“Të dal normalisht vëlla… se janë hap llafe, për urdhër arreste. Më morën në qafë”/ U dënua me 8 vite burg, ja përgjimet e ish-shefit të Sektorit Kundër Krimit që është ende në arrati

Dec 2, 2021 | 9:44
SHPËRNDAJE

Ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, Gjergji Kohila, është dënuar me 8 vite burg.

gjergji kohila

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli atë fajtor për përfshirjen në trafikun e lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal të Habilajve në Vlorë.

SPAK kërkoi më 1 nëntor të këtij viti dënimin me 12 vite burg të Kohilës, por për shkak se përfitoi gjykim të shkurtuar, ky dënim u ul në 8 vite.

Nga përgjimet e lexuara gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, më 10 shtator të vitit 2019, ishte edhe një bisedë telefonike midis Kohilës dhe anëtarëve të grupit të Habilajve. Gjyqi ndaj tij u zhvillua në mungesë, pasi Kohila është ende në arrati.

I pandehuri tjetër i çështjes, Sokol Bode, po gjykohet në një proces të veçuar, për shkak se gjyqi ndaj tij zhvillohet me procedurë të zakonshme.

PËRGJIMET

Mesazhet e shkëmbyera ndërmjet komunikuesve “Agushi” dhe “Fiati” (ky i fundit përdorej nga Gjergj Kohila) tregojnë dhënien e informacioneve nga ky i fundit për hetimet e kryera, konkretisht:

Agushi: “O vëlla si je? Ça bëhet? Po lëviz, vëllai, nëpër Vlorë, po thjesht me familjen, s’bëj asgjë, të dal normalisht vëlla… se janë hap llafe, janë prerë ca urdhër-arreste, për mua, atë kushëririn tim, e ca çuna të tjerë… apo llafe Vlore?”.

Fiati: “Unë s’di gjë vëlla. Por duhet të ketë prova që të priten urdhra arresti. Ju kanë kapur gjë!? Po s’ka prova, s’ka urdhër arresti. Njerëzit ju dinë në burg. Po me këto intriga që bëre ti me atë timin, çuditen kur ju shohin jashtë”.

Agushi: “Ça intrigash bëra unë, o vëlla?! Vetëm unë s’bëj intriga. Të përshëndeta që parë, s’më pe. Mua ma bënë intrigën, më morën në qafë, po varja o vëlla, po të jetë ndonjë gjë, më thuaj të ndërhyj. Në Tiranë kam njerëz. Po çne na dinë në burg ne, ça kemi bërë apo baçja jonë, ne përballë i kishim, dhe është me 100 mijë rrënjë, nuk i shikojnë, kjo jona dukej! Hahhahaha”.

Fiati: “Hahahahaha”.

Agushi: “O vëlla, të rri vëllai i qetë në shtëpi, se vetëm te llafi jot kam besim”.

Fiati: “Rri o vëlla. Unë kam sjellë atë timin në punë. Po nuk është se dukej baçja. Dukeshit ju më shumë se baçja. Sikur kishit 200 mijë”.

Agushi: “Ok, vëlla, ore të pyes ty unë, pa atë se pyes më unë, varja iku ajo, rëndësi ka të jemi të qetë tani, vëlla”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura