“Tërbimet e Haxhi Çollakut, shqiptarit të vrarë, sot duken ogur tragjik”- Flet miku i tij: Përshkruhet si një përbindësh, por ishte…

Jul 17, 2023 | 9:21
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Mediat italiane kanë vijuar të shkruajnë edhe përgjatë ditës së djeshme në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Padovën ku 56-vjeçari shqiptar u vra nga karabinierët italianë pas një episodi të tmerrshëm.

Haxhi Çollaku

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të pasdites së të premtes teksa Haxhi Çollaku, shkoi në banesën e ishbashkëshortes së tij, por kishte urdhër ndalimi nga policia për të mos u afruar. Vajza dhe ish-gruaja e 55- vjeçarit kanë njoftuar policinë dhe kur karabinierët kanë shkuar në vendngjarje, ai ka përplasur me furgon një efektive italiane. Por mediat italiane kanë treguar dje se ai në fakt e kishte paralajmëruar të gjithë atë çfarë ndodhi në atë përballje të tmerrshme në lagjen “Santa Famiglia”. Për aq sa është thënë deri më tani nga policia italiane, karabinierët në vend, pasi kanë kontaktuar me gruan, kanë identifikuar burrin në një furgon blu dhe pasi e kanë identifikuar e kanë ftuar të largohet. 55- vjeçari i ka dhënë makinën pas duke dhënë përshtypjen e pranimit të asaj që i kishin kërkuar karabinierët, por papritmas ka futur marshin e parë dhe është nisur drejt tyre duke plagosur një prej oficerëve. Burri më pas doli nga kabina dhe, duke mbajtur një teh çelësi, u hodh mbi ushtarin e plagosur dhe u rrëzua në tokë.

Në ato momente të trazuara, karabinieri i ka drejtuar armën dhe e ka urdhëruar të tërhiqet, por pasi nuk ka parë zgjidhje tjetër, për t’i shpëtuar jetën kolegut ka qëlluar 4 të shtëna me pistoletën e shërbimit. Shqiptari u transportua në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa karabinieri i përplasur nga makina ndodhet ende në spital për shkak të plagëve të rënda në gjymtyrët e poshtme. Ishgruaja e tij dhe vajza 23- vjeçare kanë parë skenën të tmerruara pa mundur të bëjnë dot asgjë. Autoritetet italiane kanë lëshuar më parë një urdhër ndalimi për viktimë që të mos i afrohej banesës së ish-bashkëshortes së tij. Hetimet janë të koordinuara nga Prokuroria Publike e Padovës.

PARALAJMËRIMET E ÇOLLAKUT

Mediat italiane kanë bërë publike të tjera detaje në lidhje me Haxhi Çollakun, 56-vjeçarin shqiptar, i cili u qëllua për vdekje nga policia italiane të premten. Ai përplasi me furgon një karabinier e më pas e sulmoi me thikë. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen ku jetonte ishgruaja e tij, e cila e kishte denoncuar për përndjekje.

Nuova Venezia është ndaluar tek rrjetet sociale të shqiptarit.

“Tërbimet e Haxhi Çollakut, 56-vjeçarit të vrarë nga të shtënat me armë zjarri nga një karabinier, sot duken ogur tragjik”, shkruan media italiane. Një ditë para tragjedisë ai kishte postuar një foto të tij buzë detit krahëhapur. Në të shkruante: Kundër meje është si t’i hysh detit në këmbë. Më tej vazhdonte duke thënë: Shumica e policisë italiane ngatërrojnë lëndinën me murin, por me mua do të hash bar, ose do t’i biesh murit me kokë. Ndër komentet e tij kishte edhe paralajmërime të errëta. “Të mësova të numërosh, tani do të më bësh llogaritë”, shkruante ai.

Vetëm pak ditë para ngjarjes ai kishte bërë një tjetër paralajmërim. “Nuk dua të provoj asgjë, dua të tregoj”, shprehej ai. Postime të paqarta kishte postuar edhe në Prill, madje më agresive. “Do të hakmerrem, shpresoj të takohemi së shpejti. Ose me mua, ose kundër meje”, shkruante ai. Dhe në fakt marrëdhënia e Çollakut me faqen e tij në rrjetet sociale ishte e trazuar. Gjithçka duket se tregon për një njeri të acaruar nga jeta, të munduar dhe agresiv. Megjithatë, media italiane ka marrë dëshminë e një personi që ka mendim tjetër për Çollakun. Bëhet fjalë për një ish-restuarator nga Padova, që e kishte njohur shqiptarin prej 15 vitesh. Dhe Çollaku i ishte shprehur atij me këto fjalë: Dhimbja është pjesë e imja, nuk mund ta largoj më. Por njerëzit rreth meje nuk e vënë re këtë.

Miku i ti është shprehur se Çollaku kishte një inteligjencë ë madhe. “Haxhiu përshkruhet si një përbindësh, por ishte person me inteligjencë dhe ndjeshmëri të madhe. Nuk e di se me çfarë qëllimi ka shkuar në lagjen ku jeton ishgruaja dhe vajza e tij, nuk e di historinë me ish-partneren dhe nuk ia lejoj vetes të them se çfarë është e vërtetë apo e rreme”, shprehet ai. Por, sipas mikut të shqiptarit, ai vuante nga fakti që nuk mund të shihte dot vajzën e tij. “Kishte punuar shumë për të sjellë familjen nga Shqipëria në Itali”, thotë miku i tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura