Të kthehemi në formë pas festave të fundvitit!

Jan 14, 2013 | 12:44
SHPËRNDAJE

Tendenca për të shtuar kilogramë, sidomos përgjatë festave të fundvitit, Krishtlindje dhe Viti i Ri, është frika më e madhe, sidomos e femrave, të cilat rendin gjatë verës nëpër palestra në përpjekjen e përhershme për të ruajtur format fizike, mes dietave të nevojshme për të ulur ndonjë kilogram, ndërsa muaji dhjetor mund të ta çojë mundin dëm, sado rezistent dhe të palëkundur të tregohemi përpara tryezës familjare të shtruar plot dhe ëmbëlsirave të shijshme të përgatitura në shtëpi, kryesisht ato tradicionalet si bakllavaja e kadaifi. Gjithsesi, është dietologia Enkelejda Ferrollari, e cila na vjen në ndihmë me disa këshilla praktike, që nëse i ndiqni, jeni ende në kohë për të rifituar peshën e dikurshme!

Kujdes me festat! Shtoni një deri në dy kilogramë
Gjatë festave të fundvitit jemi të ekspozuar ndaj ushqimeve dhe gatimeve të ndryshme tradicionale ose të reja. Si rezultat i kësaj kemi konsumuar sasi të mëdha ushqimi, që do të thotë sasi të mëdha kalorish. Ushqime të pasura me yndyrë dhe me sheqerna që na japin sasi të konsiderueshme kalorish, edhe nëse i konsumojmë në sasi të vogla. Nga ana tjetër, aktiviteti fizik ka qenë minimal. Kështu që kemi pasur një bilanc energjik pozitiv, që do të thotë që kemi marrë më shumë energji seç kemi harxhuar dhe i kemi depozituar në masë dhjamore. Prandaj është e pashmangshme që nga festat të vijmë me 1-2 kg peshë trupore të shtuar.
Post festa, rikthim në peshën e preferuar
Nuk duhet të mungojnë proteinat, të ekuilibruara midis proteinave shtazore dhe bimore. Të konsumojmë në mënyrë të moderuar mishin e kuq, dhe ai duhet të përzgjidhet pa dhjamë të dukshëm. Një pjesë të mirë të proteinave duhet ta sigurojmë nga mishi i pulës, peshku dhe bishtajoret: fasulet, thjerrëzat, qiqrat etj. Por edhe bulmetrat duhet të jenë pjesë e përditshme e dietës sonë dy-tri racione në ditë, në formën e qumështit, kosit, djathit, gjizës etj. Bulmetrat duhet t’i përzgjedhim me pak yndyrë. Shpesh për të rënë nga pesha biem në kurthin e dietave që demonizojnë karbohidratet duke i eliminuar ato nga menyja e përditshme. Në fakt, karbohidratet në formën e drithërave, bukës, makaronave, orizit, patates etj., duhet të përbëjnë rreth 60% të kalorive ditor. Janë jo vetëm burimi kryesor i energjisë, por edhe i proteinave dhe shumë vitaminave e kripërave minerale. Nëse çdo vakt e fillojmë me një racion të bollshëm zarzavatesh, arrijmë të konsumojmë më pak ushqime të tjera, pasi janë të pasura me fibra dhe na krijojnë gjendjen e ngopjes. Por përveç të tjerash, zarzavatet dhe frutat kanë edhe elemente antioksidues, që ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të lira të krijuara gjatë metabolizmit të trupit apo edhe nga kushtet e ambientit. Kujdesi me ushqimin duhet të shoqërohet me aktivitet të rregullt fizik.
Vlerat ushqimore të nevojshme
Ushqimi ynë i përditshëm duhet ta furnizojë organizmin me të gjithë përbërësit makro dhe mikroushqyes. Rreth 55-60% të kalorive ditore duhet të përbëhet nga karbohidratet në formën e drithërave, të makaronave, orizit, patateve etj. 15-20% e kalorive ditore duhet të vijnë nga proteinat në formën e mishit, peshkut, pulës, bulmetrave dhe bishtajoreve, fasulet, thjerrëzat, qiqrat etj. Dhe 30% e kalorive ditore duhet të vijnë nga yndyrat, ku duhet të mbizotërojnë ayo të pangopura, që i sigurojmë nga vajrat bimore, luledielli, vaj misri, vaj ulliri etj. Duhet të kontrollojmë yndyrat e ngopura në formën e dhjamit, gjalpit etj.
Dietë para apo pas festave?
Duhet gjithmonë të kemi një stil jete të rregullt, qoftë para edhe pas festave. Kujdes me sasinë dhe përzgjedhjen e ushqimeve që konsumojmë dhe aktivitet të rregullt fizik. Nëse ndodhemi në kushtet e mbipeshës apo të obezitetit, duhet gjithmonë të kemi objektiv korrigjimin e problemeve të peshës, duke u trajtuar me një dietë hipokalorike të ekuilibruar, qoftë kjo para apo pas festave. Kjo jo vetëm për t’u ndier estetikisht mirë, por edhe për të parandaluar problemet që shkakton obeziteti në shëndet dhe në shfaqjen e patologjive të ndryshme.
Dobësim brenda shtatë ditësh
Rëniet e shpejta që shpesh reklamohen nga dieta të ndryshme të njëanshme, janë të dëmshme dhe me pasoja në organizëm. Rënie e shëndetshme është rënia graduale deri në katër kilogramë në muaj, që nëse arrihet me një dietë të ekuilibruar dhe të përzgjedhur mirë, bën të mundur rënien e masës dhjamore, që është pjesa e dëmshme kur është me tepri dhe ruan masën muskulore, që është pjesa më vitale e organizmit.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura