Tërmeti tragjik i nëntorit/ Nis ndërtimi i lagjes së parë në Laç, Ahmetaj: Çelësat, si sot pas një viti. Rama: Edhe pak durim, ata që nuk duan ta kuptojnë…

Aug 22, 2020 | 14:08
SHPËRNDAJE

ap lac

Nisi sot ndërtimi i lagjes së parë për familjet që humbën shtëpinë në tragjedinë e 26 nëntorit, nga tërmeti, në Laç.

“Për hajër”, shkruan kryeministri Edi Rama në postimin e tij në rrjetet sociale, krahas videos ku ministri Arben Ahmetaj ka inspektuar punimet.

“Si sot nje vit do vijme per ti sjelle celesat banoreve”, premtoi Ahmetaj.

“Ja ku filloi edhe ndërtimi në terren i lagjes së parë për familjet që humbën strehën në tragjedinë e 26 nëntorit! Them ndërtimi në terren, sepse shumëkush në këtë faqe nuk do që ta kuptojë, se ndërtimi ka nisur prej kohësh me projektimin, i cili merr kohën e vet nga planifikimi, dizajni arkitektonik, projekt-zbatimi, studimi gjeologjik – plus në këtë rast procesi i shpronësimeve dhe miratimi i marrëveshjes me kompaninë e donatorit, ndërkohë për ndërtimet me fondet e buxhetit të shtetit, do kohën e vet edhe procedura e garës deri tek kontrata me sipërmarrjen fituese. Disa e harrojnë ose duan ta harrojnë, se në rrugën e Rindërtimit hasëm për dreq edhe Covidin, që na hëngri jo pak kohë të çmuar dhe na i shtyu me detyrim kalendarët e realizimit të Programit të Rindërtimit.

Sidoqoftë, sot në Laç nisën gërmimet dhe tanimë puna nuk do të ndalojë deri në dorëzimin e apartamenteve e të njësive tregtare nga miqtë turq, për zonën 1, ndërkohë që për zonën 2, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit, po finalizohet procesi përpara hapjes së kantierit. Së shpejti hapen kantieret edhe në Durrës, me lagjen e re në Spitallë dhe pallatet e reja në pikat e ndryshme të qytetit, ku u shembën të vjetrit. Në kantieret e Durrësit, që financohen nga Emiratet e Bashkuara, do të punojë një kompani prestigjoze nga Dubai, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtësisht prej muajsh për projektet. Kavaja e Fushë – Kruja kanë nisur në terren me infrastrukturën ku do të ngrihen pallatet e reja, e së shpejti nisin të gjitha. Edhe pak durim dhe çdokush që pret apartamentin e ri, do të mund ta ndjekë me sy pallatin e vet të ri teksa hedh shtat?”, shkruan Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura