Terrori me armë në Radhimë, ja çfarë u gjet mbi çatinë e banesës së të kërkuarit

Jul 21, 2018 | 11:11
SHPËRNDAJE

Mbi 20 gëzhoja të armëve të ndryshme janë gjetur në vendin e ngjarjes në Radhimë të Vlorës, ku u arrestua 38- vjeçari Gaqo Gjini.

Gaqo gjini

Pasi ky i fundit, sipas Policisë bëri rezistencë në momentin e mësymjes së banesës nga forcat e RENEA-s të shoqëruar me mjete të blinduara, ata qëlluan disa herë me armë duke e lënë të plagosur në këmbë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka konstatuar me dhjetëra gëzhoja armë, ndërsa të paktën 20 janë gjetur vetëm në çatinë e banesës ku u kap i kërkuari.

Oficerë të Policisë Gjyqësore dhe Policia e Vlorës kanë shkuar për rikëqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nga verifikimet e para mësohet se nuk ka qenë vetëm një efektiv Policie që ka qëlluar me armë gjatë operacionit, pasi gëzhojat u përkasin kalibrave të ndryshëm armësh.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, gëzhojat e gjetura do të kalojnë për ekspertizë balistike për të dalë dhe në përfundimin se sa armë kanë qëlluar gjatë operacionit.

Referuar burimeve nga vendi i ngjarjes, 38-vjeçari Gaqo Gjini ka qenë një person i skeduar nga Policia e Vlorës. Për këtë arsye u organizua një aksion me ndihmën edhe të RENEA-s.

Gjatë mësymjes në banesën ku qëndronte 38- vjeçari, ky i fundit, sipas Policisë, bëri rezistencë duke kërcënuar një prej punonjësve të saj me thikë. Për këtë arsye, pasi refuzoi të dorëzohej, sipas Policisë, është qëlluar me armë për neutralizimin e tij, gjë e cila solli dhe plagosjen me një plumb në këmbë. Ndërkohë, vetë familjarët thonë se Policia ka ushtruar terror të panevojshëm, pasi Gaqo nuk kishte armë.

Sipas tyre, Policia ka qëlluar me armë pa fund pas rrethimit të banesës. Dëshmi për këtë janë dhe gëzhojat e shumta që janë gjetur mbi soletën e banesës, përveç asaj të gjetur në afërsi të portës, që mendohet se i përket plumbit, i cili solli edhe plagosjen e 38- vjeçarit Gjini.

E gjithë kjo situatë ka shkaktuar panik te turistët e shumtë që ndodheshin në këtë zonë, ku një pjesë e mirë e tyre janë të huaj. Përveç Prokurorisë së Vlorës, hetim për mënyrën e kapjes të të kërkuarit do të kryejë edhe vetë Policia e Shtetit me anë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme, që vijon hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura