia i ka bërë/ një fëmijë të pandarë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura