Tërhiqet ministria, shtyhet zhvarrosja e Ibrahim Kodrës

Feb 12, 2016 | 13:49
SHPËRNDAJE

Rezistenca e banorëve të Ishmit e ka detyruar Ministrinë e Kulturës ta shtyjë për më vonë zhvarrosjen e eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra.

ishem3Përmes një njoftimi për shtyp, ministria njofton se ceremonia e rivarrimit të Kodrës, e cila ishte njoftuar të ndodhte sot, në Kodrat e Liqenit, ku do të ngrihej edhe një memorial, “shtyhet për një datë tjetër të mëvonshme”.

“Ekzekutorët testamentarë kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e mbramë të Mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë, ose në Durrës.

Fondacioni ‘Ibrahim Kodra’, përjetësues të vullnetit të Mjeshtrit Kodra, në nismën e tij për plotësimin e vullnetit të Maestros paraqitur në Ministrisë e Kulturës, theksonte rëndësinë e promovimit të vlerës së artistit dhe të njeriut”, thuhet në njoftim.

PËRPLASJA

Pasi kanë kaluar 10 vjet nga vdekja e Mjeshtrit Ibrahim Kodra, pas kërkesave të vazhdueshme të ekzekutuesve të testamentit të tij, drejtuar shtetit shqiptar, u vendos zhvarrosja e eshtrave të piktorit nga vendi ku ai prehet, në vendlindjen e tij, në fshatin Ishëm. Ministria e Kulturës përcaktoi edhe vendin për varrin e ri të Kodrës, në Kodrat e Liqenit, pranë varreve të vëllezërve Frashëri e Faik Konicës.

Por ky vendim nuk u mirëprit nga banorët e Ishmit, të cilët dolën në protesta, duke deklaruar se do ta mbronin edhe me forcë varrin e bashkëfshatarit të tyre. Ata e konsideronin si një të drejtë legjitime që Kodra të prehej në fshatin e lindjes, ndërsa pretendonin se edhe dëshira e tij e fundit ka qenë pikërisht kjo, të prehej në vendlindje.

Por kjo kundërshtohet nga drejtuesit e fondacionit “Kodra” dhe ekzekutuesit ligjor të testamentit të tij. Këta të fundit prej vitesh ngulin këmbë se Kodra dëshironte të varrosej në një “vend të bukur, në Tiranë ose në Durrës”.

Më në fund, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Kodrës, Qeveria shqiptare vendosi të marrë parasysh kërkesën e fondacionit “Kodra”, por kanë hasur në rezistencën e banorëve të Ishmit. Ata nuk i kanë lejuar punonjësit e Bashkisë së Durrësit dhe të Tiranës të kryejnë zhvarrimin, zhvendosjen dhe më pas rivarrimin e eshtrave.

Edhe pse u zhvilluan disa takime mes Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësuesve të komunitetit, nuk u arrit gjuha e përbashkët, çka e detyroi Ministrinë e Kulturës dhe ekzekutuesit e testamentit të Kodrës të tërhiqen, deri në një afat të dytë nga nisma e ndërmarrë.

“Me kërkesë të vazhdueshme të ekzekutorëve testamentarë të Maestro Ibrahim Kodrës, në kuadër të dhjetëvjetorit të vdekjes së tij, Ministria e Kulturës, autoritetet vendore, në përputhje me ligjet në fuqi, nisën një bashkëbisedim me komunitetin e Ishmit, për të mundësuar vendosjen e eshtrave në Tiranë, sipas vullnetit të tij.

Me gjithë bisedimet disaditore të zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, të përfaqësuesve të ekzekutorëve testamentarë, si dhe angazhimit të deputetëve të zonës, si pasojë e keqkuptimeve, keqinformimeve dhe keqpërdorimeve për rastin në fjalë, një grup banorësh krijuan një rezistencë të paarsyeshme dhe të padrejtë për procedurat ligjore të përmbushjes së amanetit të fundit të Maestros.

Ky qëndrim i paarsyeshëm e pamundësoi përkohësisht realizimin e amanetit dhe nderimin e Maestros në një monument të ri në Tiranë, veç atij ekzistuesit në Ishëm”, vijon më tej njoftimi i Ministrisë së Kulturës.

PLOTËSIMI I AMANETEVE

Në njoftimin e saj, Ministria e Kulturës e lë evazive, nëse zhvendosja e eshtrave do të ndodhë ndonjë ditë, por shprehet se nuk do të heqë dorë nga realizimi i amaneteve të Kodrës, si ngritja e një qendre kulturore për fëmijë, por edhe ndërtimin e një pllake përkujtimore në Ishëm.

“Çdo debat tjetër mbi vullnetet e tij apo dëshirën se si ai donte të prehej mbeten interesa privatë, për të cilin askush nuk ka të drejtë të imponohet. Ministria e Kulturës nuk është ekzekutore testamentare e dëshirave dhe vullneteve të Mjeshtrit, por ajo do të vazhdojë të marrë të gjitha nismat për të bërë të mundur që komuniteti i artistëve shqiptarë, si dhe brezat e rinj të mund të përfitojnë nga gjenialiteti dhe bujaria e Mjeshtrit të Madh.

Qeveria mbetet e vendosur të përjetësojë figurën e Mjeshtrit, duke përmbushur plotësisht amanetet e tij që parashikojnë edhe themelimin e një Qendre Kulturore për fëmijë, ashtu si edhe e ka shprehur në një nga poezitë e tij:

“Kërkoj të mbjell në tokë/filizin e parë/farën e parë të ardhmërisë”. “Arti i Kodrës është një mesazh paqeje. Qeveria mbetet e vendosur të realizojë edhe në Ishëm pllakën përkujtimore, me qëllimin të ruajë emrin e Ishmit, si vendlindja e Ibrahim Kodrës”, thuhet në njoftimin e ministrisë, duke përfunduar se “Mjeshtër Ibrahim Kodra është shqiptari i madh, që përjetësoi me Artin e tij buzëqeshjen e njerëzimit. Ai është figura që na bashkon të gjithëve dhe i tillë do të mbetet dhe pas vdekjes”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura