Tenderat në një dorë, një agjenci për gjithë Qeverinë. Drejtorin e emëron Xhafaj

Feb 15, 2018 | 17:44
SHPËRNDAJE

Blerje e automjeteve, karburantit, orendive të zyrave dhe çdo shpenzim tjetër, tashmë Kryeministria dhe ministritë e tjera do t’i realizojnë nëpërmjet Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, shkruan “Panorama”.

qeveria-rama-2

Kjo Agjenci do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe nga drejtori që është aktualisht, do të ngrihet në nivel Agjencie, e cila do të ketë një buxhet të sajin, stemë dhe vulën.

Kjo Agjenci, që do të koordinojë dhe miratojë blerjet e qeverisë dhe të ministrive, në varësi do të ketë një drejtor të përgjithshëm, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Brendshëm. Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara, aktualisht pjesë e strukturës së Ministrisë së Brendshme, do të vazhdojë detyrën deri në ngritjen e Agjencisë së re.

Në vendimin e qeverisë theksohet se punonjësit aktualë të kësaj drejtorie, në rast ristrukturimi institucioni, për ta do të zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil.

“Për nëpunësit civilë aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara, në rastin e ristrukturimit të institucionit, zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas këtij vendimi, Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara vazhdon funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar”, thekson vendimi i qeverisë.

BLERJET

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të marrë në dorë prokurimet e rëndësishme nga 1 janari i vitit të ardhshëm, blerje që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e automjeteve apo mirëmbajtjen e rrugëve.

“Agjencia e Blerjeve të Përqendruara planifikon dhe kryen procedurat e prokurimit për mallrat dhe shërbimet e mëposhtme, duke filluar nga data 1 janar 2019: a) Riparim, mirëmbajtje e sistemit ngrohje-ftohje; b) Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh; c) Mirëmbajtje impiantesh elektrike; ç) Shërbim i ruajtjes dhe sigurisë fizike; d) Blerje artikujsh ushqimorë; dh) Blerje pajisjesh kondicionimi; e) Shërbim gjelbërimi; ë) Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve”, thekson vendimi i qeverisë.

AGJENCIA E RE

Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Ngarkimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, për prokurimin e fondeve buxhetore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve, si më poshtë vijon:

1.1. Blerje automjetesh;

1.2. Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1;

1.3. Blerje materialesh kancelarie;

1.4. Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;

1.5. Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;

1.6. Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;

1.7. Blerje këpucësh;

1.8. Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;

1.9. Blerje tonerash;

1.10. Sigurim automjetesh;

1.11. Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;

1.12. Shërbim pastrimi;

1.13. Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje ndërtesash;

1.14. Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;

1.15. Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;

1.16. Blerje materialesh të buta dhe veshmbathje;

1.17. Riparim, mirëmbajtjeje sistemi të ngrohje-ftohjeve;

1.18. Mirëmbajtje impiantesh elektrike;

1.19. Blerje pajisjesh laboratorike, me përjashtim të atyre mjekësore;

1.20. Shërbime dezinfektimi;

1.21. Shërbim i ruajtjes dhe i sigurisë fizike;

1.22. Blerje artikujsh ushqimorë;

1.23. Blerje pajisjesh kondicionimi;

1.24. Shërbim gjelbërimi;

1.25. Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.

2. Përjashtimisht, lejohet:

2.1 Ministria e Mbrojtjes t’i realizojë vetë procedurat e prokurimit për:

a) blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;

b) blerje këpucësh.

2. Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e saj të varësisë të realizojnë vetë procedurat e prokurimit me objekt “Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh”.

3. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit.

4. Lidhur me objektet e përmendura në pikat 1.6, 1.11, 1.13 dhe 1.19, të pikës 1, të këtij vendimi, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë/do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me paraqitjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore.

5. Autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga hartimi i regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës, për mallrat e shërbimet përkatëse. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast, kur konstaton mosrespektimin e afatit kohor të përcaktuar në këtë pikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura