Tentoi ta vriste ish-burri, dëshmia: Më ka kërcënuar edhe më parë me armë

Jul 20, 2015 | 19:31
SHPËRNDAJE

E tronditur dhe herë pas here duke ndërprerë rrëfimin nga të qarat, magjistratja Fildize Hafizi që u sulmua me armë nga ish-bashkëshorti, ka dëshmuar para oficerëve të Policisë për ngjarjen që ndodhi në plazhin e Golemit.

Magjistratja Fildize Kasemi (Hafizi)
Magjistratja Fildize Kasemi (Hafizi)

Në dëshminë paraprake që ajo ka dhënë në postën policore të Golemit, 37– vjeçarja ka deklaruar se ishburri e kishte kërcënuar edhe më parë me pistoletë, duke i shkuar në shtëpi.

Ndërsa pasi e kishte denoncuar dhe kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, ajo ishte tërhequr nga padia për shkak të fëmijëve.

Hafizi ka deklaruar po ashtu se i shoqi pinte dhe luante bixhoz dhe për këtë arsye kishte vendosur të divorcohej me të, duke fituar vetë kujdestarinë e fëmijëve.

Ndërsa ka treguar me detaje ngjarjen e djeshme, duke thënë se ish-bashkëshorti e ka sulmuar menjëherë, pa folur asnjë fjalë me të, duke e goditur me grusht në fytyrë, në sy të djalit të tyre të mitur.

Duke qenë e bindur se ai ishte i armatosur, ajo ka arritur t’i heqë nga duart çantën ku ai mbante pistoletën dhe ka kërkuar ndihmën e pushuesve të tjerë që ndodheshin në plazh.

Ku ndodheshit kur ju sulmoi ish-bashkëshorti?
Aty te shezlonget para hotelit, ku erdhët ju që e arrestuat. Jeni me pushime këtu? Po kam ardhur para 7 ditësh. Kam marrë një shtëpi këtu afër hotelit dhe erdha me nënën dhe dy fëmijët.

E dinte ish-bashkëshorti që ishit këtu?
Po ai e dinte. Unë vetë nuk komunikoj me të që pas divorcit, por fëmijët nuk i pengoj që të flasin vazhdimisht me të në telefon. Siç duket, nga fëmijët ai e kishte mësuar vendin se ku ishim.

Si ndodhi ngjarja?
Ai erdhi te çadra ku ishim ne dhe pa thënë asnjë fjalë më goditi me grusht. Në atë moment pashë që donte të nxirrte nga çanta diçka dhe ia tërhoqa me forcë duke ia marrë nga duart. E dija që aty mund të kishte armë.

Nga e dinit, mban zakonisht armë me vete ai?
Nuk e di nëse e mban gjithmonë, por edhe një herë më ka kërcënuar me pistoletë. Më ka ardhur te shtëpia, afër “Xhamllikut”, në Tiranë, pasi aty afër banon edhe ai, dhe më ka kërcënuar.

Kur ka ndodhur kjo?
Ka disa muaj.

Ju e kishit denoncuar këtë rast?
Po e denoncova, madje kërkova edhe urdhër mbrojtjeje.

Jeni me urdhër mbrojtjeje momentalisht?
Jo, nuk jam, pasi u tërhoqa. Për hatrin e fëmijëve e tërhoqa denoncimin dhe nuk u paraqita në gjyq kur ishte seanca e urdhrit të mbrojtjes.

Jeni të divorcuar?
Po, që nga muaji mars jam divorcuar. Kam fituar edhe kujdestarinë e fëmijëve.

Pse vendosët të divorcoheshit?
Nuk mund të jetoja më një jetë të qetë me të, pasi ai pinte dhe luante vazhdimisht bixhoz.

A ishin të pranishëm fëmijët kur ndodhi ngjarja sot (dje)?
Djali ishte aty, ndërsa vajza erdhi pasi ai më kishte goditur.

Çfarë bënë fëmijët, nuk arritën të flasin me të para ngjarjes?
Fëmijët u tmerruan. Ai nuk i dha mundësi askujt që të fliste me të, pasi më goditi sapo u afrua te çadra. Më pas fëmijët filluan t’i luteshin që të ndalonte, por ai tentoi të nxirrte armën nga çanta.

Po pushuesit e tjerë e panë këtë skenë?
Po sigurisht që e panë. Disa burra u afruan që ta neutralizonin në momentin që unë i rrëmbeva çantën nga dora dhe nisa të vrapoja për të kërkuar ndihmë. Madje ata e mbajtën derisa erdhët ju. 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura