Terror në lokal, bie akuza për “vrasje në tentativë”

Dec 2, 2013 | 11:45
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës
Prokuroria ka kërkuar 23 vjet burg me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa gjykata ka vendosur ndryshimin e veprës penale objekt akuze dhe dënimin e të dyshuarit me 5 vjet burg. Më 26 nëntor 2013, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin përfundimtar për shtetasin Endrit Daci, i akuzuar për një ngjarje të ndodhur në një lokal në zonën e Porcelanit, ku dyshohej se ka shtënë me armë ndaj 4 personave. Për shkak të një konflikti të ndodhur në lokal në shtator 2012, i akuzuari Endrit Daci ka shkuar me armë aty dhe ka shtënë disa herë. Prokuroria e kishte akuzuar të pandehurin për vrasje të mbetur në tentative ndaj shtetasit Dritan Qello, 35 vjeç, i cili ka qenë i ulur në lokalin ku ndodhi krimi së bashku me shtetasit Bledi Haka, 31 vjeç dhe Ervin L., 32 vjeç. Tre personat që ndodheshin në tavolinë, dyshohet se kanë pasur një konflikt me pronarin e lokalit, shtetasin me iniciale Sh.Sh, 47 vjeç. Ky i fundit besohet se u ka treguar të afërmve për konfliktin që kishte me tre personat që ishin ulur në lokalin e tij dhe, për pasojë, nipi i pronarit, shtetasi Endrit Daci, ka shkuar në vendin e ngjarjes me një kallashnikov. Ai ka shtënë me armë, duke plagosur sipas gjykatës, shtetasin Bledi Haka dhe Dritan Qello. I lënduar lehtë ka mbetur edhe vetë pronari i lokalit, i cili ka marrë ndihmë mjekësore ne spital.
Ndryshimi i akuzës
Ngjarja për të cilën dyshohej i pandehuri Endrit Daci, ka ndodhur në fund të muajit shtator 2012. Në janar 2013, Prokuroria e Tiranës dërgoi çështjen në Gjykatë, me akuzat “vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë dhe prodhim e mbajtje të armëve luftarake pa leje”. Në fund të procesit në Gjykatën e Tiranës, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të të dyshuarit dhe dënimin e tij me 23 vjet heqje lirie. Pas 11 muajve në gjykim, togat e zeza kanë dhënë vendimin e tyre, duke rrëzuar të dyja kërkesat e Prokurorisë. Kërkesa e parë ka të bëjë me akuzën, pasi gjykata ka refuzuar të shpallë fajtor të pandehurin për vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë. Gjykata në vendimin e saj thekson se akuza për të cilën duhet të përgjigjet i pandehuri, është “plagosja në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme” në dëm të shtetasve Bledi Haka dhe Dritan Qello dhe armëmbajtja pa leje. Në bashkim të dënimeve që gjykata ka dhënë për secilën nga këto akuza, është vendosur që i pandehuri i kësaj çështjeje të vuajë 5 vjet heqje lirie. Para vendimit të gjyqtarit Albert Meça, avokatja e të akuzuarit kishte kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke kërkuar shpalljen e pafajshëm të klientit të saj.                         tr.so

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura