“Të forcojmë lidhjet e komunave arbëreshe me bashkitë në Shqipëri”/ Presidenti Meta: E gjithë trashëgimia e vyer meriton të mbrohet duke u bërë pjesë e UNESCO-s

Nov 4, 2021 | 20:01
SHPËRNDAJE

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Siçili, u ndal në Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), një nga bashkësitë më të mëdha, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve në këtë Rajon.

ilir meta

Kreu i Shtetit u mirëprit nga qindra arbëreshë, që kishin dalë në sheshin qendror të komunës dhe pas përshëndetjes së përzemërt me ta, u prit  në një takim në sallën e Këshillit Bashkiak, nga kryetari i Bashkisë, Rosario Petta si dhe me kryebashkiakët e tjerë të Rajonit.

Presidenti Meta pasi vuri në dukje se ndihej i lumtur që po vizitonte Piana degli Albanesi, kryeqytetin e arbëreshëve, si edhe i privilegjuar që ndodhej në qytetin e krijuar pesë shekuj më parë nga familjet shqiptare, fisnikët dhe të afërmit e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastroti Skënderbeut, mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.

“Këtu është ruajtur figura e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, kultura shqiptare, gjuha, feja, riti bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzika.

Arbëreshët ishin nismëtarë të Rilindjes sonë Kombëtare.

Ne krenohemi që gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio.

Këtu lindi letërsia arbëreshe, një proces vendimtar për historisë letrare të Shqipërisë.

Për më tepër se pesë shekuj me radhë, arbëreshët mbajtën gjallë identitetin shqiptar.

Hora e Arbëreshve është një model integrimi dhe shërben si një urë lidhëse e fortë midis dy popujve përtej Adriatikut duke na paraqitur një model për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Italisë dhe Shqipërisë.” – theksoi Presidenti Meta.

Duke vënë në dukje se edhe emigrantet e pas viteve 1990-të, bashkëjetojnë dhe janë integruar më së miri në bashkësinë e Piana degli Albanesi, Presidenti Meta nënvizoi faktin se: “Binjakëzimi me Tiranën që nga viti 1954, i ndërprerë nga regjimi komunist, duhet të forcohet dhe të shërbejë për krijimin e lidhjeve më të ngushta.

Kjo mund të arrihet përmes forcimit të bashkëpunimit me agjencitë për Diasporën dhe Këshillin Koordinues për Diasporën me komunat arbëreshe, për më tepër që kemi nderin që zoti Petta të jetë përfaqësuesi i të gjithë diasporës shqiptare të Italisë në këtë Këshill.”

Mesazhet e Presidenti të Republikës në Horën e Arbëreshëve ishin se duhet shtuar vëmendja për mësimin e gjuhës shqipe në komunat arbëreshe, përfshirë edhe dërgimin e mësuesve të shqipes nga Shqipëria, dhe shkëmbime në të gjitha sektorët e kulturës dhe historisë nga të dyja anët e Adriatikut.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit nënvizoi duhet më tepër përkushtim nga të gjitha autoritetet e dy vendeve tona për të arritur regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO, ndalimin e shpopullimit dhe edukimin e brezave të rinj.

“Promovim dhe vëmendje ndaj kësaj pasurie të çmuar të trashëgimisë evropiane dhe asaj botërore.” – nënvizoi Presidenti Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura