Tërhiqet LSI, pakt me PS-në/ Pas 1 janarit akciza e gazit 8 lekë/litër

Dec 13, 2016 | 8:32
SHPËRNDAJE

Dy aleatët qeverisës, LSI dhe PS, arrijnë konsensusin për akcizën e gazit. Pas paktit mes dy partive, nga 1 janari i vitit të ardhshëm akciza e gazit për makinat do të jetë 8 lekë për litër.

Gjate mbledhjes se komisionit te ekonomise
Gjate mbledhjes se komisionit te ekonomise

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje me shumicë votash që akciza e gazit të jetë 8 lekë për litër, nga 13 lekë për litër që u propozua nga qeveria në paketën fiskale.

LSI fillimisht, nëpërmjet një amendamenti, kërkoi mosaplikimin e kësaj takse, por pas bisedimeve mes palëve, sipas sqarimit të deputetit Përparim Spahiu, është rënë dakord që nga 13 lekë për litër, akciza të propozohet në 9 lekë për litër.

DEBATI

Më herët LSI-ja ishte kundër vendosjes së taksës së gazit, për të cilën u propozua një amendament nga kryetari i Grupit, Petrit Vasili. Pas diskutimeve, sipas Spahiut, propozimi për të cilin palët kanë rënë dakord ishte vendosja e akcizës 9 lekë për litër.

“Duke u nisur edhe nga diskutimet që janë bërë jashtë këtij komisioni, kërkesa jonë është që akciza e gazit nga 13 lekë për litër të bëhet në 9 lekë për litër. Ne ishim për heqjen fare të akcizës, por meqenëse ne jemi të kompromisit dhe të diskutimit, e diskutuam edhe me ministrin që të ngelet 9 lekë”, tha Spahiu.

Ndërsa deputeti i maxhorancës, Anastas Angjeli, propozoi që akciza të vendoset 8 lekë për litër. “Unë propozoj që ta bëjmë 8 lekë, që të jemi në rregull. Propozimin e qeverisë ne e ulim 40 për qind dhe kjo tregon qëllimin e përbashkët që kemi me qeverinë, që kjo taksë të mos marrë thjesht karakterin fiskal, siç është interpretuar deri tani, dhe kjo bëhet vetëm për të marrë të ardhura”, tha Angjeli.

Nga maxhoranca i vetmi që votoi kundër akcizës 8 lekë për litër ishte kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, duke argumentuar se propozimi i qeverisë 13 lekë/litër do të rregullonte tregun, pasi shumë makina instalojnë impiante gazi të pacertifikuara.

Ndërsa deputetët e opozitës votuan kundër akcizës, pasi, sipas tyre, taksa rëndon te qytetarët. “Ju ngrini si shqetësim administrimin e gazit, por kjo nuk zgjidhet me rritje çmimi. S’ka asnjë garanci që çmimi nuk do të rritet për familjarët”, u shpreh deputeti Edmond Spaho.

Ndërkohë, ministri i Financave, Ahmetaj, përsëriti edhe një herë se akciza nuk rrit çmimin e gazit për familjarët. “Ajo që po sjellim, është shumë e qartë. Akciza e gazit për qytetarët është zero, kurse për makinat vendoset akciza më e ulët në rajon. Është parim sigurie. Sot në bezinatë shkon edhe makina qoftë e certifikuar apo e modifikuar dhe qytetari. Qytetarët do të kenë pika të certifikuara, ku do të blejnë produktin të siguruar”, tha ministri.

Në mbledhjen pasdites së djeshme, Komisioni i Ekonomisë miratoi pjesërisht kërkesën e institucioneve të pavarura për fonde shtesë.

Në total, 24 institucioneve do t’u kalojnë 983 milionë lekë. Ministri i Financave, Ahmetaj, sqaroi se për rialokimin e fondeve shtesë 400 milionë lekë do të reflektohen nga të ardhurat, kurse pjesa tjetër nga shpenzimet e buxhetit.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura