Të përndjekurit, emrat që marrin paratë në janar

Jan 7, 2016 | 8:38
SHPËRNDAJE
Foto ilustruese
Foto ilustruese

Financat konfirmojnë nisjen e pagesave të dëmshpërblimit brenda muajit janar. Emrat e 1580 ish-të përndjekurve që marrin këstin e pestë

Financat: Fondi 16 milionë USD, pagesat brenda këtij muaji

Pagesat për ish-të përndjekurit që jetojnë dhe trashëgimtarët do të rinisin brenda këtij muaji. Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se është firmosur urdhri nga ministri Cani për fillimin e kësteve të dëmshpërblimit.

Për vitin 2016 janë vënë në dispozicion, ashtu si edhe vjet, 2 miliardë lekë, ose thënë ndryshe 16 milionë dollarë, nga të cilat 11 milionë do të shkojnë për ata që janë gjallë, ndërsa pjesa e mbetur për familjarët e të dënuarve që kanë ndërruar jetë. Ndërkohë për rifillimin e pagesave është e nevojshme që ish-të përndjekurit të bëjnë rinovimin e dokumenteve.

KËSTI I PESTË
Ndarja e fondit do të nisë gjatë ditëve në vijim. Përparësi do të vijojnë të kenë të dënuarit që jetojnë, për të cilët është adresuar edhe pjesa dërrmuese e fondit vjetor. Gazeta boton sot emrat e 1580 ish-të përndjekurve, të cilët do të kenë mundësi që të tërheqin brenda këtij muaji këstin e pestë të dëmshpërblimit. Por, për ta përfituar, ata duhet të depozitojnë paraprakisht certifikatë personale, jo më të vjetër se një javë nga data e dorëzimit, si edhe numër llogarie në emrin e tyre.

Menjëherë pas kësaj do të nisë edhe derdhja e parave në shumat respektive. Ata që e kanë përfituar ndërkohë, duhet të presin njoftimin për ndarjen e pagesës së radhës, si edhe procedurat që duhet të ndjekin. Paralelisht do të punohet për ndarjen e parave për trashëgimtarët. Për këta të fundit është adresuar vetëm 30 për qind e fondit të përgjithshëm. Me shumë mundësi, ashtu sikundër edhe vjet, ndarja e kësteve për këtë kategori pritet të nisë në 6-mujorin e dytë të vitit.

SITUATA
Nga fondi 2 miliardë lekë që ishte në vitin 2015 përfituan, sipas Ministrisë së Financave, rreth 6 mijë ish-të përndjekur, nga ku 508 përfitues ishin për këstin e parë, 2630 përfitues për këstin e dytë, 156 përfitues për këstin e tretë, 1798 përfitues për këstin e katërt dhe 907 përfitues për këstin e pestë. “Shpërndarja e fondit është bërë në respekt të plotë të radhës së numrit rendor të pagesave për ish-të përndjekurit.

Në kuadër të problematikave të shfaqura dhe ankesave të përfituesve, si ato të mospagesës së kësteve të 4-5 për kategorinë parësore, sqarojmë se pagesat nuk janë realizuar për mungesë dokumentacioni, të përcaktuar në aktet nënligjore për përfituesit, si dhe janë ende në analizë dokumentacionet e mbërritura, sipas kategorive të përcaktuara në ligj”, është sqaruar më herët nga Financat.

Per te pare listen e plote klikoni ketu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura