Tentoi përdhunimin e turistes polake, lirohet nga burgu dhe grabit vilat në Farkë

Aug 4, 2015 | 22:20
SHPËRNDAJE

Një person i arrestuar nga policia në fundjavë me akuzën e vjedhjes rezulton se ka dalë pak kohë më parë nga burgu. Shtetasi Rrahman Domi, i arrestuar si autor i vjedhjeve së vilave rezidenciale në Farkë, ka qenë i dënuar për akuzën e grabitjes së tre turistëve polakë dhe tentativës për përdhunimin e një femre që ishte pjesë e grupit të turistëve që vizitonin Tiranën.

Foto ilustruese, arrestim
Foto ilustruese, arrestim
Rrahman Domi është dënuar me nga pesë vite për secilin krim, por gjykata i bashkoi dënimin, duke i dhënë në total 7 vite burg. Pas këtij veprimi, nga ana e gjykatës është pranuar edhe gjykimi i shkurtuar çka i garantoi të pandehurit uljen e një të tretës së dënimit dhe zbritjen e penalitetit ndaj tij në 4.8 vite burg. Policia ka thënë se ky person është cilësuar i rrezikshëm për shoqërinë.

Bashkë me shtetasin Rrahman Domi, janë akuzuar edhe shtetasit Orient Hoxha dhe Kadim Madani. Ata dyshohet se në vitin 2012 tentuan të përdhunojnë një turiste polake në Tiranë. Sipas Policisë, tre të dyshuarit kanë grabitur duke rrahur me shkopinj bejsbolli turisten polake dhe dy bashkëkombësit e saj. Të akuzuarit e tjerë në këtë ngjarje, Orient Hoxha dhe Kadim Madani, morën dënime më të lehta.

Pak javë më parë, shtetasi Rrahman Domi ishte lënë i lirë nga ana e gjykatës, ndërsa duket se nuk ka humbur kohë t’i kthehet aktivitetit të vjedhjes së banesave. Ai është i dyshuar për vjedhjen e vilave rezidenciale në zonën e Farkës.

Në harkun kohor të tri ditëve, dyshohet se ai ka grabitur 6 banesa në Farkë, në zonën e vilave rezicendiale. I dyshuari po hetohet nga policia edhe për disa krime të tjera ndaj pronës në zonën e Saukut dhe në Rrugën e Elbasanit. Policia e Tiranës ka thënë se ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në vjedhjen e bllokut të vilave në Farkë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura