Teatri/ Aktori bën publik planin ‘sekret’ të artistëve: Arrogancë poshtëruese nga Qeveria

Apr 7, 2018 | 8:12
SHPËRNDAJE

Aktori Vasjan Lami ka qenë i përfshirë në çështjen e prishjes ose jo të Teatrit Kombëtar, që në fillimet e saj. Ai është shprehur që më herët për problematikat e gjendjes së teatrit, indiferencën e shtetit ndaj këtij institucioni etj…

vasjan lami

Sot, Lami vjen me një plan të ri, një projekt i ri që është bërë gati privatisht nga të gjithë ata, që po përpiqen ta ruajnë teatrin nga shembja dhe shndërrimin e territorit të tij në një kompleks kullash.

“Ne shohim që godinat rrotull Teatrit Kombëtar u restauruan, Ministrisë së Brendshme iu bë dhe një goxha shtesë e bukur, duke ruajtur arkitekturën ekzistuese, përse të mos bëhej edhe rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar, i cili shkon aq bukur me kompleksin e godinave të kohës së tij dhe duke e kthyer kësisoj në një vepër historike dhe monumentale, si tempulli ku u ngjiz arti skenik shqiptar dhe ku u hodhën bazat e asaj kulture, që edukoi dhe kultivoi breza të tërë, deri në ditët tona.

Ndërtimi i një teatri të ri bashkëkohor do të ishte një nder dhe fat për artistët dhe spektatorin, gjithmonë në rritje të teatrit, por mua më duket akoma tepër e largët dhe gati utopike, duke parë se sa kujdes është treguar dhe tregohet nga të gjitha qeveritë e deritanishme, për artin në përgjithësi dhe teatrin në veçanti. Mund të përdorja shprehjen: “Është tepër e bukur për t’u besuar”.

Ndërkohë që po zbukurohen ministritë rrotull teatrit, godinës tonë nuk i janë mbyllur as disa vrima në murin përballë tyre”- ka thënë Lami ca kohë më parë. Sot, në këtë deklaratë të re, njihemi me planin e ardhshëm që më hollësisht pritet të paraqitet këtë të hënë.

VASJAN LAMI

Çështja “Teatri Kombëtar”, përditë e më shumë merr përmasat që meriton. Ai tashmë i ka kaluar muret dhe oborrin e TK-së. Të hënën e fundit, pjesëmarrja e mbështetësve të Lëvizjes në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, ishte më e madhe se ditët e tjera. Folën edhe shumë pjesëmarrës veç artistëve; pedagogë, nga shoqëria civile, arkitektë, etj..

Të gjithë ishin me idenë e ruajtjes së godinës ekzistuese të TKse dhe rikonstruksionit të saj, si një vepër më vlera historike kulturore, si një monument i vërtetë kulture, tregues i vlerave dhe traditës sonë të pakët në këtë fushë.

Arkitekti Aliaj foli edhe për vlerat autentike arkitektonike të teatrit dhe insistoi për luftën në mbrojtje të krijimtarisë dhe fizionomisë së qytetit tonë. Një tjetër bëri thirrje të mbrojmë fort teatrin, që të mundemi kështu t’i ndjekim tragjeditë në skenën e teatrit dhe jo në jetën tonë të përditshme.

U kërkua me forcë që të shtohej qëndresa dhe lufta kundër politikës diskriminuese qeveritare dhe arrogancës poshtëruese të Kryeministrit.

Zoti Ndrenika e mbylli fjalën e tij, duke iu drejtuar Kryeministrit: “Pas një apo dy vjetësh do të ikësh edhe ti me ato PPP-të e tua, por deri atëherë nuk duam gjë tjetër, veç të na lesh të qetë. Nëse unë në fjalën time, hodha idenë e zgjidhjes së problemit nëpërmjet një referendumi popullor, pasi çështja e Teatrit Kombëtar, nuk është vetëm e jona, aktorëve, por e mbarë kombit, u tha që; meqenëse referendumi mund të manipulohej, ndoshta një peticion mbarëkombëtar mund të ishte më konkret.

Shumë të pranishëm ofruan ndihmën e tyre sipas mundësive. Dikush ofroi edhe mundësinë për të gjetur donacione, për rindërtimin e teatrit dhe më e rëndësishmja ishte dhurata e një arkitekti; ai ofroi një projekt arkitektonik të “Kompleksit të Teatrit Kombëtar”, ku përfshiheshin edhe dy godinat ekzistuese të teatrit, të restauruara, si dhe një teatër modern mes tyre, që shkrihej me to, duke i iluminuar e bërë më magjike ato.

Pra, kam kënaqësinë që ditën e hënë, datë 9 prill, të ftoj të gjithë skeptikët apo indiferentët, apo ata që patën frikë të prononcoheshin, të jenë pjesëmarrës në prezantimin e opsionit tonë të projektit për: Kompleksin e ri të Teatrit Kombëtar.

Në kuadër të procesit shumë të përfolur, të transparencës, ftoj gjithë qeveritarët e parLamintarët, si dhe të gjithë ata që e quajnë këtë çështje të të gjithë kombit, të jenë prezent atë ditë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura